Pyetja se si Bullgaria do të dalë nga kriza e shkaktuar nga epidemia e Covid-19, është bërë më aktuale kohët e fundit. Në këtë fazë, zgjidhja e saj lidhet kryesisht me masat për mbështetjen e segmenteve më të prekura të ekonomisë kombëtare – pra ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Kjo është vërtetuar nga Forumi Kombëtar i Biznesit 2020, i planifikuar dhe i organizuar nga Klubet e Bashkuara të Biznesit në Bullgari, me mbështetjen e Agjencisë Bullgare të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Tema kryesore e forumit – “Masat në mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme gjatë gjendjes së jashtëzakonshme” – tregon qartë se axhenda e tanishme do të përqendrohet në veprimet e autoriteteve bullgare pas gjendjes së jashtëzakonshme, që do të përfundojë më 13 maj ose më herët.
Ministrja bullgare e Punës dhe Politikës Sociale, Denitsa Sacheva, e bëri të qartë se masat në mbështetje të NVM-ve bullgare që kanë qenë në fuqi që nga marsi, do të mbeten edhe pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, deri në mes të qershorit. Aktualisht, barra e ruajtjes së punësimit ndahet midis shtetit dhe bizneseve në një raport 60/40, por ministrja Sacheva e bëri të qartë se kjo mund të ndryshojë dhe biznesi mund të fillojë të paguajë edhe më pak.
Forumi Kombëtar i Biznesit do të diskutojë gjithashtu grupin e ri të masave nga i ashtuquajturi Fondi i Fondeve, të shpallura dy javë më parë. Bullgaria do të mbështesë me mbi 600 milionë euro, grupe të ndryshme sipërmarrëse dhe komunitare përmes këtij fondi. Sidoqoftë, përdorimi i fondeve sipas programeve të menaxhuara direkt nga Komisioni Europian dhe Bashkimi Europian, do të jetë subjekt i diskutimeve.
Komisioni miratoi një propozim nga Fondi i Fondeve për lehtësimin e termave të përdorimit të instrumenteve financiare në mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe kompanive start-up. Falë këtij miratimi, rreth 400 kompani start-up dhe kompani inovative në fushën e bioteknologjisë, robotikës, teknologjive të informacionit dhe farmacisë, kanë akses ndaj 150 milionë eurosh.
Aktualisht, kabineti bullgar po përballet me një detyrë jashtëzakonisht të vështirë. Nga njëra anë, është i detyruar të veprojë shpejt për shkak të kritikave të opozitës, e cila thotë se qeveria nuk ka një plan konkret për të dalë nga kriza. Nga ana tjetër, ajo duhet të ndërmarrë hapa të kujdesshëm për shkak të situatës së paparashikueshme në Bullgari dhe gjetiu, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Qeveria miratoi Programin e Konvergjencës 2020-2030. Kabineti nuk ka mundësuar të dhëna konkrete afatmesme dhe ka folur kryesisht për zhvillimet e pritura në borxhin e konsoliduar të shtetit, deficitin dhe efektet e parashikuara të masave që synojnë tejkalimin e ngërçeve ekonomike. Megjithatë, ndryshe nga programi i konvergjencës, kabineti qeveritar duhet të marrë masa kryesisht afatshkurtra për të dalë nga kriza e Covid-19. Së shpejti do të mësojmë planin e autoriteteve bullgare për të dalë nga kriza.