Zgjerimi i vazhdueshëm i kredisë për blerje banesash ka kompensuar ngadalësimin e shpejtë të kredisë për konsum mes familjeve shqiptare.
Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për individë ka shfaqur ngadalësim të vogël të ritmeve të rritjes gjatë tremujorit të pare të këtij viti. Kështu, zgjerimi i këtij portofoli prej 14.5% ishte 0.6 pikë përqindje më pak se rritja vjetore e shënuar gjatë vitit 2022.
Rritja e kredisë për individë ka vijuar të mbështet nga kredia hipotekare, e cila u rrit me 17.3% në tremujorin e parë në krahasim me një vit më parë.
Zgjerimi i kredisë së individëve këtë tremujor ishte e gjitha për financimin për blerje banese, duke reflektuar nga njëra anë rritjen e madhësisë së kredisë së kërkuar për financim në kushtet e rritjes së shpejtë të çmimeve të banesave dhe nga ana tjetër lehtësimin e kushteve të kreditimit të bankave në reflektim të konkurrencës së shtuar për klientët me të ardhura të larta.
Viti 2022 u karakterizua nga rritja e shpejtë e çmimeve të banesave, dhe nga një kërkesë e lartë e individëve për blerjen e tyre për qëllime investimi. Ndërkohë, bankat, në kushtet e konkurrencës së shtuar dhe për të adresuar pasigurinë e shkaktuar nga rritja e shpejtë e normave të interesit, prezantuan kredi hipotekare me norma fikse interesi për vitet e para në fund të vitit. Si pasojë e këtyre ofertave, zhvillimet e tremujorit të parë mbartën edhe kërkesën e shtuar.
Në ndryshim nga më parë, zgjerimi i kredisë hipotekare gjatë tremujorit të parë erdhi nga portofoli në valutë, duke ndikuar edhe në rritjen e peshës së kredisë hipotekare në euro me 1.2 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Rritja e kredisë në valutë ka qenë më e shpejtë se ajo në lekë, që ka ndjekur një tendencë ngadalësuese prej verës së vitit të kaluar. Normat e rritjes së saj janë ngadalësuar në 9.9% në tremujorin e parë nga niveli mesatar prej 13.4% në pjesën e dytë të vitit 2022.
Ky ngadalësim është kompensuar disi nga zgjerimi i shpejtë i kreditimit në valutë, e cila për njëjtën periudhë shënoi një rritje vjetore prej 22.8% krahasuar me 19% në gjashtë muajt e fundit të vitit 2022. Pavarësisht rritjes së shpejtë të kredisë në valutë, struktura e portofolit vijon të jetë e mbizotëruar nga kredia në lekë, e cila zë rreth 64.4% të totalit.
Ndërkohë, kredia konsumatorë ka shfaqur një ngadalësim të ndjeshëm të ritmeve të rritjes, ku rritja vjetore e saj prej 6%, është sa gjysma e rritjes mesatare të shënuar gjatë vitit 2022. Ngadalësimi i normave të rritjes së këtij portofoli, lidhet si me rritjen e shpejtë të normave të interesit, ashtu edhe me qarkullimin e shpejtë të tij, në reflektim të maturiteteve më afatshkurtra.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.