Banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit, duke ndryshuar kahun e politikës monetare.
Shqetësimet e vazhdueshme inflacioniste e detyrojnë autoritetin qendror të marrë masa për të luftuar rritjen e çmimeve, duke qenë në të njëjtën linjë me bankat e tjera qendrore
BSh pranon: presionet nga inflacioni i importuar paraqiten më të larta sesa vlerësimet tona fillestare
Me inflacionin që në muajin shkurt e kaloi nivelin maksimal të objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 4%, kjo e fundit u detyrua të ndryshonte kahun e saj të politikës monetare, drejt shtrëngimit.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi javën e fundit të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas kësaj rritjeje, norma bazë e interesit shkon në nivelin 5.25 për qind.
Gjatë muajve të fundit, BSH i kishte qëndruar idesë se presionet inflacioniste në vend nuk ishin të qëndrueshme, duke e argumentuar kryesisht me zhvillimin ekonomisë vendase poshtë kapaciteteve të saj.
Por ndryshimet në tregjet globale ishin më të forta se dobësitë e ekonomisë vendase.
Sipas deklaratës së Bankës së Shqipërisë, gjallërimi i kërkesës botërore, problemet strukturore me ofertën, si dhe faktorë klimaterikë apo zhvillime gjeopolitike në rajone të caktuara, kanë çuar në rritjen e çmimeve të lëndëve të para dhe të mallrave bazë.
Kjo rritje çmimesh është bërë veçanërisht e ndjeshme për produktet bujqësore e agroindustriale, duke i risjellë indekset e tyre pranë rekordeve historike të shënuara në vitin 2008.
Për rrjedhojë, presionet inflacioniste janë shtuar dhe çmimet e konsumit kanë pësuar tendenca të forta rritëse.
“Këto zhvillime janë reflektuar edhe në ekonominë shqiptare. Nën ndikimin e fortë të rritjes së çmimeve në tregjet botërore, norma vjetore e inflacionit kërceu në nivelin 4.5 për qind në muajin shkurt,
duke sinjalizuar për një përcjellje më të madhe të presioneve inflacioniste në tregun e brendshëm. Ndërsa kahu i lëvizjes së inflacionit ishte i pritur dhe i komunikuar nga Banka e Shqipërisë, shpejtësia e rritjes së tij nuk ishte.
Në këndvështrimin e kompozimit të shportës, rritja e inflacionit në muajin shkurt u shkaktua nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të produkteve energjetike.
Në veçanti, inflacioni i ushqimeve të përpunuara dhe të papërpunuara është përgjegjës për rreth 70 për qind të inflacionit total, ndërsa rritja e çmimeve të administruara kontribuoi me 0.4 pikë përqindjeje në këtë inflacion.
Ndikimi i rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në inflacion është më i ndjeshëm në vendet në zhvillim, si Shqipëria, ku këto produkte kanë një peshë të konsiderueshme në shportë.
Nga ana tjetër, pesha e konsiderueshme bën që rritja e këtyre çmimeve të transmetohet edhe në rritjen e inflacionit bazë, inflacion i cili u rrit në 3.2 për qind në muajin shkurt, dhe të zhvendosë në kahun rritës pritjet inflacioniste në ekonomi.
Grupet e tjera të shportës kanë dhënë një ndikim më të vogël në inflacion, por kontributi i disa prej tyre ka ardhur në rritje”, thuhet në deklaratën e BSH-së.
Ndryshimi i kahut dhe sinjali i bonove
Kjo është hera e parë që prej nëntorit 2007, që Banka e Shqipërisë po shtrëngon politikën e saj monetare. Sidomos në periudhën 2009-2010, autoriteti qendror ka qenë më agresiv,
duke ulur normën bazë të interesit, në përgjigje të krizës globale financiare që goditi edhe vendin tonë. Ajo uli tre herë normat në janar 2009, tetor 2009 dhe në korrik 2010.
Ndonëse inflacioni ka shfaqur presione rritëse prej mëse tre muajsh, BSH hezitoi të reagonte më herët, në një kohë që yield-i (interesi) i bonove të thesarit, i cili shërben si referencë për normat e kredive ka filluar rritjen që prej janarit,
duke sinjalizuar për presionet në treg. Ndërkohë dhe shpenzimet në prag sinjalizojnë për presione inflacioniste në rritje, si rrjedhojë e shtimit të shpenzimeve publike dhe zgjerimit të deficitit buxhetor gjatë tre muajve të parë,
duke reflektuar dhe duke i paraprirë një pozicioni më stimulues të politikës fiskale në kërkesën agregate të vitit 2011, siç paralajmëron dhe BSH-ja.
Në përfundim BSH pranon se “rritja e shpejtë e inflacionit në muajin shkurt sugjeron se presionet nga inflacioni i importuar paraqiten më të larta sesa vlerësimet tona fillestare dhe efekti i tyre është duke u transmetuar më i plotë”,
çka nënkupton se dhe në një të ardhme të aftër nuk ka shumë shpresa për çmime më të lira.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.