BSH ul normën bazë të interesit në 0,5%, Sejko: Likuiditetet pa asnjë kufizim

25/03/2020 12:28 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në 0.5% nga 1% që ishte më parë. Lajmin e dha Guvernatori Gent Sejko në një konferencë për median, pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes.

Sejko tha se, pandemia është një sfidë për ekonominë dhe sektorin financiar. Reduktimi i punësimit do të sjellë reduktimin e prodhimit dhe mallrave në treg. Nga ana tjetër, distancimi social do të sjellë uljen e shitjeve dhe konsumit.

Ulja e normës së interesit, ul koston e huasë dhe interesat e borxhit publik. Ndihmon lehtësimin në presionet te bilancet financiare të operatorëve ekonomikë.

Ai tha se, ky vendim plotëson masat që kemi marrë më parë për lehtësimin e efekteve të pandemisë.

“Synojmë funksionimin normal të sektorit të pagesave dhe likuiditetit. Banka po aplikon strategjinë e pakufizuar me likuiditete të pakufizuara për operatorët ekonomikë” tha Guvernatori.

Masat që kemi marrë mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të miratuar nga qeveria shqiptare që mënjanojnë përçimin e krizës nga sektori privat në atë publik.

Ai tha se, Banka do të përdorë të gjithë hapësirat monetare për të minimizuar efektet e pandemisë në ekonominë dhe lehtësimin e kostos së krizës në ekonomi dhe familjet shqiptarët.

“Do te kemi stabilitet të çmimeve në periudhë afatgjatë dhe afatmesme. Mesazhet që kemi dhënë për shëndetin e ekonomik dhe financiar janë të vlefshme edhe tani. Bankat dhe ekonomia janë të shëndetshme, me likuiditete të bollshme” tha Sejko.

FJALA E PLOTE E GUVERNATORIT:

Ndodhem sot para jush, në këtë format jo të zakonshëm komunikimi, për t’ju bërë me dije vendimin e fundit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Ky vendim merret në vazhdim të masave të mëparshme të Bankës së Shqipërisë për zbutjen e ndikimit të pandemisë COVID-19 në shëndetin ekonomik dhe financiar të vendit.

Sot, në mbledhjen e datës 25 mars 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë më tej qëndrimin e politikës monetare dhe kushtet monetare e financiare në vend. Më konkretisht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • Të ulë normën bazë të interesit, nga 1.0% në 0.5%;
  • Të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga 1.9% në 0.9%;
  • Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0.1%.

Përhapja e pandemisë COVID-19 në Shqipëri përbën një sfidë për ekonominë dhe sektorin tonë financiar. Masat e nevojshme të kujdesit, të marra nga autoritetet publike dhe private për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 në popullsi, do të kenë dhe një ndikim të dyfishtë në aktivitetin ekonomik. Nga njëra anë, reduktimi i përkohshëm i prodhimit dhe punësimit sjell uljen e ofertës së mallrave e shërbimeve në treg dhe reduktimin e të ardhurave të familjeve. Nga ana tjetër, distancimi social sjell rënien e kërkesës, si dhe tkurrjen e shitjeve, të të ardhurave dhe të likuiditetit të bizneseve.

Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes.

Ky vendim i sotëm plotëson masat e tjera që kemi marrë për minimizimin e efekteve të pandemisë. Gjatë ditëve të fundit:

  • Banka e Shqipërisë ka rritur kapacitetet operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me monedhë dhe kartëmonedhë, si dhe për të garantuar funksionimin normal të sistemit të pagesave elektronike. Brenda kufizimit orar të lëvizjes të vendosur nga autoritetet publike, të gjithë operatorët ekonomikë duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemi i pagesave do të funksionojë normalisht.
  • Banka e Shqipërisë ka adoptuar strategjinë operacionale të injektimit të pakufizuar të likuiditetit në sektorin bankar. Ky sektor, dhe nëpërmjet tij bizneset, familjet dhe sektori publik, do të kenë mundësi të tërheqin pranë Bankës së Shqipërisë të gjithë likuiditetin e nevojshëm dhe të kërkuar prej tyre.
  • Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë procedurat e shtyrjes me një tremujor të pagesës së kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet e prekura nga kriza, duke i ofruar sektorit bankar hapësirat e nevojshme rregullatore për ta bërë këtë.

Këto masa që ne kemi marrë, brenda fushës sonë të kompetencës, mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të shpallur nga qeveria shqiptare, e cila synon të zhvendosë një pjesë të faturës financiare të përballimit të krizës nga sektori privat në sektorin publik.

Këshilli Mbikëqyrës mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Në linjë me masat e marra nga bankat e tjera qendrore dhe në varësi të evoluimit të situatës, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet operacionale dhe hapësirën rregullatore që disponon për të minimizuar pasojat e pandemisë në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.

Në çdo rast, objektivi i aksionit tonë do të jetë ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, lehtësimi i kostove të krizës për bizneset dhe familjet shqiptare, dhe krijimi i premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese. Plotësimi i këtyre parakushteve i hap rrugë respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Masat tona monetare, rregullatore dhe institucionale, do të qëndrojnë në fuqi për sa kohë do të jetë e nevojshme.

Në një perspektivë më afatgjatë, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se mesazhet që kemi dhënë në vazhdimësi mbi shëndetin e ekonomisë dhe të sistemit bankar shqiptar mbeten të vlefshme. Më lejoni t’i ritheksoj:

  • Shqipëria gëzon shëndet të mirë ekonomik dhe financiar;
  • parametrat e funksionimit të ekonomisë dhe të sektorit bankar janë të shëndetshëm;
  • rezervat e likuiditetit dhe të kapitalit të sektorit bankar shqiptar janë të larta.

Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vëren se minimizimi i pasojave afatgjata të pandemisë kërkon përpjekje serioze, të koordinuara dhe të harmonizuara, nga të gjitha autoritetet publike dhe private në vend.

 

Banka e Shqipërisë pritet që të ulë sot normën bazë në nivele minimale historike, për të nxitur ekonominë e sëmurë

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of