Një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian, uli aspiratat e Bullgarisë për një adoptim të shpejtë të monedhës Euro, pasi vendi ballkanik nuk i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara të hyrjes.
Nënkryetari i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, u tha gazetarëve përpara takimit me zyrtarët bullgarë, se vendi nuk do të bëhet anëtar i Eurozonës, para fillimit të vitit 2025.
Bullgaria, e cila është anëtarja më e varfër e BE-së, shpreson se euro do të nxisë ekonominë dhe sigurinë financiare të vendit, por një krizë e zgjatur politike ka ndryshuar axhendën.
Përpara zgjedhjeve të reja në prill – të pestat në dy vjet – partitë kryesore politike deklaruan si prioritet kryesor hyrjen e vendit në Eurozonën me 20 anëtarë, më 1 janar 2024.
Megjithatë, Dombrovskis vendosi një afat tjetër. Ai theksoi se pengesa kryesore për Bullgarinë është inflacioni, i cili është veçanërisht i lartë që kur Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës vitin e kaluar.
Megjithëse nga njëra anë, Bullgaria respekton financat publike, normat afatgjata të interesit dhe normat e qëndrueshme të këmbimit, ajo nuk arrin të përmbushë kriterin e inflacionit me një diferencë të konsiderueshme, gjë që e bën të pamundur hyrjen në Eurozonë, në fillim të vitit 2024.
Inflacioni i harmonizuar i Bullgarisë u rrit në 14.3% në bazë vjetore, në fund të vitit 2022.
“Le të shpresojmë se vonesa nuk do të jetë e gjatë dhe se pranimi do të jetë i mundur një vit më vonë”, tha ai për Televizionin Kombëtar Bullgar.
Dombrovskis shtoi gjithashtu se Bullgaria duhet të bëjë më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin, duke miratuar reforma në legjislacionin e pastrimit të parave.