BSH jep alarmin: Përdorimi i valutës së huaj në nivele të larta në sistemin bankar dhe në ekonomi mbetet një ndër dobësitë e ekonomisë shqiptare.
Masa për të zgjidhur handikapin. BSH heq remunerimin e rezervës së detyruar në valutë, për të nxitur bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve, duke favorizuar ndërmjetësimin në monedhën vendase
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%.
Në opinionin e Këshillit, kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit dhe për vazhdimin e stimulimit të aktivitetit ekonomik.
Ekonomia shqiptare vlerësohet nga Banka e Shqipërisë të ketë pasur një ecuri pozitive gjatë tremujorit të parë të vitit 2011.
Aktiviteti ekonomik vlerësohet në rritje, ndërkohë që balancat kryesore makroekonomike janë përmirësuar dhe primet e rrezikut e normat e interesit në tregjet financiare kanë rënë.
Rritja ekonomike gjatë vitit 2011 është mbështetur si nga kërkesa e huaj për mallrat shqiptare, ashtu edhe nga kërkesa e brendshme.
Ecuria e konsumit dhe e investimeve në vend mbetet e ngadaltë, përtej efektit sezonal që karakterizon tremujorin e parë.
Zgjerimi i shpejtë i eksporteve dhe rritja e moderuar e importeve kanë sjellë një përmirësim të deficitit tregtar, duke ndihmuar në balancimin e kërkesës dhe të ofertës për valutë dhe në ruajtjen e vlerës së monedhës vendase.
Presionet inflacioniste të gjeneruara nga kërkesa mbeten të kontrolluara, si pasojë e ekzistencës së kapaciteteve të lira në ekonomi dhe përmbajtjes së konsumit,
ndërkohë që rritja e çmimeve të importit ka qenë burimi kryesor i rritjes së çmimeve në vend.
Të dhënat e pjesshme që disponohen për konsumin privat, sugjerojnë një rritje të shpejtë të tij në terma vjetorë në tremujorin e katërt të vitit 2010.
Ndërkohë, të dhëna të pjesshme për tremujorin e parë, sugjerojnë për një kontribut të moderuar të konsumit në kërkesën agregate.
Vrojtimet e tremujorit të parë të vitit 2011 tregojnë se pasiguria për të ardhmen vlerësohet e lartë nga konsumatorët, duke ndikuar qëndrueshmërinë e rritjes së konsumit për periudhat në vazhdim.
Banka e Shqipërisë gjykon se në terma afatshkurtër konsumatori shqiptar ka hapësirë për adoptimin e një sjelljeje më racionale në drejtim të zgjerimit të konsumit.
Për sa i përket investimeve, vlerësohet se ecuria e tyre ka qenë më e qëndrueshme gjatë dy tremujorëve të fundit.
Rritja e kërkesës së jashtme për bizneset prodhuese, pritjet pozitive për kërkesën në disa sektorë prodhues dhe
lehtësimi i kushteve të financimit në tremujorin e fundit të vitit 2010 sinjalizojnë një vazhdimësi të kontributit pozitiv të investimeve private gjatë vitit në vazhdim.
Megjithatë, shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese mbetet i ulët, dhe situata e konsumit të brendshëm mbetet e paqartë duke sugjeruar se ekonomia vazhdon të operojë nën potencialin e saj.
Përdorimi i valutës së huaj në nivele të larta në sistemin bankar dhe në ekonomi mbetet një ndër dobësitë e ekonomisë shqiptare. Duke shprehur interesin e tij për të adresuar këtë problem,
në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori vendimin për heqjen e remunerimit të rezervës së detyruar në valutë.
Kjo masë, efektivisht do t’i nxisë bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve, duke favorizuar ndërmjetësimin në monedhën vendase.
Ritmi i kërkesës për para nga agjentët ekonomikë privatë dhe publikë është rritur. Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se zgjerimi monetar është në përputhje me kërkesën e sektorit privat të ekonomisë për para reale.
Ecuria e kredisë për sektorin privat ka qenë në linjë me sjelljen sezonale të saj në këtë periudhë të vitit, duke u rritur mesatarisht me 10.1% në terma vjetorë.
Edhe pse deri tani zhvillimet në kredi kanë qenë të ngadalta, ka shenja inkurajuese për një ecuri më të mirë të kredisë në të ardhmen.
Kërkesa e sektorit privat për kredi, niveli i ulët i së cilës ka qenë edhe pengesa kryesore në gjallërimin e kredisë, është rritur në tremujorin e parë të vitit dhe pritet të rritet edhe në tremujorin e ardhshëm.
Sistemi bankar gëzon shëndet dhe likuiditet të mirë për të mbështetur rritjen e kërkesës për kredi, madje edhe me kushte më të mira kreditimi.
Banka e Shqipërisë mbështet iniciativat e bankave për të pastruar bilancet, duke synuar rritjen e transparencës dhe krijimin e fondeve të lira për të mbështetur aktivitetin kreditues.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.