Një pjesë e madhe e ekonomisë bullgare funksionon sipas ligjeve të vendosura, duke paguar të gjitha taksat e detyrueshme, pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Por, sipas disa vlerësimeve të fundit nga sindikata dhe punëdhënës të ndryshëm, Bullgaria ka edhe një sektor të ekonomisë, i cili operon në mënyrë të paligjshme dhe që përbën 20 deri në 30% të PBB-së.
Kjo u qartësua edhe në një forum të organizuar nga Shoqata Bullgare e Kapitalit Industrial (BICA) dhe Qendra Kombëtare për Transparencë Ekonomike. Sipas tij, pjesa që zë ekonomia gri në totalin e ekonomisë në këtë vend ka shënuar ulje me rreth një të pestën. Rritja prej 4.5% e bizneseve ligjore që u shënua në vitin 2018, është njëkohësisht edhe më e larta e shënuar në pesë vitet e fundit.
Disa prej faktorëve kanë qenë stabiliteti financiar dhe ai ekonomik dhe masat e ndërmarra për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të zvogëluar nivelin e ekonomisë gri në vend.
Kryetari i Shoqatës Bullgare të Kapitalit Industrial (BICA), Vassil Velev, ka kujtuar se ekonomia gri jo vetëm që dëmton thesarin, por është edhe një formë e konkurrencës së padrejtë ndaj kompanive që punojnë sipas rregullave të caktuara.
Shoqata BICA ka raportuar dështime të vazhdueshme në disa politika qeveritare. Për shembull, vazhdon të ekzistojë pozita e privilegjuar e prodhuesve të energjisë elektrike ndaj atyre të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe konkurrenca e pandershme e të ashtuquajturave termocentrale amerikane në sektorin e energjisë. Megjithatë, tendencat janë të qarta dhe kohët e ekonomisë së egër të tregut dhe të paligjshmërisë thuajse janë zhdukur prej kohësh.
Sot është më e lehtë dhe madje më fitimprurëse për të bërë biznese të ligjshme. Merita, në këtë drejtim, nuk i shkon vetëm autoriteteve të biznesit, por edhe autoriteteve vendore, të cilat janë përpjekur t’ia lehtësojnë këtë proces edhe bizneseve të vogla dhe jo vetëm atyre të mëdha.
Në këtë drejtim, autoritetet vendore po krijojnë korniza më të mira ligjore, në mënyrë që ato të funksionojnë sa më mirë për bizneset e ndryshme dhe duke i mbajtur këta të fundit larg nga ekonomia gri.
Edhe pse sektorë të ndryshëm të ekonomisë bullgare vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, si për shembull sektori i turizmit, transportit, ndërtimit, kjo nuk duhet të na bëjë aspak pesimistë, tha Vasil Velev. Në vitin 1993, PBB-ja e Bullgarisë për banor arrinte në 3.573 dollarë amerikanë. Më 1997, ajo u rrit në 3.810 dollarë amerikanë, dhe në 2017 ajo arriti në 8.331 dollarë amerikanë për banor, ose rreth 2.3 herë më shumë. Kjo është arritur falë 350 mijë sipërmarrësve në Bullgari dhe arsyeja se përse shembujt e mirë duhet të përmenden më shumë dhe mbi të gjitha, të merren si modelet e duhura për t’u ndjekur, për t’u rritur më tej profesionalisht, tha kryetari i shoqatës BICA. Në këtë forum, disa prej shembujve të suksesit u vlerësuan edhe me çmime, ndër të cilët mund të përmendim Koalicionin e Patriotëve të Bashkuar, Inspektoratin Ekzekutiv dhe Zyrën Bullgare të Punës.
Ekspertët parashikojnë se në pesë vitet e ardhshme, sektori gri i ekonomisë bullgare do të bjerë në një nivel të pranueshëm europian prej rreth 13-15%. Sipas ministrit të Çështjeve Sociale, Biser Petkov, gjithnjë e më shumë punëtorë janë ndërgjegjësuar nga fakti se janë pikërisht ata që do të pësojnë humbjen më të madhe nëse do të punojnë në të zezë.
Edhe pse aktualisht ata mund të jenë të kënaqur nga niveli i lartë i pagës që marrin si pasojë e mosdeklarimit të sigurimeve shoqërore apo nga taksat e papaguara, nuk duhet të harrojnë një fakt të rëndësishëm, se, nëse vazhdojnë të punojnë në të zezë, niveli i pensioneve që ata do të përfitojnë në të ardhmen do të jetë minimal.
Ata nuk janë të vetmit që do të dalin të humbur nëse punojnë në të zezë. E gjithë shoqëria do të pësojë humbje, si pasojë e reduktimit të të ardhurave tatimore dhe sociale, të cilat kufizojnë aftësitë e shtetit për të investuar në sisteme të rëndësishme publike, si kujdesi shëndetësor, arsimimi dhe sisteme të tjera shoqërore.
/ NOVITE.COM