Bujqësia moderne

05/06/2018 2:51 PM 0 komente

Agropylltaria është një praktikë pak e dëgjuar në Shqipëri, por aplikimi i saj do të përmirësonte ndjeshëm sektorin bujqësor në vend, do të kishim një administrim më të mirë të tokës bujqësore dhe një numër më të madh të produkteve organike.
Në Shqipëri, rastet e aplikimit të agropylltarisë kanë qenë sporadike, por po bëhen përpjekje që fermerët të mësojnë si të përfitojnë prej saj, duke rritur jo vetëm rendimentin dhe të ardhurat e tyre, por edhe duke përmirësuar cilësinë e jetës…

 

Arjeta Kanari ka zgjedhur një profesion sa të bukur, aq edhe të vështirë, si agronomia. Ajo prej vitesh punon si specialiste në Drejtorinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit të Qarkut të Korçës. Edhe pse agronomia nuk është një profesion i lakmuar, Arjeta thotë për “Monitor” që tashmë është bërë pjesë e saj. Si çdo shkencë, edhe agronomia vijon të sofistikohet. Së fundmi, Arjeta është bërë pjesë e një trajnimi 5-ditor mbi Agropylltarinë. Ajo është e vetmja grua në mesin 15 specialistëve të Drejtorisë së Bujqësisë në Korçë dhe 10 fermerëve të zonës. Arjeta, këtë përvojë do ta përcjellë tek të gjithë fermerët që ajo këshillon.

Specialistët dhe fermerët janë trajnuar në kuadër të një projekti të Qendrës Shqiptare për Trajnim dhe Zhvillim dhe programeve të Bashkimit Europian të Erasmus+. Agropylltaria ofron një treg të ri mundësish për të gjithë fermerët e zonës së Korçës. Sipas profesorit Ilir Niçko, pedagog në Universitetin Fan S. Noli në Korçë, i cili edhe udhëhoqi trajnimin, agropylltaria është një mundësi e mirë për të zhvilluar një bujqësi të qëndrueshme dhe për një administrim më të mirë të tokës.

Për profesorin, praktikat e agropylltarisë do të ndihmojnë fermerët të diversifikojnë produktet, tregun dhe të ardhurat e fermës, do të përmirësojnë cilësinë e tokës dhe ujit, dhe do të reduktojnë erozionin/gërryerjen e tokës, ndotjen dhe efektet dëmtuese nga përmbytjet. Por edhe përmirësimin e shëndetit për komunitetet rurale. Për më tepër, praktikat agropyjore janë të hartuara në mënyrë që t’i përshtaten vendit specifik në fermë dhe të plotësojnë objektivat e pronarit të tokës/fermës, – shton profesor Niçko.

 

Pylli i Fazanit, një mundësi e mirë shfrytëzimi

Me një sipërfaqe prej 50 hektarësh, Pylli i Fazanit, pranë fshatit Pojan të Korçës, i krijuar nga dora e njeriut dhe ende i paprekur është një mundësi e mirë për zbatimin e agropylltarisë nëpërmjet sistemit të silvopastoralizimit. Kjo e fundit bën kombinimin e pemëve, foragjerëve dhe bimësisë me kafshët e gjalla. Prodhimi që merret prej këtyre kafshëve është i një cilësie të lartë dhe për më tepër 100% natyral. Kombinimi i pemëve me bimë dhe me kafshë e bën prodhimin më të qëndrueshëm, më natyral dhe thuajse organik.

Një shembull i aplikuar në Shqipëri është djathi i bardhë i fshatrave të Kelmendit, i cili është një produkt tipik shqiptar agropylltarie. Për profesorin Ilir Niçko, pedagog në Universitetin Fan S. Noli në Korçë, Pylli i Fazanit në Korçë paraqet një mundësi shumë të mirë për të rritur krerë gjedhë, apo dhe buallica të egra.

Brezat mbrojtës në shërbim të kafshëve ndihmojnë në reduktimin e stresit dhe ngordhjes së kafshëve, përmirësojnë ushqyerjen dhe konsumimin e ujit, nxisin normën e rritjes në peshë, gjithashtu ndikojnë në reduktimin e aromave të pakëndshme.
“Bazuar në të dhënat zyrtare, territori i Shqipërisë është rreth 2,9 milionë hektarë, nga të cilat 24% është e zënë nga toka bujqësore dhe kullotat dhe pyjet zënë më shumë se sa gjysmën e territorit. Madhësia e vogël e fermës dhe fragmentarizimi i tokës përfaqësojnë kufijtë kryesorë të aktivitetit bujqësor, kryesisht për shkak të nivelit të ulët të prodhimit dhe vështirësisë së qasjes në treg”, – tregon profesori duke argumentuar vështirësitë e fermerëve në vend.

Sistemet e agropylltarisë në Shqipëri janë të zakonshme në përdorimin tradicional të tokës dhe është e lehtë të gjesh sisteme shumë prodhuese me pemë, kultura bujqësore, dhe kafshë (dele, dhi dhe lopë). Pemët e ullirit, vreshtat dhe drufrutorët (arra, qershia etj.) janë përbërësit më të zakonshëm të pemëve në këto sisteme agropylltarie. Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera, ka një traditë të madhe në produktet jo të drunjta të pyllit, të cilat kanë qenë një sektor i rëndësishëm ekonomik për vendin, sidomos grumbullimi i bimëve mjekësorë dhe aromatike.
Pothuajse të gjitha bimët mjekësore dhe aromatike mblidhen në natyrë (90% e bimëve të destinuara për eksport), zakonisht në të njëjtën periudhë me kullotjen dhe grumbullimin e biomasës.

 

Gjurmë të vogla në Rrëmbec

Në fshatin Rrëmbec, pak kilometra larg qytetit të Korçës, mund të gjesh gjurmë të agropylltarisë në fushat bujqësore. E gjithë fusha e Korçës ka një sipërfaqe prej 22 mijë e 300 hektarësh Korçë. Në ish-kënetën e Maliqit, aty ku sot fermerët e zonës kanë mbjellë parcelat me kultura të ndryshme mund të shikosh gjurmë të agropylltarisë së aplikuar vite më parë. Parcelat janë të ndara nga njëra-tjetra me breza pyjorë, plepa mbi 20 metër të lartë. Vendasit i kanë ruajtur brezat, pavarësisht se të deformuar sot.

Ndërsa kanali ujitës është prishur dhe ka dalë jashtë funksionit. Brezat e plepave kanë shërbyer për vite me radhë si erëpritës, duke ndihmuar në eliminimin e dëmtimit të kulturave. Prej Grykës së Cangojit vjen trëndafili i erërave. Kombinimi i erërave të Lindjes, Veriut dhe Jugut, krijon atë që quhet trëndafili i erërave. Brezat pyjore në çdo parcelë, zbusin shpejtësinë e erës.

Shpeshherë është ngritur si problem hijezimi i kulturave bujqësore, por për specialistin e bujqësisë, Nevion Telha, nuk ka ndonjë ndikim. “Duhet të largohet ky koncept. Modelet e reja i mban me krasitje, në mënyrë që hijezimi të jetë sa më i ulët, thotë Telha për “Monitor”.
Telha tregon se efekti nuk është vetëm te rendimenti bujqësor, por edhe mund të merren lëndë drusore, pra përfitime ekstra ekonomike. Krahas kulturave bujqësore mund të vihen edhe bimë të tjera, si arra apo shelgu i zi. Specialisti Telha shton se është e nevojshme që të rikrijohet nga e para brezi pyjor në Rrëmbec.

Selmani, ish-specialist bujqësie tashmë i dalë në pension, thotë gjatë vizitës së “Monitor” në fushat e Rrëmbecit se brezat pyjorë kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e intensitetit të shirave në zonë. “Ne historikisht kemi dëgjuar se ka pasur gjëmime dhe rrufe, plepi tërhiqte shiun. Ndërsa kohët e fundit ka pasur rënie të reshjeve të shirave, të gjithë fermerët ankohen për mungesën e ujit, por edhe të reshjeve. Agropylltaria ka ndikim në të gjithë mikroklimën e zonës”, – tregon Selman Telha. Ekspertët e bujqësisë shtojnë se implementimi i agropylltarisë nuk ka kosto të larta.

“Në tokën ku jemi ka shumë kultura. Mund të bëhet dhe vullnetarisht, por ka nevojë që të rikrijohet rrjeti ujitës dhe kullimit. Të fillojë edhe si projekt pilot në Korçë. Pra, të bëhet edhe një studim për ndikimin që kanë erëpritësit dhe të binden të gjithë për ndikimin pozitiv që ka. Agropylltaria është tepër e nevojshme. Rendimenti i tokave bujqësore rritet nga 7 deri në 35% pas vitit të tretë të mbjelljes”, – shton Telha për “Monitor”.

Është menduar që brezat pyjorë, si shelgjet, mund të shërbejnë edhe për të punësuar deri në 300 individë të komunitetit rom, duke qenë se e kanë traditë punimet e xunkthit. Kjo do të ishte dhe një vlerë e shtuar sociale duke qenë se do të punësohej një nga shtresat vulnerabël të shoqërisë.
Gjithashtu, shtimi i brezave pyjorë do të shtojë deri në 1000 zgjoje bletësh, të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin e biodiversitetit. Nuk do të ketë më erozion. Pylli do të tërheqë shiun, si dhe do të ndikojnë në shëndetin e njerëzve, duke qenë se do të përmirësojnë ajrin dhe klimën.

Pesë praktikat e njohura në agropylltari
• Brezat pyjore përgjatë lumenjve
• Brezat mbrojtës ndaj erës
• Kultura bashkëshoqëruese
• Silvopastoralizëm
• Ferma pyjore

 

Më shumë fokus drejt bujqësisë

Ashtu sikurse subvencionet dhe grantet në sektorin bujqësor japin një ndihmë të qenësishme në sektorin e bujqësisë, edhe trajnimet kanë po kaq peshë. Fermerët shqiptarë shpeshherë nuk janë në koherencë me zhvillimet e fundit globale në këtë sektor. Roland Mecej, drejtor në Drejtorinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit në Korçë, thotë për “Monitor” se me kontaktet që kanë, po përpiqen që t’i prezantojnë me teknologjitë e reja që përdoren në Bashkimin Europian.

Por megjithatë, problemet vijojnë të mbetem të shumta dhe ende për gjëra bazike. Një ndër organizatat që po merret me trajnimin e fermerëve është AFTD (Albanian Foundation for Training & Development), e cila është një organizatë shqiptare e themeluar në vitin 1998 dhe që vepron kryesisht në fusha që përfshijnë zhvillimin rural, bujqësinë dhe formimin profesional.

AFTD ka punuar për të ndihmuar fermerët në shitjen e prodhimeve dhe forcimin e lidhjeve direkte me konsumatorët. Për shumë vite dhe për herë të parë në Shkodër organizoi panaire e tregje prodhimesh bujqësore për festat e fundvitit dhe të tjera. Një përpjekje tjetër ishte ajo në ndihmë të artizanatit rural, ku prodhimet e tezgjahut dhe punimet e dorës të grave të Zadrimës u ridizenjuan me ndihmën e një disenjatore holandeze, u gjet lënda e parë cilësore dhe u endën sipas porosive specifike për tregun holandez, por edhe atë shqiptar. U arrit një produkt cilësor për tregun europian, duke ruajtur karakterin lokal.

Agropylltaria në zonat malore e mesdhetare është një projekt Erasmus + dhe i Bashkimit Europian, i financuar nga Agjencia Franceze. Drejtues i programit është Instituti AgroSup në Dijon, Francë, dhe drejtohet nga profesori i njohur Charles Burriel. Marrin pjesë universitete nga Italia, Hungaria, Bullgaria, Greqia, Libani dhe organizata e shkolla profesionale nga Franca, Shqipëria. Projekti do të trajnojë personelin e shërbimeve këshillimore, studentë, fermerë e të rinj në fushën e agropylltarisë. Një kurrikul e përbashkët akademike e profesionale për agropylltarinë, por me veçoritë lokale, do të krijohet në kuadrin e projektit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of