Përmirësimi i ekonomisë në gjysmën e parë të këtij viti ka dhënë një efekt pozitiv në tregun e kredisë konsumatore.
Një analizë e Bankës së Shqipërisë tregon se rritja e besimit konsumator, ndikuar nga pritjet më pozitive për situatën ekonomike në të ardhmen dhe një niveli më të ulët të pasigurisë rigjallëruan ndjeshëm kërkesën për kredi konsumatore. Nga ana tjetër, bankat ndoqën një përqasje mbështetëse në plotësimin e nevojave për konsum të familjeve. Ato lehtësuan më tej standardet e kreditimit dhe lëvruan rreth 15.6 miliardë lekë kredi të re konsumatore gjatë periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë para pandemisë, norma e rritjes e kredisë së re konsumatore shënoi vlerën prej 6.6%. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori bankar ka luajtur një rol pozitiv në mos amplifikimin e mëtejshëm të rënies së konsumit.
Kontributin kryesor në rigjallërimin e kredisë konsumatore, duke filluar që prej tremujori III 2020 e ka dhënë zgjerimi i kredisë së re për konsumin e mallrave të qendrueshëm. Rritja e kërkesës për financimin e blerjes së mallrave të qëndrueshme, si për shembull makina, pajisje shtëpiake, pajisjet elektronike etj. Por, ndërkohë, gjatë tremujorit të dytë 2021, për herë të parë që prej fillimit të pandemisë, edhe kredia për konsumin e mallrave jo të qendrueshëm dha kontribut pozitiv në rritjen e kredisë të re konsumatore, duke bërë që zgjerimi i portofolit të kredisë konsumatore të ketë bazë më të gjerë. Në fund të qershorit 2021, niveli i kredisë së re konsumatore është më i lartë krahasuar me flukset mesatare të kreditimit të periudhës para Covid-19 dhe Banka e Shqipërisë pret që vijueshmëria të jetë pozitive edhe për periudhat në vazhdim.
Në terma të kostos, bankat kanë vijuar të operojnë në një mjedis me norma interesi historikisht më të ulëta. Në gjysmën e parë të vitit 2021, normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore janë luhatur në nivele të ngjashme me periudhën e para pandemisë. Për sa i përket cilësisë së kredisë, kredia konsumatore ka nivele relativisht më të ulëta të kredive me probleme dhe ka dhënë historikisht kontribut minimal në rritjen e stokut total të kredive me probleme të sektorit bankar. Megjithatë, që prej fillimit të pandemisë, kreditë me probleme kanë shënuar një rritje te lehtë. Për kreditë konsumatore, ky raport ka shënuar vlerën prej 6.7% në fund të qershorit 2021, me një rritje vjetore prej 1.3 pikë përqindje. Potencialisht, përkeqësimi i situatës financiare të individëve si pasojë e pandemisë, mund të çojë në një materializim të mëtejshëm të rrezikut të kredisë për këtë segment. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se këto rreziqe mbeten të kontrolluara, për shkak të ekspozimit relativisht të ulët të sektorit bankar ndaj këtij segmenti krahasuar me totalin e kredive dhënë sektorit jofinanciar privat: në fund të qershorit 2021, kreditë konsumatore përbëjnë 11.8% të kredisë dhënë sektorit privat jofinanciar dhe vetëm 4.1% të aktiveve në bilancin e bankave të sektorit.
Ecuria e kredisë konsumatore gjatë vitit të fundit ka qenë e kushtëzuar nga zhvillimet e lidhura me pandeminë Covid19. Sipas BSH, tkurrja e ndjeshme e kredisë konsumatore menjëherë pas goditjes në ekonomi të shkaktuar prej pandemisë, reflektoi natyrën e saj prociklike, duke qenë se është një kredi që mbështet konsumin. Efektet negative kulmuan në fund të tremujorit të dytë të vitit 2020, kur pati një rënie rekord të konsumit (me -7.5%) dhe tkurrje të ndjeshme të kërkesës dhe ofertës për kredi konsumatore (flukset e reja u tkurrën me -39.7% në T2 2020), ndjekur në vijim nga një fazë rimëkëmbjeje graduale për të gjithë këta tregues.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.