BSH do bëhet si “gjykatë” ndërmjet bankave dhe klientëve për mosmarrëveshjet e pagesave

30/01/2020 11:00 PM 0 komente

Mosmarrëveshjet ndërmjet ofruesve të pagesave dhe klientëve do të shqyrtohen për zgjidhje nga një njësi e veçantë në Bankën e Shqipërisë. Projektligji i ri për Pagesat, i cili është për diskutim në Kuvendin e Shqipërisë përcakton si një çështjet më të rëndësishme të trajtuara krijimi i procedurave të shqyrtimit alternativ të mosmarrëveshjeve.

Në këtë kuadër, bazuar në rekomandimet e direktivës, si një hap të parë drejt mbrojtjes së konsumatorëve, në nenin 92, parashikohet krijimi i një njësie të veçantë (ZAM) brenda Bankës së Shqipërisë, e cila do ketë detyrën e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve të lindura ndërmjet klientëve dhe ofruesve të shërbimeve të pagesave.

Sipas shpjegimeve të Bankës së Shqipërisë është vlerësuar që kjo njësi të shqyrtojë mosmarrëveshjet vetëm të konsumatorëve dhe të mikrondërmarjeve, në cilësinë e klientit, duke përjashtuar mosmarrëveshjet e biznesit.

Banka e Shqipërisë ka detyrimin të krijojë ZAM-në dhe të miratojë procedurat përkatëse që do të nevojiten për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të cilat do të publikohen, në mënyrë që ofruesit dhe klientët e tyre të jenë në dijeni të plotë të hapave që duhen ndjekur përpara se të fillojë shqyrtimi i mosmarrëveshjeve nga ana tjetër,.

Projektligji trajton të gjitha detyrimet dhe afatet përkatëse që kanë ofruesit kundrejt klientëve të tyre në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve jashtë rrugës gjyqësore.

Neni 94 i, projektligjit, përcakton sanksionet që Banka e Shqipërisë, si autoritet mbikëqyrës, ka të drejtë të vendosë ndaj institucionit të pagesave në rast konstatimi shkeljesh të dispozitave të këtij ligji.

Këto sanksione përcaktohen si kundërvajtje administrative, me qëllim ndërprerjen e shkeljes dhe/ose ndreqjen e pasojave të shkeljes.

Përveç gjobave janë përcaktuar edhe sanksione të tjera, të tilla si revokimi ose pezullimi i licencës në raste të caktuara. Gjobat janë tituj ekzekutivë dhe me ekzekutimin e tyre ngarkohet Zyra e Përmbarimit.

Banka e Shqipërisë detyrohet të publikojë në faqen zyrtare të internetit sanksionet e vendosura për shkelje. Publikimi bëhet menjëherë pasi personi, ndaj të cilit është vendosur sanksioni, të jetë informuar për atë sanksion, duke përfshirë informacione për llojin e natyrën e shkeljes dhe identitetin e individit apo personit juridik mbi të cilin është vendosur sanksioni.

Në rastin e publikimit të sanksioneve, kundër të cilave është bërë ankesë, Banka e Shqipërisë publikon edhe informacionin për statusin e asaj ankese dhe rezultatin e saj. Është parashikuar që publikimi sipas këtij neni të qëndrojë në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë, maksimumi një vit, dhe, në çdo rast, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of