Kur vëmendja për investimet në bujqësi është shtuar ndjeshëm së fundmi, situata paraqitet dramatike. Krahas sipërfaqes së vogël të njësive fermere, rreth 1.4 ha për fermë, Shqipëria ka dhe një nivel shumë të ulët të mekanikës bujqësore. Panairi Agrilevante sjell modelin e mekanikës moderne bujqësore
Me pak më shumë se 20 mijë makineri bujqësore për rreth 350 mijë ferma bujqësore (0.05 traktorë për fermë), Shqipëria renditet në vendet me një mekanikë më të ulët bujqësore në rajon. Për krahasim, në Serbi janë të regjistruara, sipas Censusit të Bujqësisë, 631 mijë ferma bujqësore që zotërojnë rreth 403 mijë traktorë me dy akse (0.7 traktorë për fermë). Në Maqedoni ka rreth 171 mijë ferma, me 0.5 traktorë për fermë).
Ky nivel i ulët mekanizimi ka bërë që vlera e shtuar në bujqësi për punonjës të jetë ndër më të ulëtat në rajon dhe ndër më të ulëtat në botë, sipas të dhënave krahasuese nga Banka Botërore, me një vlerë të shtuar për punonjës prej 3900 dollarësh.
Teksa interesi për të investuar në bujqësi është rritur vitet e fundit, copëzimi i tokës dhe mungesa e mekanikës bujqësore mund ta vështirësojnë rritjen e konkurrueshmërisë rajonale të sektorit. “Për kushtet specifike të bujqësisë shqiptare duhen procese të mekanizuara bashkëkohore për ta bërë fermerin shqiptar konkurrues në tregun global”, pohon Xhorxhi Marku, sipërmarrës i “Auto-Track 93”, që prej vitesh tregton dhe jep asistencë për makineritë bujqësore. Z. Marku ishte në Panairin Argilevante zhvilluar në Bari më 15-18 tetor, si pjesë e një delegacioni shqiptar me fermerë dhe përfaqësues të medias, të ftuar përmes Institutit Italian të Tregtisë së Jashtme, ICE. Panairi u dedikohej makinerive dhe teknologjisë për bujqësinë dhe është eventi më i rëndësishëm në fushën e bujqësisë, jo vetëm në Italinë Qendrore dhe Jugore, por për të gjithë Mesdheun, Europën dhe Ballkanin.
Jo më kot panairi organizohet në zonën e Puglia-s, në jugun e Italisë, që është zemra e bujqësisë italiane, e përqendruar në prodhimin e vreshtave dhe ullinjve dhe përpunimin e produkteve të tyre, përmes formave të organizimit bashkëpunues (kooperativa), teksa dhe industria e prodhimit të mekanikës bujqësore është mjaft e zhvilluar. “Italia e Jugut ka fermerë të ngjashëm nga përmasat e fermës, mënyra e organizimit dhe struktura e kulturave me ata të Shqipërisë, ndërsa teknologjia e mekanizimit tek ne lë për të dëshiruar dhe fermerët shqiptarë duhet të orientohen drejt teknologjisë europiane, në mënyrë që të jenë të afta të konkurrojnë në tregun global”, pohon z. Marku. Ai shton se në çdo zonë të Puglia-s, fermerët janë të organizuar si kooperativë, duke krijuar njësitë e mirëmbajtjes, të shitjes të ullinjve, pemëtarisë, vreshtave etj. Këtyre grupimeve u përgjigjen njësi të specializuara të mekanizimit, të autorizuara për shitje nga njësitë prodhuese, me gjithë logjistikën e nevojshme, për t’i ofruar fermerit nivelin më të lartë të mekanizimit, me qëllim uljen e kostove dhe reduktimin e kohës, duke e bërë atë më eficient dhe konkurrues. Një vizitë në Industritë Fracchiolla në Bari e konfirmon këtë tendencë. Me 40 vjet eksperiencë, sipërmarrja prodhon tankera që përdoren në prodhimin e verës dhe të vajit të ullirit, ku gjysma e produkteve eksportohet në mbarë botën. Kompania ofron asistencë të vazhdueshme teknike edhe pas shitjes së pajisjeve. Në fakt, industria e mekanikës bujqësore reflekton zhvillimin e organizuar bujqësor të shtetit fqinjë.
Krejt e kundërta ka ndodhur në Shqipëri. “Tek ne, proceset e mekanizimit kanë qenë të çorientuara, kanë hyrë teknologji të 30-40 viteve të shkuara”, pohon z. Marku. Fermerët, duke mos qenë të orientuar në njësitë e specializuara bëjnë zgjedhje të rastësishme, jo në përputhje me një projekt teknologjik për gjithë zinxhirin e bujqësisë.
Ndërsa bujqësia sot është zhvilluar në mënyrë të çorientuar, z. Marku rekomandon specializimin e kulturave sipas kushteve ekopetologjike të zonës (ruajtja e ekuilibrave ambient-tokë), duke kultivuar në përputhje me këto kushte ato bimë nga të cilat mund të merret maksimumi i produktivitetit dhe duke krijuar kushte për prodhimet bio. “Për prodhimet bio duhet shfrytëzuar mikroklima, shpesh faqet e kodrave të ekspozuara nga dielli në drejtimin lindje-perëndim janë të përshtatshme për agrumet, ullirin”. Pikërisht specializimi në kultura, një model i përdorur ky dhe në bujqësinë italiane, do të mundësonte bashkëpunimin e fermerëve, përdorimin e mekanikës bujqësore, tregtimin, duke arritur ekonominë shkallës dhe duke rritur eficiencën. Z. Marku shton se fermeri shqiptar duhet të trajtohet me të njëjtat kushte me fermerët e vendeve të tjera të rajonit, për sa i përket subvencioneve, orientimit të investimeve, formalizimit etj.
Me një përvojë të gjatë në tregtimin dhe dhënien e ekspertizës për makineritë bujqësore, z. Marku pohon se së fundmi rritja e interesit për mekanikën bujqësore është e dukshme, në linjë me orientimin e investimeve në këtë sektor.
TVSH-ja e makinerive bujqësore, sipërmarrësit të pabarabartë
Një nga problemet që po hasin tregtuesit e mekanikës bujqësore është vendosja në pozita të pabarabarta për sa i përket TVSH-së. Vendimi nr. 953, datë 29.12.2014 për dispozitat zbatuese të ligjit për TVSH-në, përcakton se importimi i makinerive dhe pajisjeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, është furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, vetëm në rastet kur të tilla makineri dhe pajisje importohen në funksion të realizimit të kontratave të investimeve dhe importuesi është vetë personi i tatueshëm që realizon investimin ose përdor makinerinë ose pajisjen. Ndërsa, personat e tatueshëm, që importojnë makineri dhe pajisje për shitje, nuk janë subjekte përfituese të përjashtimit nga TVSH-ja. Z. Marku pohon se kjo po i nxit fermerët të blejnë vetë, në mënyrë direkte, mjete të vjetra jashtë vendit, për të shmangur pagesën e TVSH-së, duke mos marrë as asistencën e duhur, që tregtuesit e autorizuar të mjeteve ofrojnë për mekanikën bujqësore që ata sjellin, e që është e një teknologjie bashkëkohore.
Organizimi i prodhuesve do të zvogëlonte dobësitë strukturore të bujqësisë
“Bujqësia në Shqipëri zë rreth 18% të PBB dhe 50% e popullsisë janë të punësuar në këtë sektor, i cili ka përpara sfida të mëdha, të lidhura me modernizimin dhe standardizimin e produkteve dhe proceseve prodhuese me ato të Bashkimit Europian. Bujqësia shqiptare duhet të orientohet drejt modeleve që mundësojnë prodhim intensiv dhe në të njëjtën kohë, ruajtjen e cilësisë”, pohon Edgar Gjinaj, analist i tregjeve në Institutin Italian të Tregtisë së Jashtme (ICE) në Shqipëri.
Klima e favorshme, kostoja e ulët e punës, shumëllojshmëria e produkteve dhe përdorimi i metodave tradicionale mundësojnë që Shqipëria të bëhet një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të ushqimeve biologjike në rajon.
Sipas tij, një nga dobësitë strukturore më të rëndësishme që karakterizojnë sektorin është numri i lartë i fermave të vogla dhe të fragmentuara, karakteristikë që çon në kosto të larta të prodhimit dhe konkurrencë të ulët. “Kjo dobësi mund të tejkalohet nga organizimi i prodhuesve dhe krijimi i shoqatave dhe kooperativave, që do të forconte pozitën e fermerëve në zinxhirin ushqimor dhe do të mundësonte fitime të larta”. Me qëllim përmirësimin e sektorit bujqësor dhe rural janë të nevojshme si investime të qeverisë, ashtu dhe private.
Italia është ndër donatorët kryesorë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, në një linjë me strategjinë e qeverisë shqiptare për zhvillimin e sektorit. Programi për modernizimin e bujqësisë parashikon realizimin e tre nismave të ndryshme në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, me një kosto totale prej 10 milionë €. Këto projekte synojnë standardizimin e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit të skemave në mbështetje të fermerëve me atë të Bashkimit Europian, ngritjen e një sistemi për sigurimin e prodhimit ndaj kushteve klimatike dhe forcimin e zinxhirit të prodhimit të vajit të ullirit.
Pas kalimit të krizës së 2008-s rritet kërkesa për makineri bujqësore
Ekonomitë bujqësore dhe kërkesa për traktorë dhe makineri të tjera bujqësore për operacionet bujqësore në zonën e Mesdheut po rimëkëmbet fuqishëm. Pasi u kalua kriza ndërkombëtare financiare e vitit 2008 dhe “Pranvera arabe” në 2010-n, rajoni i gjerë nga Europa Jugore, Ballkani, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut po tregon shenja rritjeje për mundësitë e biznesit, veçanërisht për industritë italiane.
Të dhënat më të fundit që vijnë nga një vëzhgim i kryer nga Nomisma dhe FederUnacoma, të paraqitura gjatë një konference në Panairin Agrilevante në Bari, e vënë theksin në rimëkëmbjen e bujqësisë, që po shoqërohet me një kërkesë të rritur për makineritë specifike dhe pajisjet nga të gjitha shtetet.
Importet e traktorëve në Algjeri, gjatë 2014-s, u rritën 31%, ndërsa në gjashtë muajt e parë të vitit 2015, kjo rritje arriti shifrat e 18%; në Egjipt, importet e traktorëve u rritën me 26% në vitin 2014 dhe një tjetër rritje 33% u pa në gjysmën e parë të vitit aktual. Turqia njoftoi rritjen më të madhe, prej 48% për gjashtë muajt e parë të 2014-s, ndërsa vlera e importeve të Iranit “kërceu” në një katërfishim të tyre, e shprehur me shifra, nga 5 mln dollarë në 21 milionë dollarë në tetë muajt e vitit.
Dinamika pozitive u regjistruan edhe në Tunizi, Marok, Izrael dhe Spanjë, ku rezultate të mira u panë jo vetëm për traktorët, por edhe llojet e tjera të makinerive dhe pajisjeve.
Duke folur në hapje të konferencës për shtyp të “Agrilevante”, Massimo Goldoni, kryetari i FederUnacoma, Federata Italiane e Makinerive Prodhuese dhe Bujqësore, pohoi se Italia është duke luajtur një rol kryesor në këtë skenar, me një pozicion të favorshëm gjeografik, por sidomos për cilësinë dhe gjerësinë e makinerive dhe pajisjeve të prodhuara në rrethe industriale të vendit.
Tashmë, sipas tij, Italia është eksportuesi kryesor i traktorëve në Marok, duke mbajtur 40% të tregut, në Tunizi me 45% të tregut dhe Izrael me 29% të tregut. Italia është eksportuesi i dytë në Turqi, ku zotëron 22% të tregut dhe në Spanjë me 26% të tregut. Goldoni tha gjithashtu se industria italiane është në gjendje të kënaqë kërkesën në rritje për teknologjitë në rajonin e Mesdheut.
Italia, plani për të ulur taksat përshendetet nga bizneset
Kryefjala e të gjitha mediave, por dhe bisedave mes biznesit gjatë ditëve të organizimit të panairit Agrilevante në Bari ishte paketa surprizë e kryeministrit italian Matteo Renzi për ulje taksash me një vlerë mes 26.5 dhe 29 miliardë eurosh, në një tentativë për të nxitur konsumin dhe stimuluar investimet.
Në paketën e prezantuar në mes të tetorit parashikohet heqja e taksës për shtëpinë e parë; rritja e kufirit të pagesave cash nga 1000 në 3000 euro; ulja e taksës për RAI; tatimi mbi të ardhurat e shoqërive (IRES), do të ulet nga 27,5% aktualisht në 24% nel 2017; superamortizim për ndërmarrjet (kush investon në ndërmarrje mund të amortizojë 140% të investimeve të veta. Kjo është një masë qëdo të nxisë sipërmarrësit të financojnë zhvillimin përmes mbështetjes së shtetit) e shumë masa të tjera, për të cilat Renzi është i gatshëm të përballet me Bashkimin Europian, që ushtron presion për uljen e borxhit. Por, Italia po synon strategjinë që uljen e borxhit ta arrijë përmes stimulimit të ekonomisë.
Pas një periudhë të gjatë krize, ndër më të këqijat e dekadave të fundit, sipërmarrësit italianë pohojnë se situata vijon ende e vështirë, por më e keqja është lënë pas. Ata janë optimistë se i ashtuquajturi Ligji i Stabilitetit do t’i japë një dorë ekonomisë. Më skeptikë janë individët, të cilët janë të lodhur nga taksat e larta, që janë sa rreth 50-60% e të ardhurave ndërkohë që “shërbimet që marrim nga shteti nuk përligjin taksat që ne paguajmë”, pohon Ezio, doktor në Bari.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.