Flet Agim Rrapaj, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar
Ndryshimet klimatike, kombinuar me indiferencën njerëzore mund të shkaktojnë pasoja të jashtëzakonshme në dy nga elementet bazë të jetës, toka dhe uji. Në këtë kontekst ka nevojë për më shumë vëmendje, sepse ai që kërcënohet është zinxhiri ushqimor.
Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, shprehet se pasojat e ndryshimeve klimatike dhe dëmit njerëzor, duke mos reaguar, shfaqen qartësisht në bujqësi përmes uljes së rendimentit në prodhim, rritjes së kostove apo edhe uljes së numrit të kulturave që kultivohen.
Në këtë kontekst, nëse nuk merren masa, Shqipëria rrezikon të kthehet në një vend që importon shumë prej produkteve që dikur dhe sot i prodhon vetë.
Ndryshimet klimatike janë dukur si një nocion abstrakt për shumicën e njerëzve, por efektet e tyre kanë filluar të ndihen çdo vit e më shumë. Sa e kërcënuar është Shqipëria nga këto ndryshime në këndvështrimin tuaj?
Është e kërcënuar seriozisht. Ndryshimet klimatike, në radhë të parë, ndikojnë në tokë dhe ujë, që janë baza ku zhvillohen hallkat e zinxhirit ushqimor. Zhvillohet bujqësia, blegtoria, peshkimi, akuakultura, agrobiznesi, agropërpunimi, bletaria, bimët mjekësore, tregjet agroblegtorale, agroturizmi. Duhet të kemi parasysh të gjitha këto hallka të zinxhirit për të kuptuar se sa ndikim kanë tek njëra-tjetra. Ndryshimet klimatike, nëse i shohim me kujdes, kanë ndikuar te toka, sidomos në lidhje me erozionin.
Mungesa e masave për parandalimin e këtij fenomeni ka bërë që shpesh të hiqet dorë nga investime të caktuara. Erozioni heq pjesën më produktive të tokës dhe e çon atë në det. Ky është ndikimi i parë i rëndësishëm i kushteve klimatike. E dyta ka të bëjë me braktisjen e tokës. Shqipëria është vendi me më pak tokë bujqësore për frymë në rajon. Për fat të mirë, ne kemi pasur tokë, por me ndryshimet në vitet ’90 kemi zbritur në 410 mijë hektarë.
Janë rreth 110 mijë hektarë tokë pa zot, sepse nuk u pranuan nga fermerët të cilëve iu dha me Ligjin 7501. Këto janë në mëshirën e fatit dhe ndikimin e kushteve, për të mos thënë që janë të degraduara dhe pa produktivitet. Kemi 100 mijë hektarë që janë produktivë, por nuk punohen për shkak të braktisjes që iu është bërë nga poseduesit. Në këtë aspekt besoj se ka ndikuar fakti që nuk kemi dhënë certifikatat e pronësisë për shumicën e tokës bujqësore. Për këtë arsye kemi arritur në atë fazë ku investimet për këtë sipërfaqe toke janë pezulluar.
Duhet të jemi të bindur që askush nuk investon në tokë kur nuk ka certifikatë. Element tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me çështjen e blegtorisë. Ne kemi mbajtur 50% të tokës për kulturat foragjere që të ruajnë strukturën e saj, por edhe blegtoria po vjen duke u reduktuar dhe sipërfaqja e tokës që i kushtohet po ulet.
Lidhur me ujin, ai është pasuria më e madhe që kemi, gjithëvjetor dhe i pastër. Por kemi zbritur nga 400 mijë hektarë tokë të ujitura në 235 mijë hektarë. Një tokë që nuk ujitet, nën ndikimin e kushteve atmosferike, zjarreve, përmbytjeve, rrebesheve dhe thatësirës e redukton ndjeshëm prodhimin e saj. Natyrisht që kanë ndikuar dhe faktorë të tjerë, por vitet e fundit veçanërisht breshëri, përmbytjet dhe zjarri kanë ndikuar negativisht në sipërfaqe të konsiderueshme, duke bërë që të mos marrim prej saj atë që presim ose atë çfarë ka dhënë ndër vite kjo tokë.
Nuk duhet të harrojmë se kemi 647 rezervuarë për ujitje, por realisht pjesa më e madhe e tyre nuk kryen funksionin për të cilin janë krijuar për arsye nga më të ndryshmet, por më e rëndësishmja, mungesa e investimeve. Ne sot për gjithë zinxhirin bujqësor që jep 20-21% të PBB, marrim nga buxheti i shtetit vetëm 2.2%. Kjo është e pamjaftueshme për të mirëmbajtur njësinë bazë që është toka dhe uji.
Si e ndikojnë bujqësinë ndryshimet klimatike që sjellin temperaturat më ekstreme, thatësirat, përmbytjet? A i ndien bujqësia shqiptare këto ndryshime?
Ndikojnë tek ulja e prodhimit për njësi të sipërfaqes. Është ulur rendimenti, janë rritur kostot dhe janë reduktuar kultivarët që ndikojnë ndjeshëm tek mekanizimi. Të gjitha këto së bashku ulin nivelin e prodhimit në njësi për sipërfaqe dhe rrisim, nga ana tjetër, importet.
Ne kemi kapacitete në blegtori të furnizojmë me të gjithë asortimentet jo vetëm tregun vendas, por edhe më gjerë. Fakti është që sot importojmë 200 milionë euro në vit produkte ushqimore të këtij grupi dhe kjo shifër kaq e lartë vjen si rezultat i uljes së prodhimit dhe mbjelljes së kultivarëve në tokat tona që nuk janë më ato që kanë qenë nga pikëpamja e prodhueshmërisë.
Po të shohësh në zonën e Korçës ka nisur një përmbytje në zonën e Maliqit dhe kthimi në kënetë i shumë sipërfaqeve që për mangësi të hidrovorëve nuk bëjnë më tërheqje të ujit siç bëhej më parë. Ky fenomen quhet “moçalizim”, ku tokat produktive kthehen në moçal për shkak të mungesës së kullimit.
Po te kulturat që mbillen apo nuk mbillen më, si ka ndikuar ky aspekt? A kemi kultura bujqësore, të cilat për shkak të kushteve të reja nuk janë më me prodhimtari të lartë apo nuk përshtaten?
Po të shohim me kujdes në bujqësi, ne kemi reduktuar të gjithë kulturat industriale. Kemi reduktuar sipërfaqen e duhanit, jemi në minimum të kultivimit të lulediellit. Këto kanë qenë tradicionale për vendin. Hoqëm nga harta e prodhimeve, orizin.
Këtu nuk flasim për ngastra që mund ti gjejmë dhe sot tek-tuk, por prodhim masiv. Kjo nuk ka të bëjë më shumë me kushtet, sesa me investimet për të cilat ka nevojë sektori, si dhe për një politikë më solide për certifikatat e pronësisë. Të mbjellësh oriz kërkon investim, por askush nuk e bën atë nëse s’ka dokument. Që të jetë rentabël, orizi do kultivim në 400-500 hektarë. Ne kemi kushte shumë të mira për orizin cilësor nga Lushnja në Shkodër. Këtë e importojmë kur në fakt mund ta prodhojmë.
Luledielli dhe qiqra, nga ana tjetër, është mbjellë në zona kodrinore. Tani janë braktisur dhe sipërfaqe të tëra lihen djerrë. Foragjeret për blegtorinë janë braktisur pasi janë të lidhura me ujitjen. Për shembull, misri kërkon shumë ujë dhe ka kosto të lartë ndaj është braktisur dhe importohet, por dikur ai ka qenë rentabël. Duhani, nga ana tjetër, ka vetëm pak kultivim në Shkodër dhe Elbasan. Është një kulturë që kërkon profesionalizëm, toka të veçanta dhe treg.
Çfarë masash mund të merren për të ulur sadopak ndikimet negative që mund të vijnë si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike në bujqësi?
E para duhen certifikatat e pronësisë, që toka të shkojë tek pronari i vërtetë. Kjo është thelbësore për të nisur investimet për tokën. Duhet që ky 2,2% që bujqësia merr nga buxheti të dyfishohet pa humbur asnjë vit kohë. Ti jepet bujqësisë dhe gjithë zinxhirit ushqimor frymë. Duhet bërë vlerësimi i tokës. Kemi 20 vite që nuk bëjmë vlerësim, që të shohim dhe evidentojmë sa tokë është dëmtuar nga erozioni, çfarë perspektive ka ky fenomen në Shqipëri dhe të planifikojmë investimet për të përballuar pasojat.
Shqipëria është i vetmi vend që nuk përpunon mbetjet në zonat rurale, por ato hidhen drejtpërdrejt siç degradohen në natyrë. Ne elementin bazë që kërkon toka, plehun organik, e importojmë dhe kjo shkon deri në 10 mijë tonë, kur ne, mund të ishim eksportues të mëdhenj të plehut organik duke pasur parasysh blegtorinë dhe gjithë mbetjet organike që kemi në Shqipëri.
A ka sot një studim apo plan të mirëfilltë mbi tokën dhe pasojat që sjell indiferenca?
Jo, nuk ka një program për vlerësimin e tokës. Edhe Instituti i Tokës që ishte, u shkatërrua, por për mendimin tim duhet rikthyer dhe duhet fuqizuar më shumë sesa ka qenë. Duke pasur sipërfaqe bujqësore për frymë më të ulëtën në Europë, do na ndodhin probleme jashtëzakonisht të mëdha në zinxhirin ushqimor.
Nuk do kemi as agroturizëm, as blegtori, asnjë lloj zhvillimi të të gjitha hallkave të zinxhirit, pa vënë dorë në tokë dhe ujë. Kjo do të sjellë rritjen e vazhdueshme të importit, kosto të lartë të prodhimit, shtimin e tokës djerrë dhe lënien e saj në mëshirën e kushteve atmosferike. Çdo vend i botës në vendet e zhvilluara nuk i lë kullotat si tek ne, pa investim dhe shërbim. Nuk i lë pyjet pa asnjë lloj investimi për vite e vite të tëra.
Po kështu, kanalet vaditëse dhe kulluese. Ndaj nëse nuk operojmë tek toka për ta mirëmbajtur për të reduktuar erozionin dhe për të realizuar qarkullimin bujqësor, i cili është shumë i rëndësishëm për pasurimin e saj. Ne jemi i vetmi vend, i cili nuk ka një ligj për siguracionet nga kushtet atmosferike, një kusht i domosdoshëm për të përballuar pasojat që lënë ndikimet. Në shumë vende, pasojat jo vetëm kompensohen, por shteti është kontribuues tek primi i sigurimit.
Mungesa e kësaj është një element negativ që ka ekzistuar dhe ekziston në dëmet, të cilat shkaktojnë kushtet e vështira atmosferike. Fatkeqësitë dhe fenomenet që dëmtojnë bujqësinë kanë ardhur nga viti në vit, duke u shtuar dhe nuk janë shoqëruar me kompensim. Dëmi ka ngelur në kurriz të fermerëve të cilët e kanë të pamundur ta kompensojnë atë.
Lexoni edhe:
“Emergjencat që vijnë nga ndryshimet klimatike, Shqipëria e papërgatitur”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.