Guvernatori Gent Sejko dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë zhvilluan të martën takimin përmbyllës online me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Shqipëri, të përfaqësuar nga shefja e Misionit, Yan Sun.
Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, diskutimet u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, pikëpamjet mbi perspektivat makroekonomike, zhvillimet në sistemin financiar dhe përgjigjet e autoriteteve rregullatore ndaj efekteve të pandemisë. Ata ndanë të njëjtat parashikime lidhur me rritjen ekonomike, që pritet të rimëkëmbet gradualisht në vitet 2021 dhe 2022, ku një ndër sektorët që pritet të ketë një kontribut të lartë në këtë drejtim është ai i turizmit. Megjithatë, BB dhe FMN theksuan se ritmi i rimëkëmbjes do të varet nga evolucioni i pandemisë dhe shpejtësia e vaksinimit të popullsisë.
Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare gjatë gjysmës së parë të vitit 2020 ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë dhe ambientit të pafavorshëm të huaj, megjithatë aktiviteti ekonomik në vend ka shfaqur tendenca rikuperimi në gjysmën e dytë të vitit. Ai shtoi se rikuperimi i ekonomisë u ndihmua nga stimuli fiskal i transmetuar gjatë vitit 2020 dhe nga politikat stimuluese monetare dhe financiare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
Lidhur me sektorin bankar në vend, Guvernatori theksoi se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit e të shëndetit financiar. Ai nënvizoi se ky sektor ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë, duke marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të goditjes, si dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë të gjithë treguesit në parametra të shëndetshëm.
Guvernatori Sejko shtoi se tregjet financiare kanë vijuar të funksionojnë normalisht: kursi i këmbimit paraqitet i qëndrueshëm, normat e interesit mbetën pranë minimumeve të tyre historike dhe kreditimi është rritur. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit. Sejko theksoi se vijimi i rolit aktiv të sektorit bankar edhe gjatë periudhës së ardhshme do të jetë një element kyç në qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike.
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike. Sipas tyre, kontributi i dhënë nga autoritetet shqiptare në menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare ka ndikuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për rifillimin e rimëkëmbjes ekonomike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.