Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon se ekonomia bullgare do të rritet me 3.2% këtë vit, dhe me 4.5% në vitin 2023, sipas raportit të fundit “Perspektiva Ekonomike Botërore”.
Vlerësimi i rritjes ekonomike të FMN-së për vitin 2022, është më i ulët se parashikimi në raportin e Perspektivës Ekonomike Botërore për vitin e kaluar, i cili parashikonte një rritje prej 4.4%.
Ky raport parashikoi gjithashtu një rritje prej 4.4% për vitin 2021, por sipas vlerësimeve aktuale, ekonomia e Bullgarisë u rrit me 4.2% vitin e kaluar.
Në përgjithësi, raporti parashikonte se ekonomia globale do të rritej me 3.6% në vitin 2022, krahasuar me parashikimin e rritjes prej 4.4% në raportin e Perspektivës Ekonomike Botërore, të prillit 2021. Parashikimi për vitin 2023 tregon gjithashtu një rritje prej 3.6%.
Arsyeja kryesore e përkeqësimit të perspektivës ekonomike globale ishte pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe “sanksionet që synonin t’i bënin presion Rusisë për t’u dhënë fund armiqësive”, thuhet në raport.
“Kjo krizë shpaloset ndërsa ekonomia globale ishte në një rrugë përmirësimi, por ende nuk ishte rimëkëmbur plotësisht nga pandemia COVID-19, me një hendek të madh midis rimëkëmbjes së ekonomive të zhvilluara dhe atyre të tregjeve në zhvillim”, tha FMN-ja.
Ekonomia në rajonin e Europës në zhvillim, që përfshin Bullgarinë, pritet të tkurret me 2.9%, për shkak të parashikimit të një tkurrjeje prej 8.5% të ekonomisë ruse dhe një rënieje prej 35% të ekonomisë së Ukrainës, siç është vlerësuar nga FMN-ja.
“Efektet ekonomike të luftës po përhapen gjerësisht – si valët sizmike që burojnë nga epiqendra e një tërmeti – kryesisht nëpërmjet tregjeve të mallrave, tregtisë dhe lidhjeve financiare”, thuhet në raport.
FMN-ja vuri në dukje se Rusia është një furnizues kryesor i naftës, gazit dhe metaleve, dhe së bashku me Ukrainën, furnizues kryesor i grurit dhe misrit. “Rënia aktuale e ofertës së këtyre mallrave tashmë i ka rritur ndjeshëm çmimet”, tha Fondi.
“Për shkak të natyrës së goditjes, ne theksojmë se pasiguria rreth këtyre parashikimeve është e konsiderueshme, shumë përtej intervalit të zakonshëm. Rritja mund të ngadalësohet ndjeshëm, ndërkohë që inflacioni mund të dalë më i lartë se sa pritej, nëse për shembull, sanksionet që synojnë t’i japin fund luftës, prekin më gjerë energjinë ruse dhe eksportet e tjera”, thuhet në raport.