“Dita e pafat” e së premtes së datës 13 nëntor solli një lajm të mirë për ekonominë bullgare – në tremujorin e tretë të vitit 2020, ekonomia arriti të kompensojë gati gjysmën e humbjeve që pësoi gjatë shembjes në tremujorin e dytë të shkaktuar nga situata emergjente Covid-19, tregon vlerësimi i PBB-së, i publikuar nga Instituti Kombëtar i Statistikave. Rritja e PBB-së në bazë tremujore arrin në 4,3%, pasi rënia në tremujorin e dytë në krahasim me të parin ishte 10%.
Në praktikë, procesi i rimëkëmbjes po zhvillohet dhjetë herë më shpejt sesa parashikoi Komisioni Europian në analizën e tij të fundit – parashikimi ishte 0,4% rritje në Bullgari krahasuar me tremujorin e dytë. “Nëse e mbajmë këtë ritëm, brenda një viti do të harrojmë se kishim një krizë”, komentoi ekonomisti Georgi Angelov në faqen e tij në Facebook.
Ia vlen të përmendet se motori kryesor i kësaj rritjeje në Bullgari është konsumi përfundimtar i mallrave dhe shërbimeve, i cili është rritur me 9,8% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ai shfaqi një rritje prej 9,3% edhe në bazë vjetore, pavarësisht faktit se në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2019, PBB-ja u ul me 5,2%, sipas vlerësimeve të shprehura. Korriku, gushti dhe shtatori ishin muajt kur konsumi i mallrave dhe shërbimeve filloi të rritet ngadalë, pasi dhjetëra struktura tregtare në qytetet e mëdha u mbyllën në tremujorin e dytë.