BSH: Kredia u përmirësua në tremujorin e katërt, ndikim dha një hua e madhe

12/02/2021 12:00 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Aktiviteti kreditues i bankave është përmirësuar në tremujorin e katërt, pavarësisht zbutjes së efektit të masave nxitëse, vlerëson Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare. Rritja mesatare vjetore prej 6.8% e tremujorit të katërt është pranë mesatares së vitit 2020 dhe asaj të një viti më parë.

Një ndikim të veçantë në këtë ecuri pati zgjerimi me 14 miliardë lekë i kredisë për sektorin privat në dhjetor, vlerë e ndikuar edhe nga efekti i një kredie specifike. Megjithatë, edhe duke përjashtuar këtë kredi, rritja e tremujorit të katërt të vitit 2020 është më e larta e viteve të fundit, duke ilustruar rolin aktiv të bankave në mbështetje të ekonomisë.

Ecuria e mirë e kredisë në tremujorin e katërt është mbështetur nga kredia për biznese, portofoli i së cilës u rrit me mesatarisht 7.2% në terma vjetorë. Ky zgjerim ka reflektuar përmirësimin e ritmeve të rritjes së kredisë për investime (në 10.7%) dhe ngadalësimin e kredisë për likuiditet (në 2.8%). Banka e Shqipërisë sqaron se zgjerimi i kredisë për investime është ndikuar veçanërisht nga një kredi specifike e muajit dhjetor. Dhënia e kësaj kredie në valutë ka ndikuar në rigjallërimin e kredisë në valutë. Kredia në lekë ka mbajtur të njëjtën normë rritjeje sikurse në tremujorin e tretë, prej 10.8%.

Po ashtu, kredia për individë ka ardhur në përmirësim. Norma vjetore e rritjes me 5.8% është lehtësisht më e lartë se në tremujorin paraardhës. Kredia për blerjen e banesave vijon të japë kontributin kryesor në këtë zgjerim, me një rritje vjetore mesatarisht prej 7.3%. Kjo rritje është në nivele të ngjashme me normat e rritjes gjatë vitit. Kredia konsumatore ka vijuar të rritet me mesatarisht 2.2%, por ritmet e rritjes së saj mbetën ndjeshëm më të ulëta se sa në fillim të vitit, në përgjigje si të dobësisë në konsum ashtu edhe të pasigurisë së shtuar nga pandemia.

Pavarësisht rritjes së lehtë në segmentin e bizneseve, normat e interesit të kredisë në lekë janë mbështetëse për rritjen e kreditimit. Norma mesatare e interesit të kredisë së re për biznese rezultoi mesatarisht 5.6% në tremujorin e katërt të vitit, nga 5.1% dhe 5.3% që ishte përkatësisht në tremujorin e dytë dhe të tretë të tij. Rritja e normave është regjistruar për të gjitha llojet e kredisë sipas madhësisë dhe është vërejtur në shumicën e bankave të sistemit, duke pasqyruar dhe përfundimin gradual të efektit të skemave të garancisë sovrane.

Megjithatë, në reflektim të politikës monetare lehtësuese, normat e interesit mbeten më të ulëta se niveli i vitit 2019. Për individët, normat kanë vijuar të jenë të favorshme edhe në tremujorin e fundit 2020. Interesi i kredisë ka shënuar rënie për kredinë hipotekare, në 4.2%, nga 4.5% që ishte në tre tremujorët e mëparshëm. Norma e interesit për kreditë konsumatore rezultoi 8.3%, duke konfirmuar qëndrueshmërinë gjatë vitit.

Norma e interesit për kreditë në euro për bizneset është rritur në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Ajo rezultoi 5.7%, nga 5.1% në tremujorin e tretë dhe 5.4% në gjysmën e parë të vitit. Për individët, ajo mbeti e qëndrueshme, në 4.1%, sa edhe në tremujorët e mëparshëm të vitit. Diferenciali i normave të interesit të kredisë së re në lekë me atë në euro ka mbetur minimal për kreditë për biznese dhe për kreditë hipotekore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of