Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka kontribuar mesatarisht me 0.83 pikë përqindje në rritjen ekonomike gjatë tre viteve të fundit.
Një analizë e Bankës së Shqipërisë për ndikimin e politikës monetare gjatë katër viteve të fundit vlerëson gjithashtu se ndikimi mesatar në inflacion ka qenë afërsisht 0.7 pikë përqindje, ndërsa në kursin e këmbimit me 0.6 pikë përqindje.
Për të vlerësuar efektin e politikës monetare në rritjen e PBB-së dhe treguesit e tjerë makroekonomikë, Banka e Shqipërisë ka kryer disa ushtrime. Në ushtrimin e parë është vlerësuar efekti i politikës monetare në normat e interesit në monedhën vendase dhe, më tej, ndikimi i këtyre të fundit në aktivitetin ekonomik; në ushtrimin e dytë është përftuar ndikimi që politika monetare ka mbi kursin nominal të këmbimit; më tej, duke përdorur rezultatet e ndikimit të politikës monetare në aktivitet ekonomik dhe në kurs këmbimi është vlerësuar ndikimi i politikës monetare në inflacion.
Efekti pozitiv i politikës monetare në rritjen ekonomike është përcjellë nëpërmjet uljes së normave të interesit dhe kostos së shërbimit të borxheve ekzistuese, si dhe kreditimit të pandërprerë të ekonomisë. Nga analiza e BSH, ndonëse treguesit e ekonomisë reale janë përkeqësuar gjatë vitit 2020, efekti pozitiv i politikës monetare në ekonomi është përforcuar. Banka e Shqipërisë ka arritur në konkluzionin se, deri në tremujorin e tretë të vitit 2020, si rezultat i efektit pozitiv të politikës monetare stimuluese, aktiviteti ekonomik real në vend është rreth 3.7 p.p. më i lartë kundrejt një PBB-je alternative pa kontributin e politikës monetare. E thënë ndryshe, rënia e ekonomisë shqiptare vitin e kaluar do të kishte qenë shumë më e thellë, në mungesë të politikës monetare stimuluese të Bankës së Shqipërisë.
Kursi stimulues i politikës monetarë gjithashtu ka ushtruar presione nënçmuese mbi kursin e këmbimit, me një kontribut mesatar rreth 0.6 pikë përqindje në vit; kjo nënkupton se në mungesë të efektit të politikës monetare, leku do të ishte më vlerësuar me mesatarisht 0.6 pikë kundrejt valutave të tjera në kursin e këmbimit valutor.
Ndikimi pozitiv i politikës monetare stimuluese në rritjen ekonomike dhe në kursin e këmbimit ka gjeneruar, rrjedhimisht edhe presione të shtuara inflacioniste. Inflacioni vjetor për vitet 2017-2020 vlerësohet të jetë mesatarisht 0.7 pikë përqindje më i lartë si rezultat i ndikimit të politikës monetare. Intensiteti i ndikimit është përforcuar gjatë viteve 2019-2020, në mesatarisht 1 pikë përqindje, krahasuar me 0.2 pikë përqindje në vitin 2017. Sipas Instat, për vitin 2020 inflacioni mesatar rezultoi 1.6%; sipas vlerësimeve të BSH, në mungesë të stimulit monetar norma e inflacionit do të ishte vetëm 0.6%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.