Vitin e kaluar sektori i bujqësisë përfitoi 2.5 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro kredi bankare.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re në bujqësi u rrit me 16% krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht rritjes së lehtë, pesha e bujqësisë në kreditim ngelet shumë e ulët. Për vitin 2020, kredia e disbursuar për bujqësinë përbënte më pak se 1.4% të kredisë së dhënë për kompanitë private.
I gjithë portofoli aktiv i kredisë për bujqësinë në fund të vitit 2020 kishte vlerën e 5.8 miliardë lekëve ose sa rreth 1.6% e vlerës totale të portofolit të kredisë së biznesit. Kjo peshë është e ulët në raport me atë që është kontributi i bujqësisë në ekonominë e vendit dhe që arrin në rreth 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Pesha e bujqësisë në kreditim ngelet modeste, pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme për ta mbështtur huadhënien e fermerëve me skema mbështetjeje. Në fillim të vitit 2016, qeveria shqiptare dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), prezantuan një skemën ambicioze të garancisë financiare për fermerët. Përmes një fondi garancie 75 milionë euro, fermerëve do t’iu krijohej akses në kredi nga bankat tregtare për një shumë prej rreth 300 milionë eurosh. Në teori, kjo skemë premtonte t’i jepte një stimul të madh kreditimit për bujqësinë nga sektori financiar në vend. Por, pas pesë vjetësh, kredia për bujqësinë ka mbetur aty ka qenë, me më pak se 50 milionë euro vlerë portofoli.
As fondi i garancisë i shpallur me bujë nga qeveria shqiptare dhe as nismat e tjera për nxitjen e sektorit përmes financimeve nuk kanë sjellë ndonjë rritje të ndjeshme të huave për bujqësinë.
Sipas bankierëve, pavarësisht formalizimit të aktivitetit të fermerëve vitet e fundit, ky sektor mbetet ende i pashërbyer mjaftueshëm me shërbime financiare për shkak të risqeve të mëdha me të cilat përballet. Problemet më të mëdha më kreditimin e buqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentizimi i lartë i tokës që nuk lejon përfitime nga ekonomitë e shkallës dhe mungesa e bashkëpunimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave.
Ndërsa agrobizneset e mëdha dhe të konsoliduara janë klientë të bankave tregtare, fermerët e vegjël, pa kolaterale e pa garanci të tjera janë përgjithësisht klientë të institucioneve mikrofinanciare. Në reflektim të risqeve të mëdha të sektorit, bujqësia financohet me normat më të larta të interesit krahasuar me degë të tjera të ekonomisë./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.