Banka e Shqipërisë pranoi sot në raportin e periodik të politikës monetare se, zhvillimet në kursin e këmbimit gjatë këtij viti kanë shmangur faktorët fondamentalë (kanalet zyrtare të prurjeve në valutë).
Kursi i këmbimit të lekut ndaj monedhave të huaja vijon të shfaqet i mbiçmuar në krahasim me një vit më parë. Të dhënat nga sektori i jashtëm tregojnë për flukse të larta valutore në vend gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2018, duke mbështetur kahun mbiçmues të kursit të këmbimit.
“Këto goditje përshpejtuan ritmin e mbiçmimit të lekut duke e shmangur atë nga nivelet e sugjeruara nga faktorët fondamentalë dhe duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në tregun valuator”, u shpreh Banka e Shqipërisë.
Banka sqaroi se, ecuria e kursit të këmbimit ka qenë subjekt goditjesh veçanërisht në tremujorin e dytë të vitit, kur ndryshimi i sjelljes së agjentëve financiarë solli zhbalancim të raporteve të ofertës dhe kërkesës për valutë .
Ndërhyrja e përkohshme e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor ka reduktuar zhbalancimet e ofertës dhe kërkesës për valutë, ka qetësuar funksionimin e tregut valutor dhe ka frenuar ritmin e shpejtë të mbiçmimit të lekut.
Banka analizon se, kursi euro/lekë rezultoi i qëndrueshëm në tremujorin e tretë, për t’iu rikthyer tendencës mbiçmuese në tremujorin e katërt. Në muajt tetor e nëntor, kursi euro/lek u luhat në mesatarisht 124.9 lekë, duke u mbiçmuar me 0.9% krahasuar me tremujorin e tretë.
Kjo ecuri duket të ketë reflektuar si nënçmimin e euros në tregjet ndërkombëtare, ashtu edhe praninë e ofertës së lartë për euro. Banka e Shqipërisë pothuajse nuk ka qenë e pranishme në treg gjatë kësaj periudhe. Krahasuar me një vit më parë, një euro është këmbyer me rreth 6.5% më pak lekë. Të dhënat e deritanishme të muajit dhjetor tregojnë se leku është mbiçmuar ndaj monedhës evropiane në mesatarisht 123.6 euro/lekë, në linjë me sjelljen e tij sezonale të fundvitit.
Një tjetër tregues që dëshmonte rritjen e pasigurisë në tregun valutor është dhe luhatshmëria ditore e kursit të këmbimit. Gjatë muajit qershor, devijimi standard i luhatjeve ditore kulmoi gati në 4.6 herë më shumë se mesatarja e pesë viteve të fundit.
Prania e vazhdueshme e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor ndikoi në tkurrjen e ndjeshme të këtij treguesi dhe kthimin në normalitet të tij.
Me uljen e pasigurisë dhe në sajë të rolit më aktiv të bankave në përcaktimin e çmimit të lekut ndaj monedhës evropiane, luhatshmëria ditore e kursit euro/lek është tkurrur edhe në periudhën kur Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e pranishme në treg. Gjatë tremujorit të katërt, Banka e Shqipërisë pothuajse nuk ka qenë e pranishme në tregun valutor.
Banka pohoi se, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë korrektuar çrregullimet afatshkurtra, të vëna re në tremujorin e dytë të vitit. Gjithashtu, nëpërmjet ngadalësimit të ritmit mbiçmues të kursit të këmbimit, rreziku i kursit të këmbimit mbi inflacion është zbutur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.