Bujqësia, mungesa e tregut po penalizon prodhimin e mbarë

15/08/2020 10:06 PM 0 komente

Ky sezon ka qenë i mbarë për prodhimet bujqësore, për shkak të reshjeve dhe motit favorizues në pranverë, por rënia e konsumit prej goditjes së pandemisë po cenon rëndë fitimet e fermave, të cilat këto ditë po shesin nën kosto. Gjysma e fermave shqiptare fitojnë vetëm 500 euro për person në vit, kur të ardhurat që sigurojnë mbijetesën duhet të jenë të paktën5000 euro në vit për dy punonjës. Prodhuesit, përpunuesit dhe eksportuesit thonë se bujqësia shqiptare vuan pasojat e mungesës së orientimit, informacionit për tregjet dhe mungesën e subvencioneve. I vetmi avantazh konkurrues, dalja në treg me prodhime një muaj para rajonit

 

Blerina Hoxha

Pranvera e freskët me shira dhe vera jo shumë e thatë kanë favorizuar prodhimin bujqësor në sera dhe fusha këtë sezon, por rënia e kërkesës në rajon dhe në tregun vendas do t’i rrezikojë edhe këtë vit fitimet e fermerëve që po i shesin prodhimet e tyre shpesh nën kosto këto ditë.

Mungesa e informacioneve për tregjet dhe trendin e kërkesës, kostot e larta të prodhimeve, mungesa e subvencioneve, fuqisë punëtore dhe infrastruktura e dobët po i lënë në mjerim bujqit shqiptarë, edhe pse vendi ynë në raport me rajonin ka avantazhin klimatik. Prodhimet tona dalin në treg të paktën një muaj para rajonit dhe nëse kjo periudhë shfrytëzohet me maturi, të ardhurat për fermerët do të rriteshin.

Pandemia COVID-19, që ka goditur rëndë ekonominë në mbarë globin, nuk e ka prekur sektorin e bujqësisë dhe zinxhirin ushqimor. Gjatë 5-mujorit 2020, eksporti i frutave dhe zarzavateve arriti në 5 miliardë lekë, me një rritje 11% në raport me një vit më parë. Të shpërndara sipas muajve, rritja ishte e dukshme në muajin mars dhe qershor, përkatësisht me 11 dhe 25%, ndërsa në prill pati një rënie me -2.2% për shkak të vështirësive në transport që solli pandemia.

Kastriot Gogo, eksportues me përvojë në produktet bujqësore, tha se fermerët do të përballen me vështirësi në këtë periudhë, pasi kërkesa rajonale ka rënë. Serbia, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia dhe Bullgaria që janë tregjet kryesore të eksporteve bujqësore, tani kanë filluar të konsumojnë prodhimet e veta.

Zoti Gogo tha se, aktiviteti i kompanisë së tij është mbyllur dhe do të rihapet në vjeshtë, kur rinis kërkesa në rajon për prodhime shqiptare. Për shkak të kësaj situate, në pikat e grumbullimit në zonat prodhuese të Fierit dhe Lushnjës, prodhimet po shiten nën kosto. Ilir Mile nga Krutja e Lushnjës tha se një kilogram domate kushton vetëm 20 lekë. Fermerët po i shesin arkat me nga 200 lekë, në një kohë që për të mbuluar kostot, duhet që një kilogram perime të mos shitet me shumicë jo më pak se 40 lekë.

 

Pritshmëritë

Fermerët do të përballen me vështirësi në këtë periudhë, pasi kërkesa rajonale ka rënë. Serbia, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia dhe Bullgaria që janë tregjet kryesore të eksporteve bujqësore, tani kanë filluar të konsumojnë prodhimet e veta.

 

Për shkak të kësaj situate, shumë bujq kanë nisur të dekurajohen duke zgjedhur emigrimin. Sektori i prodhimit në Shqipëri është i destinuar të përballet me humbje, pasi nuk funksionon pjesa tjetër e hallkave. Sektori i përpunimit, me gjithë tentativat për investime nuk është vizibël, për shkak të kostove të larta.
Altin Hoxhaj, i cili zotëron një fabrikë të prodhimit të salcës në zonën e Fierit, tha se prodhimi i tij është shumë cilësor por nuk është konkurrues në çmim.

“Prodhoj pure domate natyrale pa konservantë dhe aditivë. Kosto për shishe është 75 lekë, ndërkohë në markete, salca shitet me 65 lekë nga konkurrenca e pandershme dhe produktet nga Kina me shtesa aditiv dhe bojë” – thotë zoti Hoxha, sipas të cilit, edhe kultura e konsumit vendas është drejt më së lirës. Sipas të dhënave të FAO-s, në një vit normal, Maqedonia eksporton rreth 40 milionë euro fruta dhe perime të përpunuara, ndërsa Shqipëria vetëm 2 milionë euro.

Ervin Resuli, një ekspert i bujqësisë, i cili drejton “Resuli Farm” në zonën e Fierit, tha se bujqësia është një sektor me fitime të ulëta kudo në botë, ndaj dhe shtetet sigurojnë mbështetje direkte me fonde që bizneset e fermave të mbijetojnë. Ai mori shembullin e rajonit, ku në Kosovë subvencionet i kalojnë të 50 milionë eurot në vit, në Malin e Zi mbi 60 milionë euro, ndërsa në Shqipëri vetëm 6 milionë euro. Për të rritur fizibilitetin në bujqësi, aktorët e sektorit rekomandojnë ciklin e mbyllur, rritjen e madhësisë së fermave dhe kultivimin e prodhimeve për të cilat ka kërkesë dhe toka shqiptare i prodhon.

 

Tregu të diktojë prodhimin, modeli i fermës Xheka

Artur Xheka zotëron një prej fermave më të mëdha në vend për kultivimin e perimeve në zonën e Shijakut, me mbi 8 hektarë. Ai, si pak të tjerë, nuk kishte lidhje organike me fshatin dhe bujqësinë. I lindur në Tiranë dhe me disa vite në emigrimin, zhvilloi pasionin e tregtimit të prodhimeve organike pas kthimit në Shqipëri. Pasioni për prodhimet bio e nxiti të fillonte biznesin e një njësie për tregtinë me prodhime cilësore, duke blerë nga të gjitha zonat e vendit.

Por shpesh, cilësia e zhgënjeu, ndaj para katër vitesh ai vendosi të prodhojë vetë perimet dhe zarzavatet për dyqanin e tij. Duke përjashtuar lodhjen dhe sfilitjen që ka një biznes në bujqësi, tani zoti Xheka thotë se është një aktivitet me fitim, pasi ai ka ndërtuar të gjithë zinxhirin që nga prodhimi, përpunimi dhe shitja. Kjo i ka mundësuar uljen e kostove dhe fitime më të larta. Në fermën prej 8 hektarësh punëson më shumë se 10% në kulmin e sezonit, ka një impiant të vogël përpunimi që bën salcë dhe konservon perimet, si dhe një depo frigoriferike.

Zoti Xheka thotë se çelësi i suksesit në bujqësi është të kesh informacione të qarta mbi tregun dhe tendencat. Në Shqipëri dhe më herët në botë, kërkesa për të konsumuar prodhime organike, edhe kundrejt një çmimi më të lartë, ka shënuar rritje. Nisur nga tendenca për të marrë më shumë prodhim, shumica e fermerëve kanë abuzuar me pesticidet dhe cilësinë e varieteteve, duke bërë që në shumë raste, kjo mani të kthehet në humbje për mungesë tregu. “Kam bërë përzgjedhje të farave dhe perimet i trajtoj vetëm me pleh organik, por më parë kisha të siguruar shitjen” – tha Xheka.

Nxitja e ciklit të mbyllur dhe kultivimi në mënyrë organike i prodhimeve i përshtatet bujqësisë shqiptare, e cila vuan copëzimin e lartë të tokës, ku madhësia mesatare e fermave sipas INSTAT nuk i kalon të 1,2 hektarët. Rreth 85% e fermave në vend janë të kësaj madhësie sipas Ministrisë së Bujqësisë.

 

Dobësia, si avantazh

Nxitja e ciklit të mbyllur dhe kultivimi në mënyrë organike i prodhimeve i përshtatet bujqësisë shqiptare, e cila vuan copëzimin e lartë të tokës, ku madhësia mesatare e fermave sipas INSTAT nuk i kalon të 1,2 hektarët. Rreth 85% e fermave në vend janë të kësaj madhësie sipas Ministrisë së Bujqësisë.

 

Të shfrytëzojmë avantazhin klimatik

Kastriot Gogo thotë se fermerët shqiptarë duhet të shfrytëzojnë avantazhin klimatik. Temperaturat e larta i nxjerrin në treg prodhimet shqiptare një muaj para rajonit. Gjatë 5-mujorit, nga 5 miliardë lekë eksporte, gati 90%% e tyre kishin destinacion tregun rajonal. Tregu kryesor ishte Serbia në të cilën u eksportuan 1,6 miliardë lekë fruta dhe perime ose 20% e totalit.

Zoti Gogo tha se bujqit nuk po e përshtatin prodhimin me avantazhin klimatik për të përfituar më shumë. Mbjelljet duhet të nisin që në janar dhe më herët në mënyrë që kjo përparësi konkurruese të shfrytëzohet maksimalisht. Ai tha se Shqipëria duhet të përshtatë prodhimin për pranverën e hershme dhe vjeshtën e vonë me qëllim që të fitojë eksportet në rajon.

Mirëpo fermerët shqiptarë nuk janë të informuar, edhe pse eksportuesit që i orientojnë ata mbeten të pabesueshëm. Qeveria shqiptare, në pamundësi për të subvencionuar prodhimin, nuk po bën as rolin e këshilluesit për të ndarë informacion të saktë për bujqit se çfarë duhet të mbjellin, kur dhe për kë.
Rritja e nivelit të jetesës në Shqipëri shkaktoi zgjerim të konsumit, e për pasojë, prodhim më të lartë vendas dhe rritje të importeve.

Gjatë 5-mujorit 2020, eksportet e frutave dhe perimeve zunë 35% të totalit të eksportit të grupit të ushqimeve dhe pijeve, nga më pak se 3% që zinin në vitin 2005. Kjo rritje i atribuohet zgjerimit të niveleve të prodhimit, shtrirjes së kalendarit të prodhimit dhe përmirësimit të cilësisë dhe shtimit të sipërfaqeve në sera.
Peshën më të madhe në eksport e mban domatja, e cila favorizohet nga kushtet e prodhimit që ofron Shqipëria.

 

Fizibiliteti favorizon fermat më të mëdha se 2 hektarë

Në një studim të fundit, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë në Kombet e Bashkuara (FAO) ka vendosur disa standarde, se kur një fermë mund të jetë visibël për të siguruar të ardhurat për një familje me dy anëtarë dhe gjithashtu për të siguruar investime themelore që kërkon mirëmbajtja e fermës. Në Shqipëri, sipas statistikave, numërohen rreth 350 mijë ferma nga të cilat 159,856 janë më pak se 1 hektar, 142,084 janë deri në 2 hektarë dhe vetëm 49 mijë janë mbi 2,1 hektarë.

Sipas FAO-s, që një fermë të sigurojë të ardhura për pagën minimale të dy personave dhe teprica për pak investime duhet të gjenerojë 5 mijë euro në vit, që nga viti i parë i investimit. Ne analizën e FAO-s, në skenarin normal, një fermë me 1 ha tokë mund të sigurojë këtë të ardhur nëse përzgjidhet me kujdes produkti që ka shitje të siguruar.

Ndërsa një fermë me 2 ha tokë ka potenciale për të qenë fitimprurëse nëse është serë dhe janë mbjellë perimet kryesore të konsumit. Një fermë bagëtish është fizibël me jo më pak se 7 lopë dhe me një hektar tokë për lopë dhe një fermë me të imta nuk është fizibël në më pak se 100 krerë. Këto sipërfaqe fermash dhe numri i krerëve është llogaritur të mbulojë me të ardhura vetëpunësimin e familjes që i zotëron.

Por sipas FAO-s, fermat nën 1 ha janë shumë të vogla dhe jo fizibël në vijimësi, fermat midis 1 dhe 2 ha janë disi fizibël, por me shumë vështirësi, ndërsa fermat mbi 2 ha kanë një potencial të caktuar tregu. Duke qenë të vogla, fermat mund të përshtaten me kërkesën e tregut, por nën 1 hektar ato nuk janë fizibël as për pemishte e as për perime.

Gjysma e fermave gjenerojnë vetëm 500 euro për fermer në vit

Sipas statistikave në dispozicion të Censit të fundit në bujqësi në vitin 2012, vetëm 25% e fermave gjenerojnë më shumë se 3000 euro dhe 5500 euro të ardhura në vit nga aktivitetet bujqësore. Më shumë se një e katërta (27%) gjenerojnë më pak se 750 euro dhe pothuajse gjysma e fermave gjeneron 750 deri në 3 000 euro, me një mesatare prej gati 1 700 euro për familje, ose rreth 500 euro për person në moshë pune (mbi 16 vjeç).

Kështu, tre të katërtat e familjeve gjenerojnë të ardhura shumë të ulëta nga bujqësia dhe shumë më poshtë se kufiri i fermës ekonomikisht e qëndrueshme. Kjo e bën të domosdoshme që fermat familjare të zhvillojnë strategji të reja të mbijetesës, duke zhvilluar diversifikimin e të ardhurave.

 

INTERVISTA

 

Gogo eksport: Të shfrytëzohet avantazhi klimatik

Kastriot Gogo, eksportues me përvojë i prodhimeve bujqësore, thotë se bujqësia në Shqipëri e ka faktorin klimatik si elementin më favorizues në raport me rajonin, por fermerët shpesh nuk janë të orientuar për të bërë mbjelljet në kohë, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë.

 

Zoti Gogo, si po ecën eksporti i prodhimeve bujqësore?

Prej një muaji e kemi mbyllur eksportin për shkak se, vendet e rajonit që blejnë prej nesh kanë nisur të konsumojnë prodhimet e tyre. Bujqësia në Shqipëri e ka faktorin klimatik si elementin më favorizues në raport me rajonin, por fermerët shpesh nuk janë orientuar për të bërë mbjelljet në kohë, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë.

Bujqësia shqiptare përballet me kosto të larta, pasi nuk subvencionohet, ndaj kur tregjet e rajonit furnizohen nga prodhimet e vendeve të tyre prodhimet shqiptare nuk kërkohen. Përgjithësisht tregu i eksportit është rajoni. Kishim pak pengesa në javët e para të pandemisë, por më pas shitjet vijuan normalisht derisa dolën prodhimet e tyre në tregje. Tani e kam mbyllur aktivitetin e kompanisë dhe do ta rinis në vjeshtë.

 

Si duhet të orientohen bujqit shqiptarë që rrisin fitimet?

Bujqit shqiptarë nuk kanë informacion mbi tregjet. D.m.th. nuk janë të azhurnuar me kërkesën dhe çmimin. I kam informuar klientët e mi se çfarë duhet të mbjellin dhe në çfarë datash, por ata sërish rezistojnë të marrin në konsideratë këshillat tona nga pasiguria se ne duam të rrisim fitimet tona. Por bujqësia shqiptare do të mund të fitojë vetëm nëse e shfrytëzon avantazhin klimatik në maksimum. Pas qershorit, zakonisht fermat shqiptare shesin nën kosto prodhimet për tregun vendas, për shkak se prodhimi është më i lartë se kërkesa.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of