Të kryesuar nga deputeti më i vjetër, Silvi Kirilov, deputetët e Kuvendit të ri të 47-të Kombëtar të Bullgarisë, u betuan se në të gjitha veprimet e tyre, do të udhëhiqen nga interesat e popullit bullgar. Presidenti Rumen Radev mbajti një fjalim para deputetëve dhe popullit.
Shpresat në Parlamentin e ri janë të mëdha, është koha për një konsensus kombëtar, theksoi kreu i shtetit në fjalimin e tij.
“Shoqëria jonë është ende në kërkim të rrugës për të dalë nga status quo-ja e korrupsionit, por tashmë i ka thënë ‘jo’ shtetit të kapur dhe rivendosjes së autoritarizmit”, shtoi presidenti.
“Nuk mund të humbim më kohë dhe nuk mund të vazhdojmë të jetojmë nën populizëm dhe gënjeshtra. Konsensusi thelbësor kombëtar është konsensusi mbi shtetin e së drejtës dhe drejtësinë. Nëse duam që ky Parlament të zgjasë dhe të bëjë punën e tij siç duhet, ai duhet të ndjekë ligjin në çdo aspekt”, tha Rumen Radev.
Ai u bëri thirrje deputetëve që të ndërmarrin reformat dhe ndryshimet legjislative të vonuara prej kohësh. Presidenti bëri thirrje që të hiqet ombrella mbrojtëse mbi korrupsionin dhe abuzimin nga zyra e prokurorisë. Ai bëri thirrje për një ndjenjë të lartë përgjegjësie gjatë miratimit të buxhetit të ri për vitin 2022 dhe kërkoi nga deputetët që të diskutojnë mbi projektbuxhetin e propozuar. Zgjedhjet për Asamblenë e 47-të Kombëtare, mund të shënojnë fundin e tranzicionit, por kjo varet nga deputetët dhe puna e tyre, përfundoi Rumen Radev.