Efekti financiar i këtij vendimi llogaritet në buxhet në rreth 195 milion lekë. Ndërkohë që ky projekt i hap rrugën nxitjes dhe zhvillimit të drejtpërdrejtë të bujqësisë.Megjithëse çmimi i naftës në Bursat Ndërkombëtare ka njohur vetëm rritje kohët e fundit, Qeveria e Shqipërisë arriti të zbatojë vendimin e saj, që i kushton buxhetit të shtetit miliona lekë humbje, por që ndikon në zhvillimin bujqësor vendas. Është pikërisht projekti pilot për heqjen e akcizës së karburanteve për mekanikën bujqësore, i cili filloi zbatimin në tri zona të vendit, Lezhë, Fushë-Krujë, Fier dhe Lushnje, për periudhën bujqësore 2004-2005. Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) prej kohësh kërkoi nga Qeveria, nxitjen e prodhimit bujqësor vendas përmes uljes së akcizës së karburanteve dhe pikërisht kjo nevojë e fermerëve u realizua para pak ditësh. Për zbatimin e këtij projekti, specialistë të bujqësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, ndërmorën një studim të detajuar, nëpërmjet të cilit përcaktuan nevojat e fermerëve dhe mekanizatorëve për karburant, efektet financiare në buxhetin e shtetit, pikat ku ata do të furnizohen etj. Shitja e karburantit pa akcizë për bujqësinë ishte parashikuar të fillonte më 1 qershor të këtij viti, por për shkak të vonesave në plotësimin e dokumentacionit nga ana e fermerëve, tregtimi i karburantit pa akcizë u shty deri më 5 nëntor. Sipas specialistëve, përzgjedhja e zonave është bërë duke pasur në konsideratë shtrirjen territoriale, numrin e fermerëve në zonë, madhësinë e fermave, nivelin e mekanizimit etj. Heqja e akcizës së karburanteve pritet të rrisë importin e makinerive e pajisjeve bujqësore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së prodhimeve ushqimore në vend, si dhe të ndikojë në qëndrueshmërinë e çmimeve për produktet bujqësore. Sipas burimeve nga Shoqata e Agrobiznesit, sektori i mekanikës bujqësore do të vazhdojë me ritme të shpejta rinovimin e parkut të amortizuar të traktorëve, duke bërë të mundur importimin brenda këtij viti të mbi 350 traktorëve të rinj të një teknologjie bashkëkohore. Çmimi i karburantit për fermerët 35% më i lirë se treguProjekti pilot për heqjen e akcizës së karburanteve për mekanikën bujqësore po iu ofron fermerëve karburant me një çmim rreth 35% më të lirë se tregu. Burimet nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, thonë se “çmimi aktual i karburantit në treg është mesatarisht 100 lekë/litri”. Ndërkohë që sipas këtij projekti, fermerët dhe agromekanizatorët, 63 mijë ferma do të kenë mundësinë ta blejnë naftën për punimet bujqësore me një çmim prej 52-53 lekë për litër. Në këtë fazë të parë të këtij projekti pilot janë përfshirë 48 komuna fermerë të Lezhës, Fushë Krujës, Fierit dhe Lushnjes. Në bazë të përllogaritjeve paraprake, nëpërmjet heqjes së akcizës parashikohet të rritet sipërfaqja e punueshme me rreth 70%, si rezultat i uljes 25-30% të tarifave të proceseve të punës në mekanikën bujqësore dhe rendimenti i produkteve bujqësore e blegtorale në zonat pilot, të rritet me 25-30%. Tashmë janë përcaktuar nevojat e fermerëve dhe mekanizatorëve për karburant, si dhe pikat ku ata do të furnizohen. Ndërkohë që shoqëria publike për shpërndarjen e karburanteve ARMO ka filluar furnizimin me karburant të fermerëve. Efekti financiar i këtij vendimi llogaritet në buxhet në rreth 195 milion lekë. Ndërkohë që ky projekt i hap rrugën nxitjes dhe zhvillimit të drejtpërdrejtë të bujqësisë. Pritet “zbutja” e rënies së prodhimit bujqësorRritja e çmimit të naftës në muajt e fundit pritet të ndikojë negativisht në një sërë procesesh me të cilat është e lidhur bujqësia dhe agroindustria. Titullarë të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, shprehen se rritja e çmimit të karburantit do të japë efekte të pashmangshme me kalimin e kohës në uljen e prodhimit bujqësor vendas, rritjen e kostos së prodhimit, të çmimit të ushqimeve etj. Sipas tyre, “rritja e çmimit të naftës mund të sjellë uljen e prodhimit, të sipërfaqes së mbjellë dhe përdorimit të mekanikës bujqësore”. Në të njëjtën kohë, pritet të rriten importet, pasi shumë ferma nuk do të jenë gati për të nxjerrë prodhimet e tyre në treg. “Por thonë ata, zbatimi i vendimit të Qeverisë nga kompania ARMO, e cila do të furnizojë me naftë me një çmim të lirë pa akcizë një pjesë të fermerëve, të cilët mbulojnë 33% të tokës bujqësore, pritet të zbusë rënien e prodhimit bujqësor”.Shoqëria shtetërore e naftës ARMO, ka kapacitetet e nevojshme të karburantit për tiu përgjigjur nevojave të bujqësisë dhe peshkimit. Sipas të dhënave nga kjo shoqëri, “ARMO prodhon mesatarisht 100 deri në 110 mijë ton gazoil në vit, duke plotësuar rreth 25% të nevojave të tregut shqiptar të karburanteve”. Kjo sasi u përgjigjet kërkesave të sektorit të bujqësisë dhe peshkimit, duke ruajtur një nivel të pandryshueshëm çmimesh, kundrejt luhatjeve të tyre në tregjet ndërkombëtare të karburanteve. Sipas specialistëve, gazoili shqiptar do të vazhdojë të jetë më i kërkuar nga fermerët edhe për faktin se paraqet përqindje të konsiderueshme të squfurit, krahasuar me gazoilin e importit, çka e bën mjaft të përshtatshëm për mjetet e rënda, që përdoren në bujqësi. Por ndërkohë, “ARMO” po shikon mundësinë e rritjes së importeve të naftës me qëllim plotësimin e nevojave të konsumatorëve shtetërorë dhe fermerëve me karburante me një çmim më të ulët se tregu privat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.