Së bashku me Kroacinë, Bullgaria është ndër të paktat shtete të reja anëtare të Bashkimit Europian që kanë deklaruar zyrtarisht dëshirën e tyre për t’u anëtarësuar në Eurozonë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të adoptojnë euron si monedhën e tyre zyrtare. Në Bullgari, kjo ambicie është shoqëruar edhe me miratimin e një numri masash të miratuara për të përmbushur kërkesat e Eurozonës.
Ndryshimet legjislative janë miratuar, bankat kanë kaluar testet e stresit, deficitet buxhetore janë nën kontroll dhe borxhi i jashtëm është i ulët. Bazuar në këta tregues, ecuria e vendit është më e mirë se ajo e shumë të tjerave që e kanë adoptuar tashmë euron. Vetëm niveli i inflacionit është më i lartë sesa niveli i pranueshëm.
Javën e kaluar, partitë në Parlament arritën një konsensus politik për anëtarësimin në Eurozonë. Në këto rrethana të favorshme, autoritetet nuk ndalen së theksuari se ky vend është de fakto i gatshëm për të hyrë në mekanizmin ERM II, i quajtur edhe si “dhoma e pritjes” për zonën e euros. Në takimin e 14-të vjetor të qeverisë me biznesin u deklarua zyrtarisht se pritshmëritë që Bullgaria të bëhet pjesë e këtij mekanizmi, janë deri në fund të muajit prill të këtij viti.
Drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, bullgarja Kristalina Georgieva, tha për BNR se progresi i vendit mund të shoqërohet me adoptimin e euros, por sipas saj, kjo nuk do të ndodhë deri në vitin 2023.
Ditë më parë në Davos, znj. Georgieva u takua me Christine Lagarde , Presidenten e Bankës Qendrore Europiane (BQE). Sipas kësaj të fundit, Bullgaria do të dëgjohej në dhomën e saj të mbledhjeve të Eurozonës, shtoi shefja e FMN-së.
Autoritetet thonë se përpara hyrjes në Eurozonë, bordi i valutave në vend do të mbetet i paprekur dhe ndryshimi në euro do të ndodhë me kursin aktual të këmbimit 1.956 leva bullgare për 1 euro. Ato gjithashtu zotohen se gjatë këtij tranzicioni, çmimet e mallrave dhe shërbimeve nuk do të rriten dhe se ekonomia bullgare do të jetë në gjendje të mbështetet për të ruajtur stabilitetin e saj në fondin e shpëtimit të Eurozonës, i cili llogaritet të jetë në vlerën prej 800 miliardë eurosh.
Ndërkohë, agjencia e sondazheve, Trend, publikoi një studim mbi qëndrimin e bullgarëve ndaj euros dhe rezultatet nuk janë tërësisht në avantazh të qeverisë. Sipas Klubit të Ekspertëve për Ekonomi dhe Politikë, të cilët ishin edhe ata që e kërkuan kryerjen e një sondazhi të tillë, 50% e bullgarëve të rritur janë kundër adoptimit të euros dhe vetëm 19% e mbështesin atë. 54% e të anketuarve dëshirojnë një referendum për zëvendësimin e levit bullgar si monedhë kombëtare.
Vetëm 19% bien dakord me qeverinë për t’u bërë pjesë e mekanizmit, ERM II dhe për të adoptuar euron.
Mosbesimi i bullgarëve në të dy monedhat është i ulët -14% ndaj levit bullgar dhe 10% ndaj euros, por në të dyja rastet mosbesimi është i përqendruar te të anketuarit e moshuar. 60% e bullgarëve të rritur e konsiderojnë levin bullgar si një monedhë të qëndrueshme. Kjo shpjegohet me faktin se në Bullgari euroja në të vërtetë funksionon si një monedhë zyrtare sepse ka një kurs të këmbimit fiks ndaj levit. Kjo i jep qëndrueshmëri monedhës kombëtare, ekuivalente me euron. Nuk është rastësi që disa çmime në vend janë në euro, për shembull të gjitha pasuritë e paluajtshme.
Bullgarët duan një referendum mbi euron vetëm sepse kanë frikë se procesi i tranzicionit do të bëjë që çmimet të rriten dhe kjo do të ndikojë në zvogëlimin e fuqisë së tyre blerëse. Duke marrë parasysh që Bullgaria është shteti anëtar i Europës me nivelin më të ulët të të ardhurave, arsyetimi i mësipërm merr akoma edhe më shumë rëndësi, duke ua vështirësuar akoma më shumë punën ekspertëve apo politikanëve në bindjen e bullgarëve se një mendim i tillë është i gabuar.
Një dozë e caktuar pesimizmi të shëndetshëm dhe kujdesi nuk është asnjëherë e tepërt, veçanërisht kur bëhet fjalë për një ndryshim kaq të rëndësishëm siç është adoptimi i euros.
Të shumtë janë ata që shkojnë edhe më tej, duke parashikuar se nuk do të ketë bashkëjetesë midis levit bullgar dhe euros në një të ardhme të afërt, dhe kjo kryesisht si pasojë e faktorëve politikë. Bëhet fjalë për imazhin e Bullgarisë si vendi më i varfër, por edhe si vendi më i korruptuar në BE.
Janë të shumta forcat me ndikim në Eurozonë që ndajnë këtë mendim dhe që janë shprehur se vazhdimisht se derisa kjo të ndryshojë, Bullgaria nuk do të pranohet në Bashkimin Europian. Pra, edhe nëse pranohet në mekanizmin e monedhës ERM II, vendi ndoshta do të qëndrojë në “dhomën e pritjes” për një kohë të pacaktuar, si pasojë e arsyeve të lartpërmendura politike.