BSH: Efekti direkt i pandemisë u ndie më shumë në hoteleri dhe në industrinë përpunuese

13/04/2021 11:00 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë e vlerëson rreth 6.3% efektin e drejtpërdrejtë negativ të pandemisë në ekonominë shqiptare për 9 muajt e parë të vitit 2020.

Vlerësimi është kryer duke marrë parasysh ndikimin e masave kufizuese të ndërmarra në secilin komponent të kërkesës agregate dhe, më tej, nëpërmjet aplikimit të tabelave input-output, është filtruar ndikimi i tyre në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Nga kjo analizë, ka rezultuar që sektorët që pësuan goditjen më të fortë nga pandemia ishin Akomodimi, Shërbimet dhe Industria Përpunuese. Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 75% e ndikimit të vlerësuar negativ të pandemisë së Covid-19 u përqendrua në këta tre sektorë. Pjesa tjetër e ndikimit negativ u shpërnda mes ndërtimit, industrisë nxjerrëse dhe tregtisë, çka tregon se në këta sektorë ndikimi ishte më i kufizuar. Sektori ku ndikimi i pandemisë u vlerësua më i ulët ishte bujqësia, duke qenë se aktiviteti i fermerëve nuk u ndikua shumë nga masat shtrënguese.

E zbërthyer sipas komponentëve të kërkesës agregate, rezulton se goditjen më të fortë e kanë pësuar eksportet, të cilat kanë rënë me 40.6%. Për eksportin e mallrave dhe të shërbimeve, vlerësimet janë bazuar në treguesit faktikë të tregtisë së mallrave dhe të shërbimeve.

Ndërkohë, komponentët e kërkesës së brendshme, konsumi privat dhe investimet kanë rënë përkatësisht me 4.5% dhe 5.8% në terma vjetorë. Për konsumin privat, vlerësimi është mbështetur në nën-komponentët sektorialë të kërkesës konsumatore, të cilët u ndikuan nga mbyllja dhe nga kufizimet në aktivitetet e bareve dhe restoranteve, e transportit publik dhe privat, e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve etj. Për investimet, vlerësimi është bazuar në ecurinë e sektorit ndërtues dhe të importit të mallrave kapitale.

Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka kryer edhe një vlerësim për efektin e goditjes në punësim, që vlerësohet në rreth -3% në terma mesatarë vjetorë. Kjo goditje vlerësohet të ketë prekur kryesisht punësimin e aktiviteteve “Akomodim”, “Industri përpunuese” dhe “Shërbime të tjera”. Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rënia e punësimit vlerësohet e shpërndarë përkatësisht, 39.6% në ndërmarrjet me mbi 50 të punësuar, 39.5% në ndërmarrjet me 1-9 të punësuar dhe 21% në ndërmarrjet e vogla.

Shpejtësia dhe ashpërsia e impaktit të masave shtrënguese të ndërmarra ndikoi negativisht edhe besimin e konsumatorëve dhe bizneseve, duke rritur pasigurinë e tyre për të ardhmen. Treguesi i ndjesisë ekonomike preku nivelin më të ulët historik në tremujorin e dytë të vitit. Mbyllja e detyruar e aktivitetit, rënia e kërkesës së brendshme dhe të huaj, problemet në zinxhirët e furnizimit dhe në qarkullimin e punonjësve ishin arsyet e raportuara nga bizneset si përgjegjëse për rënien e aktiviteteve në prodhim dhe shërbime, në reduktimin e punësimit dhe në përkeqësimin e gjendjes financiare.

Nga ana e tyre, Banka e Shqipërisë thekson se konsumatorët u bënë më pesimistë për të ardhmen, të ndikuar kryesisht nga pritjet negative për punësim, ndërkohë që kujdesi i shtuar në kryerjen e shpenzimeve u pasqyrua tek vlerësimet e tyre në rënie për blerjet e mëdha. Por, me lehtësimin gradual të masave, besimi i agjentëve ekonomikë erdhi në përmirësim dhe arriti të rikuperojë pothuaj 85% të rënies së shënuar në tremujorin e dytë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of