“Ecuria e cilësisë së kredisë përfaqëson problemin kryesor me të cilin ndeshet aktualisht sektori bankar”, ka pohuar guvernatori Ardian Fullani në fjalën e tij mbajtur në tryezën e diskutimit me sistemin bankar me temë: “Për një sistem bankar të shëndetshëm dhe eficient në Shqipëri. Veprimtaritë dhe rezultatet e arritura në kuadrin e Projektit të Binjakëzimit”. Fulani është shprehur mjaft i shqetësuar për situatën dhe ka dhënë detaje lidhur me çfarë po ndodh aktualisht me ekzekutimin e kolateralit, si dhe është shprehur kundër kërkesës “për të bërë një provigjionim në vlera më të ulëta pasi kemi të bëjmë me një përmirësim jorealist të pozicionit të kapitalizimit të veprimtarisë”.
“Rritja e kredive me probleme rrit nivelin e stresit në veprimtarinë bankare dhe ul kontributin e sektorit në ndërmjetësimin financiar dhe mbështetjen e rritjes ekonomike në vend”. Banka e Shqipërisë, pohoi Fullani, e ka ndjekur me shqetësim këtë situatë duke u fokusuar në drejtimet e mëposhtme:
v Evidentimin sa më të saktë të problemit, nëpërmjet kryerjes së inspektimeve dhe verifikimit të procedurave me të cilat bankat vlerësojnë cilësinë dhe kategorizojnë kredinë;
v Krijimin e fondeve përkatëse rezervë nëmadhësinë dhe në kohën e nevojshme;
v Nxitjen që bankat të trajtojnë problemin përmes nismave mëtë vendosura për ekzekutimin e kolateraleve të kredive tëhumbura.
Vlerësimi ynë ka qenë dhe mbetet se vetëm në këtë mënyrë krijohen kushtet për njohjen dhe trajtimin më të shpejtë të problemit, duke shmangur shtrirjen e tij në kohë dhe duke zvogëluar pasiguritë për të ardhmen.
Industria bankare ka shtuar reagimet për një rishikim të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, me qëllim zbutjen e tij në trajtimin e kredive me probleme. Banka e Shqipërisë është e hapur të konsiderojë çdo propozim të vlefshëm dhe realist të industrisë bankare në këtë drejtim, për sa kohë që ato nuk sjellin dobësim të aftesisë së sektorit bankar në një situatë me zhvillime të paqarta.
“Duke u ndalur më konkretisht në disa opinione të kohëve të fundit, ne e vlerësojmë të papërshtatshme kërkesën e bërë për një provigjionim në vlera më të ulëta pasi kemi të bëjmë me një përmirësim jorealist të pozicionit të kapitalizimit të veprimtarisë.”
Përfitoj nga rasti të sqaroj opinion publik se në këtë drejtim, normat e aplikuara prej nesh janë plotësisht të përputhura me eksperiencat e vendeve të tjera dhe në disa raste ato janë më të ulëta.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kuadri aktual rregullativ krijon hapësirat e nevojshme për sistemin bankar që të asistojë klientët e mirë, që përballen me vështirësi të përkohshme në situatën aktuale. Kjo asistencë mund të vijë në forma të ndryshme duke përfshirë edhe ato të ristrukturimit në menyrën më tëpërshtatshme për palët. Për këtë çështje, Banka e Shqipërisë do të vlerësojë mundësitë dhe format që ky proces tëbëhet më stimulues edhe për bankën.
Për sa i takon marrjes në konsideratë të vlerës së kolateralit për uljen e vlerës së aktiveve me rrezik të bankave, Banka e Shqipërisë mbetet e opinionit që përqëndrimi i kolateralit në formën e pasurisë së paluajtshme si edhe vështirësitë që ende ndeshen në ekzekutimin e tij dhe rekuperimin e vlerës së kredisë së humbur, e zhvlerësojnë që në nisje një nismë të tillë.
Është e nevojshme që disa përmirësime të kuadrit ligjor dhe rregullativ, siç janë tashmë të identifikuara nga grupet e përbashkëta të punës me industrinë bankare, të implementohen dhe të zbatohen me korrektësi, në mënyrë që kolateralit të fitojë vlerën e tij optimale.
Në përfundim, industria bankare duhet të dëshmojë se është aktive në trajtimin e kredive me probleme dhe çlirimin e burimeve në bilanc për mbështetjen e mëtejshme të veprimtarisë. Kjo është edhe forma me e mirë për të testuar mundësitë reale që ekzistojnë, të cilat më pas mund të mbështeten edhe nga ndryshimet e kujdesshme të kuadrit rregullativ mbikëqyrës. Qëllimi ynë i përbashkët është që vlera e kredive me probleme të ndërpresë rritjen e saj si edhe të përmirësohet gradualisht. Në sektorin bankar ka banka që falë një pune të kujdesshme në 2-3 vitet e fundit në marrëdhënien me klientët e tyre kanë arritur të ulin ndjeshëm raportin e kredive me probleme, duke vijuar me ritme të kënaqshme kreditimin. Mënyra e organizimit dhe e drejtimit të punës së tyre, duhet të jetë një shembull për bankat e tjera ne sektorin bankar, tha guvernatori i BSH
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.