Bujqësia më pak produktivja në rajon, pa vlerë të shtuar dhe me pagën më të ulët

25/06/2019 11:05 AM 0 komente

Bujqësia është sektori më pak i paguar i ekonomisë shqiptare. Një i punësuar në bujqësi paguhet mesatarisht nën 290 euro, gati 30% më pak se paga mesatare e vendit.

Por edhe pse me nivelin me një nivel të ulët pagese, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të forcës punëtore në këtë sektor krahasuar me rajonin. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 40.2% e forcës punëtore i përkiste sektorit të bujqësisë, me një diferencë të thellë me vendet e rajonit. Në Bosnje dhe Hercegovinë, forca punëtorë në sektorin e bujqësisë ishte rreth 19.2%, ndërsa në Serbi 19%. Në Maqedoni të punësuarit në bujqësi përbënin rreth 16.4% të forcës punëtore, kurse Mali i Zi ka shënuar përqindjen më të ulët me vetëm 7.6% të të punësuarve në sektorin bujqësor.

Për fat të keq, ndonëse, ka një përqindje të konsiderueshme të burimeve njerëzore në këtë sektor, ata janë jo produktiv. Në krahasim me vendet e rajonit, vlera e shtuar për çdo të punësuar në ekonomi është më e vogla. Krahasuar me Malin e Zi që kishte përqindjen më të ulët të të punësuarve në këtë sektor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri vlera e shtuar në ekonomi është 5 herë më e vogël, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Për 2017-n vlera e shtuar në bujqësi për çdo të punësuar shqiptar ishte rreth 5400 dollarë, në Bosnje dhe Hercegovinë, vlera e shtuar përllogaritet 5800 dollarë, Në Serbi rreth 6000 dollarë, në Maqedoni rreth 8200 dollarë. Ndërsa Mali i Zi qëndron në krye me një vlerë të shtuar prej 25 mijë dollarë.

Bujqësia shqiptare ende vuan prej fragmentarizmit të tokës bujqësore, ku fermeri e ka të vështirë që të krijojë ekonomi shkalle. Në të njëjtën kohë sektori i bujqësisë ka vuajtur edhe mungesën e politikave të qëndrueshme për të nxitur zhvillimin e sektorit. Fermerët vijojnë të mbjellin në mënyrë të paorganizuar dhe janë të pa orientuar me tregun rajonal apo më gjerë.

 

Jo produktive dhe të keqpaguar

Paga mesatare e sektorit është më e ulëta në vend. Shqipëri ka pagën më të ulët në Ballkanin Perëndimor.

Sipas përllogaritjeve të Monitor duke u bazuar në të dhënat e INSTAT dhe statistikave zyrtare të vendeve përkatëse, Shqipëria ka pagën më të ulët në bujqësi me 291 euro. Më pas renditet Maqedonia e Veriut me 457 euro, Serbia me 550 euro. Paga më e lartë është në Malin e Zi, ku sipas statistikave zyrtare, një i punësuar në bujqësi atje paguhet 766 euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of