BSH me plan rezervë për ekonominë

14/01/2016 9:55 AM 0 komente

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaron se nëse rritja ekonomike do të mbetet e ndrydhur, Banka do të ndërhyjë me politika të tjera përtej normës bazë për të stimuluar ekonominë.

Në një intervistë për Top Channel, Sejko tha se janë duke u vlerësuar disa opsione nga lehtësimi sasior e deri tek financimi i drejtpërdrejtë i bankave private për të kredituar ekonominë apo ndarje e riskut për kreditë e këqija.

Me Guvernatorin Gent Sejko bisedoi gazetari i Top Channel, Klodian Tomorri.

Intervista e plotë

TCH: Sapo kemi lënë pas një vit të vështirë për ekonominë. Cilat janë pritshmëritë? A do të jetë 2016-ta një vit më i mirë ekonominë, biznesin dhe individin?

Gent Sejko, Guvernator i BSH: Viti 2015 ka qenë një vit i vëshitrë, por në vlerësimet 11-mujore të muajit nëntor, shohim se 2015 ka patur disa rezultate pozitive. Pa hyrë në detaje shifrash presim që 2015 të ketë nivelin e rritjes së GDP prej 2.7 përqind, sa ç’ka qenë parashikimi i BSH, por edhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Për 2016 kemi një pritshmëri pozitive. Presim një rritje ekonomike mbi nivelin 3 përqind. Kjo do të vijë nga rritja e kërkesës dhe e konsumit të brendshëm, por edhe nga rritja e nivelit të investimeve të huaja. Në vitin 2015 kemi patur një rritje të nivelit të investimeve të huaja dhe presim të njëjtën gjë edhe për 2016. Presim gjithashtu edhe nga rritja e mbështetjes me financim me kredi nga ana e bankave të nivelit të dytë.

TCH: Banka e Shqipërisë është e angazhuar në seri lehtësimi të politikës monetare. Keni ulur normën bazë të interesit 14 herë me radhë dhe rezultatet kanë qenë deri diku të diskutueshme. A jeni duke shqyrtuar forma të tjera të lehtësimit të politikës monetare përtej atyre tradicionale?

Guvernatori Sejko: Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë ka dhënë efektet e saj. Ulja e normës së interesit ka ndikur në rritjen e portofolit të kredisë, por pritshmëritë tona janë më ambicioze. Kërkesa jonë është për një rritje ekonomike më të lartë se ajo e parashikuar, në mënyrë që edhe individët dhe bizneset ta ndjejnë efektin e kësaj rritjeje. Ne si Bankë e Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme marrim në analizë dhe studiojmë të gjitha mënyrat dhe format e tjera alternative për nxitjen e mundshme dhe formën e investimit dhe për gjallërimin e ekonomisë. Një nga këto forma është edhe lehtësimi sasior. Lehtësimi sasior për herë të parë është aplikuar nga Banka Qendrore Amerikane. Ne kemi një situatë me specifike pasi bankat kanë tepricë likuiditeti, pra nuk është se kanë nevojë për likuiditet. Sfida është për ta transferuar këtë likuiditet nga sektori i financiar në ekonomi. Nuk kemi dalë akoma me përfundime, jemi duke bërë analiza. Është herët për të dhënë. Në momentin që do të gjykojmë se do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë, qoftë me lehtësim sasior, që unë e shikoj pak më të komplikuar sepse nuk ka nevojë, qoftë me mekanizma ose instrumenta të tjerë përmes mekanizmave financiarë për të mbështetur kreditimin dhe investimet. Kjo do të bëhet e qartë kur të dalim me një përfundim, por nuk kemi përfunduar ende. Jemi në proces analizimi.

TCH: Kjo do të thotë që një opsion janë skemat e targetuara të kreditimit?

Guvernatori Sejko: Të gjitha opsionet janë në analizë. Edhe skemat e targetuara të kreditimit janë në analizë. Sigurisht që një nga synimet kryesore është rritja e kreditimit. Paralelisht ne monitorojmë edhe zhvillimin e ekonomisë, nëse do të kemi një ecuri të mirë të ekonomisë, një ecuri ose rritje e kreditimit nga ana e bankave nuk do të jetë e nevojshme që të bëjmë ndërhyrje. Nëse do të shohim që rritja ekonomike dhe kreditimi nuk ecin sipas parashikimit, atëherë ndërhyrja do të jetë e nevojshme.

TCH: Së bashku me Qeverinë ju keni hartuar një plan për reduktimin e kredive të këqija. Si është duke ecur ky plan dhe çfarë parashikoni me tej?

Guvernatori Sejko: Ky plan masash ka dhënë efekte. Unë jam i kënaqur të them që rënia e kredive me probleme në fund të vitit ishte nga niveli 25 përqind në nivelin 20 përqind dhe ne presim një rënie të vazhdueshme të kredive me probleme si rezultat i planit të masave. Ky plan masash ka konsistuar në fshirjen e kredive nga bilanci, por gjithashtu konsiston edhe në rikonstrukturimin e portofoleve që kanë projekte pozitive dhe optimiste për të ardhmen. Ne, së bashku me bankat e nivelit të dytë, jemi të orientuar kundrejt negociimeve dhe marrëveshjeve të shëndetshme të biznesit. Synojmë ata biznese që kanë projeksione pozitive dhe meritojnë të ristrukturohen dhe mbështeten për të ardhmen, sikurse duhen rivlerësuar nga bankat e nivelit të dytë me monitorimin e Bankës së Shqipërisë, edhe ato biznese që nuk kanë më shpresë dhe që nuk kanë të ardhme dhe që është e mira e vetë këtyre bizneseve për të ndaluar politikën e humbjeve të mëtejshme. Natyrisht që edhe kjo do të dojë kohën e saj. Ajo që ne shohim dhe gjykojmë pozitive është që ky plan masash po jep efekt dhe pritshmëritë janë që efekti të jetë pozitiv edhe në vitin 2016.

/ Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of