Parashikimi ekonomik i vjeshtës nga Komisioni Europian dhe korniza afatmesme makroekonomike trevjeçare e Ministrisë së Financave të Bullgarisë, janë publikuar së fundmi. Brukseli parashikon që Bullgaria të arrijë një rritje të PBB-së prej 3,8% këtë vit dhe 4,1% vitin e ardhshëm. Financuesit bullgarë janë paksa më optimistë dhe parashikojnë se në vitin 2021, rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) do të arrijë në 4%, dhe në vitin 2022 në 4,9%.
Në të dyja dokumentet, rritja parashikohet të vijë nga investimet, si ato publike dhe private, ndërsa fokusi është te fondet e BE-së në kuadër të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë. Parashikimi është i mirë në sfondin e rënies ekonomike vitin e kaluar, por do të ishte një arritje relativisht modeste krahasuar me ritmet shumë më të shpejta të rritjes ekonomike në një sërë shtetesh anëtare të BE-së, që parashikojnë një rritje të PBB-së prej 6-8% në vit.
Këtë vit, pas disa vitesh stanjacioni çmimesh, inflacioni pritet të arrijë në 3.8%, sipas Ministrisë së Financave. Analistët europianë parashikojnë rritje më të ulët të inflacionit në Bullgari dhe thonë se viti do të mbyllet në nivelin 2.4%, me një parashikim prej 2.9% për vitin e ardhshëm.
Kjo shkaktohet nga çmimet e larta të energjisë dhe efektet e tyre dytësore. Këto parashikime duken paksa të çuditshme duke marrë parasysh se inflacioni vjetor për muajin tetor është 6%, ndërkohë që 80% e kompanive bullgare janë të shqetësuara për çmimet e energjisë dhe të lëndëve të para vitin e ardhshëm, sipas një sondazhi europian.
Ekonomia bullgare përballet me një sërë sfidash, duke përfshirë paqëndrueshmërinë politike në gjashtë muajt e fundit. Kjo ndikon në klimën e biznesit në vend. Megjithatë, ekonomia e ka përballuar këtë situatë dhe parashikon rritjen e sigurisë dhe parashikueshmërisë në të ardhmen.