I famshëm për bazilikat, kalatë, verën, vilat historike dhe shëtitjet me varka, liqeni i Komos ka shumë për të parë dhe për të eksploruar.
I shtrirë rrëzë Alpeve, në rajonin e Lombardisë në Italinë e Veriut, liqeni piktoresk Komo, është i treti më i madh në vend.
Zona është e mbushur me qytete shekullore dhe një vijë bregdetare, që nuk ka të krahasuar. Kjo është ndoshta arsyeja pse Liqeni i Komos ka një reputacion midis të pasurve, ku njerëz të famshëm si George Clooney dhe Sir Richard Branson, fluturojnë për të pushuar në vilat e tyre buzë liqenit.
1.Bellagio
E njohur si Perla e Liqenit të Komos, Bellagio është një nga destinacionet më romantike në Lombardi dhe vendi i zgjedhur për ata, që duan të zhyten në bukurinë e Liqenit të Komos, por pa çmimet e shtrenjta të hoteleve.
Bellagio ka një qendër të gjallë, që degëzohet në rrugica të vogla të mbushura me restorante simpatike, bare vere dhe butikë me veshje.
2.Duomo Di Como
Katedralja e Santa Maria Assunta, e njohur më mirë si Katedralja Como ose Duomo di Como, mendohet të jetë një nga ndërtesat më të rëndësishme fetare në të gjithë Italinë Veriore.
Katedralja u ndërtua midis shekujve 14 dhe 18, me një fasadë gotike që admirohet më së miri nga sheshi i jashtëm.
Për shkak se katedralja është ndërtuar gjatë disa shekujve, ambientet e brendshme kanë elemente nga disa stile arkitekturore, duke përfshirë romake, rilindase dhe barok.
3.Forte Di Fuentes
I vendosur në pjesën veriore të liqenit Komo, Forte di Fuentes është një nga dëshmitë e vetme të dominimit spanjoll në zonë.
Forte di Fuentes u ndërtua në vitin 1603 dhe u la në gërmadha nga Ushtria e Napoleonit në 1796.
Tani, kalaja spanjolle me rrënojat e ish shesheve, kishave dhe kazermave të ushtrisë, është e hapur për ata që janë të interesuar në historinë lokale.
4. Mos harroni të shkoni për degustim vere
E vetmja herë që bukuria e liqenit të Komos bëhet edhe më e mire, është kur keni pirë një ose dy gota verë në brigjet e liqenit.
Liqeni Komo ndodhet në Lombardi, një rajon që prodhon disa nga verërat më të mira italiane.
Disa guida i shoqërojnë vizitorët nëpër kantina, por për ata që nuk preferojnë të kalojnë një ditë të tërë në vreshta, ka dyqane shumë të mira verërash ku mund të degustohen verërat më të mira vendase.
5.Brunate
Ka shumë qytete magjepsëse si Bellagio, Komo, Varenna dhe Menaggio përgjatë brigjeve të liqenit Komo, por veçantia e Brunate është se ndodhet në majë të një kodre me pamje nga liqeni.
Vizitorët mund të marrin një teleferik deri në Brunate nga Komo dhe të shikojnë sesi peizazhi ndryshon gradualisht, përgjatë udhëtimit shtatëminutësh deri në majë.
Ndërsa vetë qyteti është i vogël, pamjet ajrore të liqenit Komo nga Brunate, veçanërisht nga fari Voltiano, janë të mrekullueshme.
6. Vilat e Liqenit të Komos
Vilat e Liqenit të Komos janë padyshim një nga gjërat më të bukura për të parë në zonë.
Disa pallate historike me pamje nga liqeni, janë të hapura për t’u eksploruar nga vizitorët, dhe gjatë verës, ato madje organizojnë ngjarje me muzikë klasike në kopshtet e tyre dhe organizojnë turne me guida.
Disa, si Villa Melzi dhe Villa D’Este, janë të famshëm për kopshtet e tyre, ndërsa të tjerët, si Villa Monestero dhe Villa Bernasconi, janë të famshëm për muzetë dhe koleksionet e tyre të artit. / The Travel