Investime të mëdha duhet të bëhen akoma në sistemet e ujësjellësit në Bullgari dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto fonde të përdoren në mënyrë sa më efikase. Para se të fillojmë t’i shpenzojmë ato pak nga pak, ne duhet të bazohemi në praktikat dhe përvojat më të mira të vendeve të tjera që kanë përparuar në këtë drejtim.
Këto ishin ato që u tha gazetarëve presidenti Rumen Radev pas vizitës që bëri në kompaninë që administron sistemin e ujësjellësit të Jeruzalemit.
Kreu i shtetit zhvilloi një vizitë në Izrael për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 75-vjetorit të çlirimit të Aushvicit dhe Ditës Përkujtimore të Holokaustit, njoftoi zyra e shtypit të Presidencës.
“Është mbresëlënës fakti se si një shtet ekstremisht i varfër sa u takon burimeve ujore siç është Izraeli, të arrijë të shndërrojë shkretëtirën në kopshte të lulëzuara. Përkundrazi, Bullgaria, shumë e pasur me burime ujore, ka marrë një rrugë krejtësisht të kundërt nga ajo e Izraelit. Për më tepër, kjo situatë është edhe rezultat i mungesës së një vizioni të qartë dhe qeverisjes së mirë”, theksoi Rumen Radev.
Sipas fjalëve të Presidentit, Izraeli me sa duket ka një vizion të qartë afatgjatë, politikë racionale dhe mbi të gjitha qeverisje të mirë. Humbjet përgjatë sistemit të transportit të ujit në Jeruzalem janë 7 për qind në vit dhe ndarja e ujit dhe cilësia e tij janë vënë re në kohë reale.
Kreu i shtetit tha se atij i ishte ofruar nga presidenti Reuven Rivlin, nga kryetari i Parlamentit, Yuli-Yoel Edelstein, dhe gjithashtu edhe nga kompania që administron burimet ujore të Jeruzalemit, ekspertiza e nevojshme në drejtim të mirëmenaxhimit të sistemit të ujësjellësit në Rumani.
“Shpresoj që qeveria jonë të dijë ta shfrytëzojë sa më mirë këtë mundësi”, theksoi më tej presidenti Radev.
Gjatë vizitës së tij në Jeruzalem, presidenti Radev vizitoi Qendrën Peres për Paqe dhe Inovacion, e themeluar në vitin 1996 nga shtetasi me origjinë izraelite, Shimon Peres. Organizata synon të forcojë paqen dhe dialogun në Lindjen e Mesme përmes fillimit të projekteve të përbashkëta në ekonomi, mjekësi, arsim dhe sport, dhe gjithashtu të promovojë dialogun midis njerëzve.
Sipas fjalëve të presidentit, çdo vend që respekton të kaluarën dhe mendon për të ardhmen e tij duhet të ketë një qendër të tillë. “Ne gjithashtu mund t’i tregojmë mbarë botës, shumë prej aftësive tona në fusha të ndryshme të shkencës dhe inovacionit, të cilat mund të frymëzojnë të rinjtë”, tha presidenti, duke shtuar më tej se edhe kjo është një sferë tjetër e mundshme e partneritetit midis Bullgarisë dhe Izraelit.
Në Jeruzalem, Rumen Radev vizitoi edhe kompaninë autonome të automobilave, “Mobileye”, e cila filloi si një kompani që programonte softuere për lehtësimin e trafikut rrugor dhe përmirësimin e mjedisit urban, ndërsa tani punon aktualisht në prodhimin e makinave me vetëdrejtim, në partneritet edhe me disa prej liderëve botërorë të prodhimit të automobilave.
Presidenti Radev përfaqësoi Bullgarinë në Forumin e Pestë të Holokaustit Botëror, në memorialin e Yad Vashem.
Në eventin që shënoi gjithashtu edhe 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit dhe Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, morën pjesë më shumë se 40 krerë shtetesh dhe krerë të qeverive nga e gjithë bota.