Sipas alarmit të dhënë nga Shoqata Industriale Bullgare, investimet e huaja në këtë shtet thuajse janë zhdukur fare në dhjetë vitet e fundit.
Në vitin 2007, investimet e huaja në këtë vend arritën në gati 9 miliardë euro. Dhjetë vjet më vonë, në 2017-n, ato ishin në më pak se 900 milionë euro.
Në vitin 2007, investimet e huaja përbënin 28% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, ndërsa në vitin 2017 ato përbënin vetëm 2% të PBB-së së Bullgarisë. Në gjysmën e parë të vitit 2018, investimet e huaja vazhduan të pakësohen. Ato u ulën nga 487.2 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2017 në 246.2 milionë euro në të njëjtën periudhë gjatë këtij viti.
Të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit me zhvillim të ngjashëm ekonomik tërhoqën një numër më të madh investimesh të huaja në krahasim me Bullgarinë. Shtetet fqinje si Bullgaria, Greqia, Turqia dhe Serbia arritën të tërheqin më shumë kapital të huaj, theksohet më tej në raportin e Shoqatës Industriale Bullgare.
Ky vend nuk ka kapital të mjaftueshëm vendas për të modernizuar dhe për të fuqizuar më tej ekonominë dhe për të rritur standardin e jetesës së qytetarëve të saj dhe mbështeten kryesisht në injektimet financiare të huaja. Tregu bullgar është gjithashtu shumë i vogël, jo vetëm për shkak të numrit të vogël të popullsisë bullgare, por për shkak se ky është vendi më i varfër në të gjithë Bashkimin Europian, ndaj edhe nuk është atraktiv në sytë e investitorëve të mëdhenj globalë.
Aksesi në tregun e vetëm europian është një argument i cili duhet të nxisë shumë kompani jashtë BE-së që të investojnë në Bullgari dhe ta bëjnë këtë vend një portë drejt Bashkimit. Megjithatë, investitorët më të mëdhenj në Bullgari janë praktikisht nga shtetet anëtare të BE-së. Sipas analizës së Shoqatës Industriale Bullgare, Holanda ishte investitori më i madh në Bullgari gjatë 2017-s.
Bullgaria tërhoqi nga ky shtet anëtar i BE-së, 885 milionë euro vitin e kaluar. Gjermania është investitori i dytë më i madh në vend, ndërsa Zvicra i treti, të cilët investuan secili rreth 130 milionë euro.
Fqinjët e Bullgarisë si Turqia dhe Greqia gjithashtu investuan një shumë të konsiderueshme parash vitin e kaluar, rreth 80 milionë euro secila.
Bullgaria deri vonë është mbështetur në fuqinë e lirë punëtore për të tërhequr investitorët e huaj.
Megjithatë, aktualisht ekziston një deficit i fuqisë punëtore në Bullgari dhe kompanitë që veprojnë në territorin e saj kanë vështirësi në gjetjen e personelit të kualifikuar, si pasojë e numrit të madh të personave që kanë emigruar jashtë.
Prandaj edhe emigrantët bullgarë janë aktualisht investitori më i madh i huaj. Në vitin 2017, ata transferuan në Bullgari mbi 1.15 miliardë euro ose 284 milionë euro më shumë në krahasim me vitin 2016.
Qytetarët dhe kompanitë që operojnë në Bullgari paguajnë një taksë të sheshtë prej 10%, e cila është një avantazh i fortë i këtij vendi. Përkrahësit e këtij modeli tatimor shpresonin se ai do të tërhiqte kapital të huaj, por me sa duket ata u gabuan, sepse që nga futja e saj në 2008, investimet e huaja kanë shënuar rënie vit pas viti.
Sipas kërkimeve sociologjike, sipërmarrësit e huaj nuk i kushtojnë vëmendje të madhe një takse të tillë, por sipas tyre, disa prej arsyeve kryesore se përse nuk investojnë në një vend si Bullgaria është për shkak të transportit të keq, infrastrukturës energjetike me probleme, institucioneve të paafta, administratës dhe sistemit gjyqësor të korruptuar, mungesës së stabilitetit, etj.