Një studim nga Dhoma Gjermano-Bullgare e Industrisë dhe Tregtisë, tregon se korrupsioni, krimi dhe mungesa e transparencës në procedurat e prokurimit publik janë problemet kryesore me të cilat përballen bizneset në Bullgari, informoi reporterja e BNR Nataliya Ganchovska.
Sondazhi për mjedisin e biznesit në këtë vend është kryer për të 15-in vit midis anëtarëve të dhomës. 97% e të anketuarve thonë se do të investonin sërish në Bullgari, 41% e konsiderojnë këtë vend si tërheqës për investime. Pothuajse gjysma e pjesëmarrësve në studim (48%) e vlerësojnë si të mirë gjendjen e ndërmarrjes së tyre.
30% e ndërmarrjeve të anketuara planifikojnë të punësojnë punonjës të rinj, ndërsa 13% ka shumë të ngjarë të shkurtojnë stafin e tyre. Gjysma e ndërmarrjeve kanë vështirësi në gjetjen e punëtorëve të kualifikuar. Sipas biznesit, ishte e nevojshme të përfshiheshin elemente të sistemit të formimit të dyfishtë profesional, i cili ekziston në Gjermani.
87% e ndërmarrjeve vlerësojnë pozitivisht anëtarësimin e Bullgarisë në BE. 67% e të anketuarve dëshirojnë që të përdoret euro, ndërsa 18% jo. Për sa i përket infrastrukturës, ky vend renditet i 10-ti midis 16 vendeve në Europën Qendrore dhe Lindore.
Si në vitet e kaluara, pakënaqësia më e madhe e kompanive është shkaktuar nga lufta e pasuksesshme kundër korrupsionit dhe krimit – përkatësisht 81% e të anketuarve. 70% janë shumë të pakënaqur ose disi të pakënaqur për mungesën e transparencës në procedurat e prokurimit publik.
Në përgjigje të pyetjes “cilat pasoja të pandemisë së koronavirusit kanë pasur ndikimin më të madh në kompaninë tuaj?”, 69% e të anketuarve pohojnë kufizimet e udhëtimit dhe 47% anulimin e ekspozitave tregtare dhe panaireve. 61% e pjesëmarrësve në sondazh presin që ekonomia bullgare të rimëkëmbet në vitin 2022 dhe qarkullimi i ndërmarrjeve të tyre të kthehet në nivelet që ekzistonin para pandemisë.
Kur bëhet fjalë për masat e marra nga qeveria për të zbutur pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit, vetëm 15% janë të kënaqur dhe 25% janë të pakënaqur.
Gjermania është tregu më i rëndësishëm i huaj për produktet bullgare. Sipas të dhënave të Ministrisë Federale Gjermane për Çështjet Ekonomike dhe të Energjisë, tregtia midis Bullgarisë dhe Gjermanisë në vitin 2020 arriti në 8.207 miliardë euro, një rënie prej 3.6% në krahasim me vitin 2019, raporton BGNES.