Pas ndryshimit të pronësisë te grupi i investitorëve bullgaro shqiptare, Kompania Telekom Albania ka njoftuar drejtuesit e rinj.
Kompania do të drejtohet nga zoti Emil Georgakiev, në pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv të Telekom Albania. Ai vjen me përvojë dhe njohuri të gjera në sektorin e telekomunikacionit, duke qenë prej më shumë se dhjetë vitesh pjesë e ekipit drejtues të kompanisë bullgare të telekomunikacionit Vivacom.
Pronësia e kompanisë është transferuar plotësisht nga Grupi OTE (Pjesë e Grupit Deutsche Telekom) tek Albania Telecom Invest (“ATI”), e cila përfaqëson një grup investitorësh të njohur. ATI drejtohet nga Z. Spas Roussev, aksioneri kryesor i Vivacom, operatorit më të madh të pavarur të telekomunikacionit në Europën Juglindore, si edhe nga Z. Elvin Guri, investitor shqiptaro-bullgar.
“Ne vlerësojmë dhe çmojmë atë çfarë Telekom Albania ka arritur ndër vite, duke i paraprirë zhvillimit të telefonisë së lëvizshme dhe teknologjisë në vend”, deklaron Z. Spas Russev. “Ndërkohë, ne jemi të vendosur, – vijon ai, – të bëjmë investime të konsiderueshme, në mënyrë që Telekom Albania të bëhet operatori kryesor në Shqipëri dhe një prej kompanive më të suksesshme të telekomunikacionit në rajon”.
“Telekom Albania do të rrisë më tej angazhimin e saj për të sjellë në tregun shqiptar risi teknologjike të cilat do t’u shërbejnë individëve dhe bizneseve shqiptare”, u shpreh
Z. Elvin Guri.
Sipas njoftimit për shtyp, kompania do të vazhdojë të ketë në fokus risitë teknologjike dhe do të vazhdojë gjithashtu të ruajë bashkëpunimin e mirë me të gjithë partnerët dhe furnitorët e saj.
Shitja
Grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom – dhe zotëron 99.79% të aksioneve të Telekom Albania – njoftoi zyrtarisht në 23 janar se “OTE ka hyrë në një marrëveshje për të shitur kuotën e saj të plotë në Telekom Albania Sh.A. (Telekom Albania) te kompania bullgare Albania Telecom Invest AD për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Albania Telecom Invest AD kontrollohet nga z. Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor bullgaro-shqiptar”.
Telekom Albania kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, ndërsa raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar. Humbjet erdhën pas një periudhe të artë, kur OTE, që bleu Telekom Albania (ish-AMC) për 80 milionë euro në vitin 2000, shënonte fitime mjaft të larta.
Rekordi është arritur në vitin 2008, me fitime para taksave që ishin rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008-s, fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017.
Aksionerët e rinj
Albania Telecom Invest AD është krijuar më 21 nëntor 2018 me kapital aksioner prej 50 mijë BGN (leva bullgare), rreth 25 mijë euro. Dy janë aksionerët e saj: Spas Dimitrov Roussev me 51% të aksioneve dhe Elvin Vehip Guri me 49% të aksioneve, sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Bullgar i Tregtisë, të dhënat e të cilit u mundësuan për “Monitor” nga “SEE News”, njësia inteligjente bullgare për lajme biznesi e kërkime tregu për Europën Juglindore.
Spas Dimitrov Roussev është një sipërmarrës bullgar, i cili në vitin 2016 ishte në krye të konsorciumit që mori kontrollin e operatorit kryesor bullgar të telefonisë celulare Vivacom (të regjistruar si Kompania Bullgare e Telekomunikacionit, BTC) nga VTB Capital (krahu i bankingut investues i ruses VTB) dhe ka rolin e partnerit strategjik edhe tek Albania Telecom Invest AD, përmes njohurive në fushën e telekomunikacionit.
Elvin Guri, një sipërmarrës bullgar me origjinë nga Shqipëria, i cili u largua për në Bullgari në vitin 1992 për të ndjekur studimet në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, e nisi aktivitetin me institucionin jo bankar financiar JetFinance, të cilin ia shiti më pas grupit francez BNP Paribas. Përpara se të bëhej sipërmarrës, Guri punoi për PriceëaterhouseCoopers dhe BERZH në Sofje dhe Londër.
Aktualisht në Bullgari, Elvin Guri është aksioner 100% i fondit bullgar River Styxx Capital EAD, të krijuar në vitin 2008 dhe që ka një kapital themeltar prej 71,429 BGN (rreth 36.5 mijë euro). River Styxx Capital raportoi të ardhura prej rreth 417 mijë eurosh në 2017-n dhe humbje prej rreth 530 mijë eurosh. 2015-a ishte më i miri i tre viteve të fundit, teksa të ardhurat ishin rreth 1.15 milionë euro dhe fitimet 382 mijë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Bullgar i Tregtisë.
Në Shqipëri, River Styxx Capital hyri në vitin 2011, përmes blerjes së 19.72% të aksioneve të shoqërisë që vepronte në fushën e mikrofinancës, Final, duke e rritur gradualisht zotërimin deri në 38.11 % (aksionerë të tjerë të Final ishin Balfin me 38.4% dhe disa individë).
Në gusht 2018, River Styxx Capital e shiti gjithë kuotën që zotëronte në Final, së bashku me aksionerët e tij, tek shoqëria e mikrofinancës, IuteCredit, që tashmë zotëron 100% të Final.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.