BSH: Këmbimet e euros ranë me 9% vitin e kaluar, besimi i publikut te Leku është rritur

05/02/2021 10:06 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Në një intervistë për revistën “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros gjatë vitit 2020 ishte i qëndrueshëm, i shprehur jo vetëm në nivelin e kursit, por edhe në spread-et e aplikuara nga agjentët dhe në luhatshmërinë e tyre.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, kriza solli rënie të njëkohshme të kërkesës dhe ofertës për valutë dhe volumi i këmbimeve pësoi rënie me 9% krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë nënvizon se tregu vendas ka fituar pjekuri dhe po reagon në mënyrë më të përmbajtur ndaj zhvillimeve të papritura.

Vitin e kaluar, nuk u vërejtën zhvendosje portofoli nga monedha vendase në ato të huaja, një reagim tipik që ka shoqëruar goditjet në ekonomi në të kaluarën. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo reflekton rritjen e besimit të agjentëve ekonomikë dhe të publikut të gjerë në monedhën vendase.

 

Si e vlerësoni ecurinë e kursit të këmbimit të Lekut me Euron dhe me valutat kryesore të huaja vitin e kaluar?

Ecuria e kursit të këmbimit kundrejt Euros ka qenë e qëndrueshme në vitin 2020, aq më tepër gjykuar në kontekstin e goditjes me të cilën ekonomia jonë u përball që në fillim të tij. Gjatë këtij viti, Euro është tregtuar me mesatarisht 123.8 lekë/euro, kundrejt mesatares prej 123.0 lekë/euro në vitin 2019, me një mbiçmim prej 0.7%. Qëndrueshmëria ka karakterizuar jo vetëm nivelin e kursit të këmbimit, por edhe treguesit teknikë që masin stresin dhe primet e rrezikut e të pasigurisë në të, siç janë spread-et e tregtimit dhe luhatshmëria.

 

BURIMI: BSH

 

Ecuria e Dollarit Amerikan në tregun vendas ka reflektuar dobësimin e tij kundrejt Euros në tregun ndërkombëtar, ku kursi Eur/USD u rrit nga niveli 1.12 USD/euro në fillim të vitit, në 1.22 USD/euro në fund të tij. Dollari Amerikan është dobësuar me 7.1% në këmbimin me lekun, prej rreth 108.5 lekë fund të vitit 2019 në rreth 100.8 lekë në fund të vitit 2020, duke shënuar nivelet më të ulëta prej muajit mars 2014.

Përjashtim nga kjo ecuri bën goditja e fundit të muajit mars, me përhapjen e pandemisë në vend, e cila solli një nënçmim të dukshëm të lekut. Ky episod ishte gjithsesi afatshkurtër, falë edhe reagimit të shpejtë dhe të përshtatshëm të Bankës së Shqipërisë, dhe tregu u rikthye në normalitet brenda muajit prill.

 

Pse, në gjykimin tuaj, kriza nuk solli nënçmim të monedhës vendase në kursin e këmbimit me euron?

Ecuria e faktorëve makroekonomikë pas goditjes nga pandemia diktoi një rënie të njëkohshme të ofertës dhe të kërkesës për valutë, çka përcaktoi qëndrueshmërinë e lekut në një nivel vetëm lehtësisht më të ulët krahasuar me një vit më parë. Mbyllja e ekonomisë sonë dhe e vendeve partnere shkaktoi rënie të shkëmbimeve tregtare, që u materializua fillimisht në suficit të balancës tregtare.

Nga ana tjetër, ndonëse flukset e turizmit rezultuan më të pakta, as llogaria kapitale dhe as ajo financiare nuk pësuan goditje të mirëfilltë, duke përmbushur nevojat për financim të huaj të ekonomisë. Së fundi, edhe tregu vendas ka fituar një nivel pjekurie vitet e fundit, duke reaguar në mënyrë më të përmbajtur ndaj zhvillimeve të papritura dhe duke ulur inercinë e këtyre reagimeve. Kjo reflekton rritjen e besimit të agjentëve ekonomikë dhe të publikut të gjerë në monedhën vendase – gjatë këtij viti nuk u vërejtën zhvendosje portofoli nga monedha vendase në ato të huaja, një reagim tipik ky që ka shoqëruar goditjet në ekonomi në të kaluarën.

 

Cilët ishin faktorët që amortizuan efektin e krizës në kursin e këmbimit valutor?

Sikurse u përmend më lart, kërkesa dhe oferta për valutë gjatë vitit që lamë pas rezultoi e balancuar. Suficiti i bilancit tregtar në pjesën më të madhe të vitit, si dhe hyrjet e valutës për financimin e shpenzimeve të shtuara të qeverisë nëpërmjet eurobondit dhe huamarrjes nga FMN, ishin faktorët kryesorë që ndikuan në mospasjen e një goditjeje të qëndrueshme në vlerën e lekut. Nga ana tjetër, një treg më i konsoliduar/pjekur krahasuar me periudhat e mëparshme në të cilat kemi pasur goditje, ndihmoi në reagime të përmbajtura me natyrë psikologjike.

 

BURIMI: BSH

 

Nga informacionet tuaja, cilat kanë qenë volumet mesatare të këmbimit të Euros në vitin 2020 dhe sa kanë ndryshuar krahasuar me vitin 2019?

Tkurrja e aktivitetit ekonomik vendas si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia, u reflektua dhe në rënie të vëllimeve të këmbimit në 2020, që ishin rreth 9% më të ulëta në raport me 2019.

Në muajin dhjetor, Këshilli Mbikëqyrës miratoi një rregullore të re për ndërhyrjet në tregun valutor. Cilat janë risitë kryesore që sjell rregullorja e re dhe pse lindi nevoja për këto ndryshime?

Rregullorja e re “Për procedurat e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm të këmbimeve valutore”, e miratuar me vendim të KM të BSH në datën 16.12.2020, dhe e hyrë në fuqi në datën 07.01.2021, synon që t’i bëjë më transparente dhe më të parashikueshme veprimet e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor. Ky synim është në përputhje edhe me politikën e Bankës për të qenë sa më transparente me veprimet e saj në funksion të arritjes së objektivave të saj. Gjithashtu, kjo rregullore krijon incentiva për zhvillimin e mëtejshëm të tregut vendas valutor SPOT dhe atij FORWARD. Rregullorja në variantin final është fryt i diskutimeve të gjata dhe të vazhdueshme me bankat vendase dhe me FMN. Më konkretisht, ndryshimet kryesore janë:

• Riformulim të objektivit të tretë të ndërhyrjes së Bankës se Shqipërisë në funksion të arritjes së objektivave kryesore të saj. Rikonceptimi i ndërhyrjes për këtë objektiv parashikon që Banka të ndërhyjë në situata të veçanta në tregun e brendshëm valutor, kur vlerësohet cenimi i arritjes së objektivit të politikës monetare apo të stabilitetit financiar.

• Kemi riformatim të mënyrës së organizimit të ankandeve që do të realizohen nga ana e Bankës së Shqipërisë. Ankandi sanksionohet si formë e vetme e realizimit të ndërhyrjes për blerje/shitje në tregun valutor në funksion të objektivit që banka ka për nivelin e rezervës valutore. Kjo heq mundësinë e befasimit të tregut valutor me ndërhyrje të drejtpërdrejtë në rastin e ecurisë jo të mirë të ankandeve.
Gjithashtu, janë bërë përmirësime në formatin e lajmërimit të skedulit vjetor të ankandeve dhe në modalitetet e zhvillimit të tij, duke synuar rritjen e transparencës, standardizimin e veprimeve, si dhe rritjen e fleksibilitetit e bankave gjatë ankandit të organizuar nga Banka e Shqipërisë.

• Së fundi, po në funksion të zhvillimit të tregjeve financiare, element i ri i rëndësishëm i kësaj rregulloreje është edhe kryerja e ankandeve të formës FORWARD me bankat e nivelit të dytë, krahas ankandeve të formës SPOT që organizohen aktualisht, ku bankat e nivelit të dytë do të nxiten të marrin hapa edhe në drejtim të zhvillimit të tregut të parasë.

 

Cilat janë objektivat tuaja lidhur me nivelin e rezervës valutore për vitin 2021?

Në përputhje me politikën e saj monetare, Banka e Shqipërisë synon të mbajë një nivel rezervash valutore të mjaftueshëm për të garantuar aftësinë paguese të vendit në periudhë afatshkurtër, si dhe për të zbutur goditjet në ekonominë reale.

Ky është objektivi strategjik i mbajtjes së rezervës valutore, i cili përkthehet në sigurimin e një niveli rezervash të mjaftueshëm për të mbuluar të paktën: 4 muaj importe; 100% të borxhit afatshkurtër të vendit.
Në këtë kuadër, Banka analizon, në mënyrë periodike, nivelin e mjaftueshmërisë së rezervës valutore, me qëllim identifikimin në kohë të veprimeve që duhen ndërmarrë për të siguruar përmbushjen e objektivave të mbajtjes së saj.

 

Sa valutë parashikoni të blini këtë vit dhe si prisni ta ndikojë tregun rifillimi i ankandeve për blerjen e valutës?

Në fund të muajit dhjetor, Banka e Shqipërisë publikoi skedulin e ankandeve për blerje valute në funksion të objektivit të rritjes së rezervës së saj valutore. Gjatë këtij viti janë parashikuar të organizohen 14 ankande me shumë të shpallur 4-6 milionë euro secili.

Formati i ri i ankandit krijon kushte për tregtim më të madh të bankave pas ankandit, zhvillim pozitiv në drejtim të rritjes së likuiditetit në tregun ndërbankar dhe përmirësim të procesit të zbulimit të çmimit “price discovery”. Në çdo rast, vendimi i Bankës së Shqipërisë për mjaftueshmërinë e rezervave valutore dhe organizimi i ankandeve për blerjen apo shitjen e valutës nuk synon të ndikojë stabilitetin dhe nivelin e kursit të këmbimit.

 

Si e parashikoni ecurinë e kursit të këmbimit të Lekut me Euron dhe valutat kryesore të huaja në vitin 2021?

Pritjet tona janë që të kemi një stabilitet në tregun e brendshëm valutor ose, thënë ndryshe, ne presim që të gjithë operatorët e tregut të tregtojnë normalisht në të dyja krahët e tregtimit në këtë treg. Ndërsa, për sa i përket nivelit të tregtimit, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, do të jetë vetë tregu që do ta përcaktojë në funksion të kërkesës dhe ofertës në valutë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of