BSH: Emigrantët sollën 1.3 miliardë euro në 2018-n, mbajnë me bukë 200 mijë familje shqiptare

18/06/2019 9:44 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Rreth 1.2 milionë individë shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë, sjellin në Shqipëri 1.3 miliardë euro në vit në formën e remitancave në vitin 2018, nga të cilat 927 milionë euro vijnë në formën e transfertave personale dhe 309 milionë euro nga të ardhurat nga puna.

Në kahun tjetër, flukset dalëse janë 97.5 milionë euro, duke mbetur në Shqipëri 1.23 miliardë euro, një shumë që është gati 8% më e lartë në raport me një vit më parë, sipas shifrave të publikuara nga Banka e Shqipërisë në një material të posaçëm të përgatitur për remitancat.

Remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare. Dërgesat nga jashtë përbëjnë 90% të të ardhurave familjare të marrësve.
Pra në total, nga rreth 770 mijë familje që janë në Shqipëri, rreth 200 mijë prej tyre e sigurojnë mbijetesën përmes të ardhurave që marrin nga të afërmit e tyre që jetojnë e punojnë jashtë.

Remitancat përbëjnë fluksin më të madh hyrës në ekonominë shqiptare, duke lënë pas Investimet e Huaja Direkte dhe eksportet. Ato kanë qenë fluksi financiar më i qëndrueshëm dhe më i sigurt në ekonominë shqiptare, në vite, thotë banka. Ato kontribuojnë pozitivisht në arsimim, shëndetësi, investime, si dhe në uljen e varfërisë. Remitancat nxisin përfshirjen financiare të popullatës, e cila ndikon në rritjen e mirëqenies, reduktimin e pabarazisë në vend dhe fuqizon rritjen ekonomike, thotë Banka në raport.

Numri i emigrantëve është rreth 1.19 milionë individë, kurse në Europë ndodhen 90% e emigrantëve;
Emigrantët e përhershëm përbëjnë 80% të totalit (shifër kjo që është mbi mesataren rajonale);
Remitancat janë 1,237 milionë euro; – nga vendet europiane 1,099 milionë euro, duke përbërë 9% të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Kanalet e dërgesave

  • 57% dërgohen përmes MTO-ve- Operator i transferimit të parave (dukshëm mbi mesataren rajonale, 40%);
  • 39% dërgohen fizikisht (mesatarja rajonale 23%);
  • një pjesë mjaft e vogël vjen përmes sistemit bankar, 4% (mesatarja e rajonit 7%).

Tipologjia e dërguesve dhe marrësve

  • 52% e dërguesve i përkasin moshave 30-44 vjeç,
  • 71% e dërguesve janë meshkuj dhe 60% I përkasin emigracionit të përhershëm,
  • dërgesat nga jashtë përbëjnë 90% të të ardhurave familjare të marrësve,
  • rreth 1/3 e familjeve i përdorin për shpenzime bazë (ushqime dhe barna),
  • rreth 41% e marrësve i kursejnë një pjesë të dërgesave,
  • 86% e familjeve marrëse i sigurojnë dërgesat nga 1 person i vetëm në emigracion,
  • 32% e këtyre familjeve marrin dërgesa prej mbi 10 vjetësh.

40% e popullsisë mbi 15 vjeç të vendit disponon llogari bankare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of