Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka përfshirë edhe monedhën kineze dhe atë australiane në valutat në të cilat mbahet rezerva valutore e vendit.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se ekspozimi në Dollar Australian dhe në Renminbi pasqyron vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për investimin e një pjese të rezervës sipas shportës së SDR-së së Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Rezerva valutore e vendit mbahet në pjesën më të madhe në Euro, që edhe edhe valuta e huaj me të cilën kryhen pjesa më e madhe e veprimeve tregtare dhe financiare të vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2020 Euro përbënte, 64.9% të rezervës valutore, e ndjekur nga Dollari Amerikan me 19%, SDR me 5.8%, Ari me 3.5%, Paundi britanik me 2.1%, Jeni japonez me 2%, Renmindi kinez me 1.5% dhe Dollari Australian me 1.5%.
Rezerva valutore është e investuar në aktive likuide, kryesisht me afat maturimi 0 deri në 3 vjet. Megjithatë, pesha e instrumenteve të borxhit me afat mbi 5 vjet, është rritur dhe përfaqëson rreth 7% të portofolit të rezervës në mbyllje të vitit, kundrejt rreth që zinte 1% në vitin 2019.
Ekspozimet sipas emetuesit ose kundërpalës në transaksion përfaqësohen nga qeveritë dhe bankat qendrore, me 68.7%, ndjekur nga agjencitë me10.1%, institucionet shumëpalëshe me 9.8%, banka dhe institucione të tjera financiare nga 9.0%, institucione të garantuara nga qeveritë.
Gjatë vitit 2020 u realizuan disa ndryshime në rregulloren “Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore” me qëllim kryesor përfshirjen në instrumentet e lejuara për investim të klasës së re të instrumenteve – obligacione të mbështetura në kredi hipotekare (Mortgage Backed Securities, MBS). Investimi në këtë klasë të re instrumenti financiar do të realizohet përmes Bankës Botërore në rolin e administratorit të jashtëm dhe do të shtrihet për një horizont kohor investimi përtej 1 vit, duke u bërë pjesë e transhit të investimit të rezervës valutore. Rregullorja “Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore” ka përcaktuar si objektiva parësorë të procesit të administrimit të rezervës likuiditetin dhe sigurinë. Sigurimi i të ardhurave nga administrimi i rezervës përfaqëson objektivin e tretë, përsa kohë nuk cenohen objektivat e likuiditetit dhe të sigurisë.
Në fund të vitit të kaluar, rezerva valutore e Shqipërisë kishte vlerën e 3.94 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore të vendit u rrit me 17.3% gjatë vitit të kaluar. Rezerva valutore është një instrument i rëndësishëm në mbështetje të politikës monetare, stabilitetit financiar dhe atij të kursit të këmbimit. Madhësia e rezervës valutore të vendit vlerësohet e kënaqshme në raport me objektivat kryesorë të saj, një nga të cilët është mbulimi i katër muajve importe. Mbështetur në të dhënat e tregtisë së jashtme për vitin 2020, vlera mesatare mujore e importeve ishte rreth 410 milionë euro. Vlera bruto e rezverës valutore në fund të vitit 2020 do të mjaftonte për të mbuluar rreth 9.6 muaj importe mallrash./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.