Propozimi për të vendosur një normë tavan interesi për kredinë konsumatore synon mbrojtjen e klientëve të produkteve financiare. Në një prononcim për revistën “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se ndryshimet e propozuara mbështeten në praktikat më të mira të aplikuara në vendet e Bashkimit Europian për përcaktimin e kufizimeve të Normës Efektive të Interesit.
Megjithatë, Banka Qendrore shprehet e hapur që gjatë procesit të konsultimit të marrë në konsideratë propozime alternative nga institucionet financiare, nëse ato do të jenë në përputhje me objektivat e rregullores së re dhe do të lehtësojnë përshtatjen e institucioneve të mikrofinancës me frymën e ndryshimeve të propozuara.
Ju keni propozuar disa ndryshime në rregulloren “Për Kredinë Konsumatore dhe Hipotekore”, përfshi vendosjen e një norme maksimale interesi për kreditë konsumatore. Pse e keni ndërmarrë këtë propozim?
Në realizimin e këtyre ndryshimeve, synimi kryesor është përmirësimi i mëtejshëm i këtyre rregulloreve për të garantuar një transparencë më të madhe, si dhe mbrojtjen e klientit përdorues të shërbimeve dhe produkteve bankare e financiare të ofruara nga subjektet e licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë. Ndryshimet synojnë të adresojnë kryesisht disa problematika të evidentuara nga tregu, në lidhje me nivelin e normave të interesit, të komisioneve dhe të penaliteteve të aplikuara, sidomos nga subjektet jobanka, për produktet e kredisë konsumatore.
Nga ushtrimi i procesit të mbikëqyrjes (raportimet e subjekteve, ekzaminimet në vend, etj.), si dhe ankesat e klientëve, janë evidentuar raste të aplikimit të normave të larta efektive të interesit, të cilat kombinojnë norma interesi dhe komisione, duke shmangur, në disa raste, kërkesat aktuale rregullative për mbrojtjen e klientëve.
Mendoni se propozimi juaj ka një bazë solide ligjore, duke pasur parasysh se tregu financiar nuk është një treg nën rregullim ekonomik dhe huadhënia mes subjekteve private është një marrëdhënie e rregulluar nga Kodi Civil?
Baza ligjore e akteve rregullative në fjalë, në të cilat janë propozuar disa ndryshime, mbështetet në dispozitat e ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar (nenin 124, pika 8), si dhe ligji nr. 9902, datë 17.04.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i ndryshuar (neni 44 pika 4).
Këto dispozita rregullojnë detyrimet për transparencën me klientin dhe ngarkojnë Bankën e Shqipërisë të përcaktojë me akte nënligjore, kërkesa dhe kritere të tjera për mbrojtjen e tij, si dhe përveç sa parashikohet në ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, të nxjerrë aktet përkatëse për kredinë konsumatore.
Ekzistojnë precedentë apo modele të ngjashme me propozimin tuaj në vendet e BE-së apo më gjerë? Nëse po, cilët janë shembujt kryesorë?
Sigurisht që ekzistojnë precedentë të kësaj natyre. Problematika të ngjashme me ato që kemi hasur ne kanë pasur edhe vende të tjera europiane apo jo europiane. Ndryshimet rregullative të propozuara synojnë të përafrojnë standardet dhe praktikat më të mira të aplikuara në vendet e BE-së për përcaktimin e kufizimeve të Normës Efektive të Interesit (NEI), si një tregues gjithëpërfshirës i kostove të njohura të kredisë, duke u bazuar në llogaritjen e një mesatareje të tregut për këtë tregues.
Këto ndryshime marrin në konsideratë përvoja të vendeve (autoriteteve rregullatore homologe) të BE-së, si Franca, Belgjika dhe Portugalia, duke i përshtatur dhe duke marrë në konsideratë edhe specifikat e vendit dhe të sistemit bankar e financiar shqiptar, pjesë e të cilit janë institucionet – banka dhe subjekte financiare jobanka, – subjekte të zbatueshmërisë së këtyre kërkesave, si dhe veçoritë dhe llojet e produkteve dhe shërbimeve që ato ofrojnë për konsumatorin shqiptar.
Shihni rreziqe që vendosja e një norme interesi tavan të jetë precedent në kufizimin e lirisë së tregut dhe në dekurajimin e investimeve në sektorin financiar?
Banka e Shqipërisë, sikurse jemi shprehur më sipër, ka ndjekur disa praktika të mira në këtë drejtim nga vendet e BE-së, ndërkohë që legjislacioni shqiptar vjen në mbështetje dhe harmoni me këtë nismë. Në këtë mënyrë, vlerësojmë se nuk jemi në kushtet e kufizimit të lirisë së tregut, për më tepër kur liria e tregut duhet rivlerësuar brenda dimensionit që nuk cenon të drejtat e konsumatorit.
Ndryshimet synojnë të mbrojnë konsumatorin, nëpërmjet rregullimit të NEI-t që në shumë raste evidentohet sot në treg, në nivele të larta, dhe rëndon mbi konsumatorin, madje në raste të caktuara, ka krijuar edhe probleme sociale.
Nuk gjykojmë se këto ndryshime dekurajojnë investimet në sektorin financiar, pasi kjo nismë priret për të vendosur disa rregulla loje transparente në një zonë tregu dhe maksimalisht do të sjellë reduktim të pjesshëm të fitimit të institucioneve që veprojnë sot në treg. Në këtë kontekst, ne nuk synojmë mbirregullim, por ndërhyrje rregullative, që të sigurojë transparencë më të madhe ndaj konsumatorit.
Shoqëritë e mikrofinancës argumentojnë se një interes mesatar tavan, që përfshin edhe kredinë bankare, është i padrejtë, sepse bankat kanë kosto të fondeve më të ulët dhe akses në financim më të lehtë krahasuar me sektorin e mikrofinancës. Si do ta komentonit një argument të tillë?
Së pari, na duhet të themi që edhe vetë brenda sektorit të institucioneve të mikrofinancës ka dallime shumë të mëdha për sa u përket interesave. Së dyti, jemi në fazën konsultative të ndryshimeve të propozuara. Nëse nga ky sektor do të marrim propozime, të cilat shkojnë në të njëjtin drejtim me objektivin tonë, por njëkohësisht lehtësojnë edhe mënyrën e përshtatjes së institucioneve me këto ndryshime, sigurisht që ato do të merren në konsideratë.
Pavarësisht kësaj, në kuadër të këtyre konsultimeve, përpara miratimit të kësaj rregulloreje, mund të kemi një takim edhe me shoqëritë e mikrofinancës, siç është kërkuar nga to, për të diskutuar dhe për të argumentuar parashikimet e reja rregullatore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.