Parlamenti i Bullgarisë miratoi ndryshimet në ligjin e Bankës Qendrore të vendit, në mënyrë që të lejojë pranimin e saj në “dhomën e pritjes” të Eurozonës. Që prej vitit 1999, Bullgaria ka operuar sipas një marrëveshjeje të bordit të monedhës të drejtuar nga FMN-ja, që lidh nivelin e saj të levës me euron me një normë fikse prej 1.95583.
Vendi i Ballkanit do të kërkonte të bashkohej brenda muajit prill me Mekanizmin e Kursit të Këmbimit, ERM2, i njohur si “dhoma e pritjes” për Eurozonën, tha ministri i Financave, Vladislav Goranov. Sidoqoftë, rregullat e ERM2 kërkojnë që Banka Qendrore e Bullgarisë të lejojë luhatjet e monedhave deri në 15% mbi ose nën normën qendrore.
Parlamenti votoi javën e kaluar t’i lejojë Bankës Qendrore që tani të operojë mbi këtë bazë. Sipas ndryshimeve, për sa kohë që Bullgaria është në ERM2, norma qendrore e lev-euro do të negociohet me Bankën Qendrore Europiane, shtetet anëtare të Eurozonës dhe Danimarkën.
Shteti anëtar më i varfër i BE-së do të duhet të kalojë të paktën dy vjet në “dhomën e pritjes” përpara se t’i lejohet që të anëtarësohet në Eurozonë.
Muajin e kaluar, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva e Bullgarisë, tha se pranimi i vendit në Eurozonë “deri në vitin 2023 është plotësisht i mundur”. Interpretimet kontradiktore të ndryshimeve ligjore kishin ngjallur spekulime për një zhvlerësim të mundshëm të levës përpara miratimit të euros.
Bullgarët nuk i kanë harruar kujtimet e hidhura të krizës më të keqe bankare dhe financiare të vendit në vitet 1996-1997, kur 14 banka falimentuan dhe inflacioni u rrit në 300%. Bordi i monedhës i drejtuar nga FMN-ja dhe norma fikse, e ndihmuan vendin që të kontrollojë atë hiperinflacion dhe të ruajë një nga raportet më të ulëta të borxhit në BE, prej 19.9% të PBB-së në fund të vitit 2019.
Për të qetësuar bullgarët, Parlamenti miratoi javën e kaluar një rezolutë ku thuhej se ai do të lejonte adoptimin e euros, vetëm nëse do ai do të bëhej sipas kursit aktual të këmbimit me 1.95583 lev. EURACTIV e pyeti Komisionin nëse ekzistonte një domosdoshmëri që Bullgaria të largohej nga kursi fiks i monedhës përpara se të bashkohej me Eurozonën.
Një zëdhënës kujtoi se kjo nuk ishte hera e parë që vendet me një kurs këmbimi fiks bëheshin pjesë e mekanizmit ERM2 dhe adoptonin euron, dhe se shtetet balltike ishin një shembull shumë i mirë në këtë drejtim. Në fakt, si Estonia, ashtu edhe Lituania, kishin kurse fikse të monedhës përpara se të bëheshin pjesë e ERM2 dhe norma e këmbimit të monedhave të tyre nuk u ndryshua edhe kur ato u bënë pjesë e këtij mekanizmi.
“Pjesëmarrja në ERM2 do të ruajë përmbajtjen e bordit të monedhës bullgare. Që nga momenti kur Bullgaria do të aplikojë dhe do të marrë pjesë në ERM2, një normë (qendrore) midis euros dhe levit do të përcaktohet sipas kornizës së ERM2. Kjo normë fikse midis levët dhe euros ka shumë mundësi që të jetë e njëjtë me atë të kursit aktual të bordit ekzistues të monedhës”, tha Komisioni në një përgjigje me shkrim për EURACTIV.