BSH: Tërmeti zbeh pritjet për rritjen ekonomike, ja tre sfidat e këtij viti

18/01/2020 10:04 PM 0 komente

Për vitin 2020, Banka e Shqipërisë gjykon se inercia pozitive e rritjes ekonomike do të tejkalojë pasojat negative, që mund të vijnë nga tërmeti. Kjo do të thotë se, edhe duke testuar skenarë relativisht ekstremë të këtyre goditjeve, norma e rritjes ekonomike pritet të mbetet në territor pozitiv, analizoi Banka e Shqipërisë në një intervistë të posaçme për “Monitor. Banka gjykon se efektet negative të tërmetit pritet të shoqërohen me një hezitim afatshkurtër për konsum dhe investime në zonat e prekura direkt prej tij, dhe potencialisht me një reduktim të fluksit të turistëve, pjesërisht si pasojë e dëmtimit të infrastrukturë, dhe pjesërisht si pasojë e efekteve negative psikologjike që mund të ketë tek turistët e huaj. Përkundrejt tyre, programi i rindërtimit të zonave të dëmtuara pritet të gjenerojë një impuls pozitiv në drejtim të rritjes së vëllimit të aktivitetit ekonomik.

Në terma të stabilitetit makroekonomik, efekti më i dukshëm i tërmetit do të jetë një reduktim më i ngadaltë i borxhit publik në horizontin kohor 2-3 vjeçar, ndërkohë që treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare të vendit shfaqen relativisht imunë kundrejt tyre.

Sipas Bankës së Shqipërisë sfida më e madhe e vitit 2020 do të jetë zbatimi sa i shpejtë dhe sa më efektiv i programit të rindërtimit.

BSH gjykon se këtë vit vëmendja e politikëbërse dhe sektorit privat duhet të përqendrohet në tre drejtime kryesore. Së pari, Shqipëria ka nevojë për konsolidimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë së saj financiare. Së dyti, Shqipëria ka nevojë për një strukturë ekonomike më të diversifikuar dhe më konkurruese dhe së treti, Shqipëria duhet të fillojë të përballet me trendet e pafavorshme demografike.

 

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2019?

Viti 2019 do të mbetet gjatë në kujtesën tonë kolektive nga tërmeti i datës 26 nëntor. Kjo fatkeqësi natyrore, e cila nuk kurseu as jetë njerëzish, vendos në perspektivë gjykimin mbi ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2019 dhe projeksionet për të ardhmen.

Megjithatë, edhe përpara tërmetit, 2019-a ishte një vit sfidash për ekonominë shqiptare.

Në planin e jashtëm, aktiviteti ekonomik në vendet e Bashkimit Evropian erdhi në ngadalësim, duke pasqyruar tensionet tregtare në ekonominë botërore, sfidat industriale në disa prej vendeve të saj kryesore, si dhe problemet e brendshme strukturore dhe politike. Në përgjigje të tyre, Banka Qendrore Evropiane vendosi të rikthejë instrumentet jokonvencionale të stimulit monetar, por hapësirat për stimulin e nevojshëm fiskal mbeten të ulëta, ndërkohë që problemet ekonomike dhe kostot e reformave strukturore i kanë hapur rrugë rritjes së populizmit.

Në planin e brendshëm, klima e tensionuar politike nuk favorizoi rritjen e konsumit dhe të investimeve private, ndërkohë që rënia e prodhimit të energjisë elektrike ilustroi ekspozimin e lartë që kanë ekonomia shqiptare dhe shëndeti financiar i sektorit  energjetik ndaj kushteve të motit.

Këto goditje nuk cenuan ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit. Megjithatë, ato lanë gjurmë në ekonominë shqiptare, kryesisht në formën e ngadalësimit të ritmit të rritjes ekonomike, dhe nënvizuan rëndësinë e zgjerimit e diversifikimit të mëtejshëm të burimeve të rritjes. Ekonomia shqiptare vijoi të rritet në vitin 2019. Të dhënat e INSTAT-it, tregojnë se rritja ekonomike e nëntë muajve të parë të vitit qëndroi në vlerën 2.9%. Profili i rritjes u karakterizua nga një ngadalësim në gjysmën e parë të vitit, kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit të energjisë elektrike, dhe një përshpejtim i saj në tremujorin e tretë, kryesisht si rrjedhojë e sezonit të mirë turistik. Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e eksportit të shërbimeve, ku spikat trendi pozitiv i sektorit të turizmit. Ky kompozim kërkese ushqeu kryesisht rritjen e sektorit të shërbimeve dhe degë të caktuara të industrisë.

Zgjerimi i kërkesës agregate solli rritjen e punësimit e të pagave, si dhe ndihmoi në përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve. Në veçanti, vlen të theksohet se norma e papunësisë zbriti në nivelin 11.4% në tremujorin e tretë të vitit, duke regjistruar dhe nivelin më të ulët historik të saj. Këta tregues sugjerojnë se ekonomia shqiptare është duke lëvizur më afër ekuilibrit, çka pritet të pasqyrohet dhe në kthimin gradual të inflacionit në objektiv brenda dy viteve të ardhshme.

Përtej treguesve të agreguar të rritjes ekonomike, të punësimit dhe të inflacionit, ecuria përgjithësisht pozitive e ekonomisë lexohet dhe në përmirësimin e treguesve kryesorë të shëndetit të saj të brendshëm e të jashtëm financiar. Më konkretisht:

Procesi i konsolidimit fiskal ka vijuar dhe gjatë vitit 2019. Megjithëse viti nuk është mbyllur ende, projeksionet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë tregojnë se borxhi i publik pritet të bjerë nga 67.7% e PBB-së në 65.5% të saj. Reduktimi i borxhit publik ka ndihmuar dhe vijon të ndihmojë në uljen e kostos së financimit të sektorit publik dhe privat, si dhe rrit hapësirën fiskale për përballimin e goditjeve të papritura, siç ishte tërmeti i datës 26 nëntor.

Pozicioni i jashtëm i vendit u përmirësua më tej gjatë vitit 2019. Borxhi i huaj i sektorit publik dhe privat ra në 61.7% të PBB-së në tremujorin e tretë, kundrejt nivelit 64.7% të PBB-së së regjistruar një vit më parë. Një pozicion më i qëndrueshëm i jashtëm i vendit ndihmon në uljen e kostove të financimit dhe në nxitjen e investimeve të huaja direkte. Në veçanti, vlen të theksohet se këto investime vijuan të qëndrojnë në nivele të larta edhe gjatë vitit 2019. Ato regjistruan nivelin 8% të PBB-së gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, një vlerë kjo e krahasueshme me të njëjtin nivel një vit më parë.

Shëndeti financiar i sektorit privat ka vijuar të përmirësohet. Kjo ecuri ilustrohet nga reduktimi i nivelit të kredive me probleme, reduktim ky i cili i dedikohet pjesërisht përmirësimit të aftësisë paguese të vendit. Po ashtu, ai ilustrohet nga gjendja e qëndrueshme e likuiditetit të biznesit dhe nga rritja me rreth 8.5% e të ardhurave të tatimit me fitimin.

Së fundi, stabiliteti financiar i vendit është forcuar më tej. Treguesit kryesorë të funksionimit të sektorit bankar: likuiditeti, kapitali dhe përfitueshmëria, tregojnë një sektor të shëndetshëm, të sigurt dhe të aftë të ushtrojë funksionin e ndërmjetësimit financiar.

Kjo ecuri pasqyron dhe efektin e politikës sonë monetare stimuluese, si dhe kujdesin që kemi ushtruar në mbikëqyrjen, kontrollin dhe reformimin e sektorit bankar.

Stimuli i fortë monetar që kemi gjeneruar nëpërmjet ruajtjes së normës bazë të interesit në nivele minimale, ka ulur koston e financimit dhe ka nxitur kërkesën për kredi të sektorit privat. Kredia për këtë sektor u rrit me pothuaj 8% gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit, duke shfaqur një shpërndarje më të gjerë sektoriale dhe një rritje të peshës se kredidhënies në lekë. Paralelisht me stimulin monetar, kujdesi dhe investimi që kemi bërë në drejtim të konsolidimit të sektorit bankar, në drejtim të adresimit të kredive me probleme dhe në drejtim të reduktimit të rrezikut të kreditit, kanë përmirësuar më tej ofertën e sektorit bankar dhe kanë nxitur një mbështetje më të mirë me fonde të ekonomisë.

Paralelisht me arritjet pozitive, goditjet që pësuam gjatë vitit 2019 ofrojnë mundësinë e nxjerrjes së një sërë mësimesh të vlefshme për të ardhmen.

Së pari, shoqëria shqiptare duhet të bëhet e ndërgjegjshme se tensionimi i skajshëm i situatës politike indukton pasiguri te sektori privat dhe shkëput vëmendjen e administratës publike nga reformat e nevojshme strukturore. Të dy këto momente kanë kosto, në formën e konsumit dhe investimeve të munguara apo në formën e vonesave në procesin e konvergjencës, për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

Së dyti, ekonomia shqiptare vijon të ketë një bazë relativisht të ngushtë prodhuese, çka e ekspozon atë ndaj goditjeve që pësojnë sektorë të caktuar të saj. Më konkretisht, reduktimi i prodhimit të energjisë elektrike ndikoi në ngadalësimin e ritmit të rritjes dhe në përkeqësimin e bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë gjatë vitit 2019. Mësimi që duhet të nxjerrim është i dyanshëm. Nga njëra anë, politikëbërësit publikë dhe privatë nuk duhet të mbi-interpretojnë goditjet e ofertës, për sa kohë ato mbeten kalimtare. Kjo vlen si për goditjet pozitive, ku efekti kalimtar në rritje nuk duhet interpretuar si një trend virtuoz afatgjatë, ashtu dhe për goditjet negative, ku efekti negativ në treguesit makroekonomikë nuk duhet interpretuar si katastrofë. Nga ana tjetër, ne duhet të punojmë më shumë për rritjen e imunitetit të ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve. Kjo duhet të realizohet si nëpërmjet rritjes së eficiencës dhe produktivitetit sektorial, ashtu dhe nëpërmjet diversifikimit të bazës prodhuese dhe hapjes së tregjeve e industrive të reja.

Së treti, goditjet negative të vitit 2019 ilustruan nevojën për reduktimin e borxhit publik dhe forcimin e rrjeteve të sigurisë së vendit. Një pozicion i qëndrueshëm buxhetor mundëson gjenerimin e fondeve për mbulimin e katastrofave dhe të ngjarjeve të pafavorshme, si dhe rrit kredibilitetin e qëndrueshmërisë financiare të vendit në sytë e investitorëve vendas dhe të huaj.

Së fundi, me gjithë suksesin e munguar në raundin e radhës për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, politikëbërësit publikë dhe privatë duhet të vijojnë të jenë të ndërgjegjshëm se anëtarësimi në këtë klub është instrumenti më i mirë i rritjes dhe zhvillimit të vendit. Kuadri i reformave strukturore që kërkon ky proces nuk duhet kuptuar si një kosto formale anëtarësimi, por si një investim në zhvillimin e vendit për të ardhmen.

 

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë në 2020 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm (sidomos tërmeti i 26 nëntorit) dhe të jashtëm në stabilitetin ekonomik të vendit?

Për arsye të pasigurisë, që sjell vlerësimi i plotë e i saktë i dëmeve të tërmetit dhe reagimi i ekonomisë ndaj tyre, gjenerimi i parashikimeve ekonomike të sakta dhe të besueshme për vitin 2020 është një proces tejet i vështirë dhe që kërkon kohë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se politikëbërësit operojnë në kushtet e pasigurisë totale. Përkundrazi, mendoj se që tani ne disponojmë një aparat analitik të mjaftueshëm për gjenerimin e skenarëve të mundshëm të ecurisë së ekonomisë dhe për orientimin e politikave tona.

Lidhur me pritjet për vitin 2020, në përputhje të plotë dhe me prononcimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë gjykon se premisat e rritjes dhe të zhvillimit të vendit në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë mbeten pozitive. Bilancet financiare të biznesit dhe familjeve janë mjaftueshmërisht të shëndetshme për të ushqyer rritjen, stabiliteti monetar dhe financiar i vendit është i qëndrueshëm, ambienti makroekonomik është i favorshëm, dhe sektori bankar shfaqet në gjendje dhe i interesuar për të financuar zgjerimin e konsumit dhe investimeve private. Po ashtu, ne presim që trendi i rritjes ekonomike në afatin e mesëm dhe të gjatë të jetë pozitiv, duke ndihmuar në rritjen e punësimit dhe të pagave, në kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv.

Për vitin 2020, Banka e Shqipërisë gjykon se inercia pozitive e rritjes ekonomike do të tejkalojë pasojat negative që mund të vijnë nga tërmeti. Kjo do të thotë se, edhe duke testuar skenarë relativisht ekstremë të këtyre goditjeve, norma e rritjes ekonomike pritet të mbetet në territor pozitiv. Rritja ekonomike do të pritet të vijojë të pasqyrojë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, me një kontribut të shtuar nga eksporti i mallrave. Nga ana tjetër, efektet negative të tërmetit pritet të shoqërohen me një hezitim afatshkurtër për konsum dhe investime në zonat e prekura direkt prej tij, dhe potencialisht me një reduktim të fluksit të turistëve, pjesërisht si pasojë e dëmtimit të infrastrukturë, dhe pjesërisht si pasojë e efekteve negative psikologjike që mund të ketë tek turistët e huaj. Përkundrejt tyre, programi i rindërtimit të zonave të dëmtuara pritet të gjenerojë një impuls pozitiv në drejtim të rritjes së vëllimit të aktivitetit ekonomik.

Në terma të stabilitetit makroekonomik, efekti më i dukshëm i tërmetit do të jetë një reduktim më i ngadaltë i borxhit publik në horizontin kohor 2-3 vjeçar, ndërkohë që treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare të vendit shfaqen relativisht imunë kundrejt tyre.

 

Rindërtimi

Sfida më e madhe e vitit 2020 do të jetë zbatimi sa i shpejtë dhe sa më efektiv i programit të rindërtimit. Kjo do të kërkojë kohë, vëmendje dhe energji shtesë nga të gjithë aktorët e interesuar, administrata qendrore dhe lokale, si dhe bizneset e familjet e prekura.

 

Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikëbërësit dhe qytetarët shqiptarë në  2020?

Sfida më e madhe e vitit 2020 do të jetë zbatimi sa i shpejtë dhe sa më efektiv i programit të rindërtimit. Kjo do të kërkojë kohë, vëmendje dhe energji shtesë nga të gjithë aktorët e interesuar, administrata qendrore dhe lokale, si dhe bizneset e familjet e prekura.

Në një plan më afatmesëm e afatgjatë, kuadri i sfidave dhe oportuniteteve që kemi përpara është mjaft më i gjerë.

Së pari, Shqipëria ka nevojë për konsolidimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë së saj financiare. Për qeverinë, kjo nënkupton vazhdimin e përpjekjeve për konsolidim fiskal. Për Bankën e Shqipërisë, ajo nënkupton vëmendje të vazhdueshme ndaj ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar.

Së dyti, Shqipëria ka nevojë për një strukturë ekonomike më të diversifikuar dhe më konkurruese. Ky objektiv nënkupton përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, zgjerimin e tregjeve dhe nxitjen e promovimin e konkurrencës në to, rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e administrimit të bizneseve, si dhe zgjerimin dhe rritjen e efektivitetit të tregjeve financiare. Ky objektiv kërkon një axhendë të qartë dhe të integruar reformash strukturore. Ndër të tjera, ai është i domosdoshëm në procesin e integrimit evropian, ku bizneset shqiptare do të përballen gjithnjë e më shumë me konkurrencën e homologëve të tyre rajonalë dhe evropianë.

Së treti, Shqipëria duhet të fillojë të përballet me trendet e pafavorshme demografike. Në një këndvështrim të ngushtë, ky proces kërkon kujdes të vazhdueshëm për ruajtjen e qëndrueshmërisë së skemës së pensioneve. Në një këndvështrim më të gjerë, ai kërkon krijimin e një narrative të besueshme dhe pozitive mbi perspektivën e zhvillimit të vendit, për të adresuar problemin e emigrimit, e pse jo, për ta kthyer në të kundërt atë. Po ashtu, ai kërkon rritjen e edukimit, përmirësimin e shëndetit dhe zgjerimin njohurive tona profesionale, për të kompensuar në aspektin cilësor atë që humbasim në aspektin sasior.

 

Orientimi i ekonomisë

Shqipëria ka nevojë për një strukturë ekonomike më të diversifikuar dhe më konkurruese. Ky objektiv nënkupton përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, zgjerimin e tregjeve dhe nxitjen e promovimin e konkurrencës në to, rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e administrimit të bizneseve, si dhe zgjerimin dhe rritjen e efektivitetit të tregjeve financiare. Ky objektiv kërkon një axhendë të qartë dhe të integruar reformash strukturore.

 

Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike (modeli ekonomik ) në periudhën afatmesme?

Adresimi i sfidave të mësipërme ofron një axhendë të plotë pune për të ardhmen. Në vija të përgjithshme, rrita e qëndrueshme dhe afatgjatë për ekonomi të vogla si Shqipëria ka si premisë një ambient të qëndrueshëm ekonomik e financiar, akses në tregjet ndërkombëtare, si dhe një ekonomi konkurruese në to.

Modeli i rritjes ekonomike duhet të orientohet në këto tre shtylla. Në thelb të tij qëndron iniciativa private. Aftësitë dhe shpirti i sipërmarrjes duhet të gjejnë mbështetje nga një sistem financiar profesional dhe i kujdesshëm ndaj rrezikut, nga një kuadër ligjor i qartë, i besueshëm dhe transparent; si dhe nga një infrastrukturë e plotë dhe funksionale. Së fundi, projektet e investimeve nuk duhet të orientohen vetëm  kah tregut e konsumatorit shqiptar, por duhet të hedhin vështrimin dhe në tregjet e rajonit dhe të botës. Plotësimi i këtyre parakushteve është detyrë e sektorit publik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of