BSH: Euroizimi i sektorit bankar ra në 2020, por mund të ketë ndikuar pandemia

22/02/2021 10:00 AM 0 komente

Euroizimi i sektorit bankar ka shënuar rënie në gjysmën e dytë të vitit 2020.

Në analizën periodike të ecurisë së treguesve që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se pjesa më e madhe e treguesve që lidhen me veprimtarinë bankare, kanë njohur përmirësim, duke sinjalizuar një përdorim më të ulët të valutës së huaj brenda sistemit.

Depozitat në valutë dhe kredia në valutë në raport, përkatësisht, me totalin e depozitave dhe kredive, kanë shënuar rënie në nivelet më të ulëta historike. Depozitat në valutë ndaj totalit të depozitave të klientëve shënuan nivelin 50.9%, krahasuar me 52% që ishin në fund të qershorit 2020 dhe 51.7% një vit më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 50.4% e portofolit të kredive është në valutë dhe kjo peshë është 2.3 pikë përqindje më e ulët se ajo e fundit të qershorit 2020. Gjatë periudhës, pesha e kredisë në valutë ka pësuar rënie në shumicën e bankave të sektorit, gjë që reflektohet në një vlerë më të ulët të mesatares. Po ashtu, rënie kanë shënuar edhe vlerat minimale e maksimale të treguesit sipas bankave, duke shënuar përkatësisht nivelet 34.6% dhe 77.2%. Megjithatë, për shumicën e bankave, kjo peshë vijon të jetë mbi nivelin mesatar të sektorit, duke i treguar ato më të ekspozuara ndaj luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit.

Raporti i kredive në valutë të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit ndaj totalit të kredive në valutë është rritur lehtë. Kreditë e pambuluara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit përbëjnë 42% të kredive në valutë, ose 0.7 pikë përqindje më shumë se fundi i gjashtëmujorit të parë 2020. Rritja e këtij treguesi gjatë periudhës ka qenë e përqendruar, duke sugjeruar që nuk jemi përballë një ndryshimi të prirjes afatgjatë rënëse të tij.

Nëse vlerësohet vetëm ecuria e treguesve të sektorit bankar, duket sikur efekti i masave të zbatuara nga Banka e Shqipërisë është ndjerë gjatë vitit 2020. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nënvizon se viti 2020 përmban zhvillime të veçanta e të forta mbi ekonominë dhe sjelljen e familjeve e te bizneseve, të lidhura me situatën e pandemisë dhe veprimet për përballimin e saj, të cilat nuk lejojnë të arrihet në një konkluzion të qartë mbi prirjen e treguesve dhe efektivitetin e masave.

Për sa i takon borxhit publik, financimi i borxhit të qeverisë në valutë është rritur me ritme më të shpejta se ai në lekë, dhe si rezultat është ulur pesha e borxhit publik në monedhën vendase në nivelin 49.7%. Pavarësisht se huamarrja në valutë, edhe nga jorezidentët, mund të sjellë efekte pozitive në drejtimet e diversifikimit të portofolit, rritjes së disiplinës së imponuar nga tregu dhe uljes së kostos mesatare të financimit të borxhit, Banka e Shqipërisë vë në dukje se kjo i bën financat e qeverisë më të ndjeshme ndaj goditjeve të tregjeve dhe nevojave për valutë, si edhe ndaj lëvizjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit.

Njëkohësisht, rritja e detyrimeve në valutë mund të shoqërohet me rritjen e transaksioneve në valutë në ekonominë e vendit, duke mos mbështetur në këtë mënyrë përdorimin e monedhës kombëtare. Për këto arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron është e nevojshme që në vendimmarrjen për financimin e borxhit publik në valutë të merren në konsideratë në mënyrë të përshtatshme të gjitha mundësitë dhe rreziqet, duke balancuar nevojat afatshkurtëra me implikimet më afatgjata në politikat ekonomike./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of