Bullgari, kompanitë rrisin investimet jashtë vendit

15/02/2019 10:01 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Në vitin 2018, investimet e huaja në Bullgari u zvogëluan me mbi gjysmë miliard euro, duke arritur në 800 milionë euro, sipas të dhënave paraprake (nga nëntori 2018) të Bankës Kombëtare Bullgare. Ndërkohë, kompanitë bullgare investuan jashtë vendit gati 280 milionë euro.

Presidenti bullgar, Rumen Radeb, vuri në dukje disa ditë më parë se autoritetet duhet të marrin masa për të nxitur investimet e huaja në vend.
Megjithatë, ministri bullgar i Ekonomisë, Emil Karanikolov, tha se është ende herët për të folur në lidhje për një kolaps në drejtim të investimeve të huaja, duke theksuar se në vitin 2017 u realizuan gjithsej 31 projekte të investimeve të klasit A, me vlerë 159 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar u zbatuan 28 projekte të certifikuara me vlerë 434 milionë euro.

Bullgaria është kthyer në një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të pjesëve të ndryshme, njësive dhe pajisjeve të industrisë së automobilave. Më shumë se 100 kompani të huaja nga ky sektor kanë bizneset e tyre në Bullgari. Këta investitorë punësojnë dhjetëra mijë shtetas bullgarë, shumica prej të cilëve janë me kualifikim të ulët.

Megjithatë, ka edhe nga ato kompani që i ndryshojnë planet e biznesit dhe vendosin të mbyllin filialet në Bullgari, siç është rasti i ALC, që së fundmi ka mbyllur tre njësitë e saj në Bullgari që merren me prodhimin e tapicerive me porosi për automjetet e llojit BMW dhe MINI, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Një muaj më parë, pronari norvegjez i një prej kompanive më të mëdha të telekomunikacionit në Europë, Telenor, njoftoi vendimin për të shitur aksionet në disa shtete të Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Bullgarinë. Banka e fuqishme franceze Société Générale dhe Banka greke Piraeus ndërmorën veprime të ngjashme edhe në sektorin bankar. Deri më tani, kompani të ndryshme call center vazhdojnë të kenë ende interes për të zhvilluar biznesin në Bullgari.

Ato kontribuojnë kryesisht në dhënien e pagave dhe në qiradhënie dhe nuk bëjnë ndonjë investim të konsiderueshëm në këtë vend. Gjatë kohëve të fundit është vënë re edhe një trend tjetër në Bullgari, investimet e kompanive bullgare jashtë vendit janë rritur ndjeshëm, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta, sepse kjo gjë ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrjedhjen e kapitalit jashtë vendit.

Nga ana tjetër, këto kompani kanë mundësinë për të rritur fitimet dhe qarkullimin, të cilat në një formë apo në një tjetër kthehen në Bullgari. Kohët e fundit, vëzhguesit e biznesit i kanë kushtuar vëmendje të veçantë dy investimeve të mëdha bullgare jashtë vendit. Biznesmeni bullgar dhe aksioneri më i madh i një prej tre kompanive më të mëdha të telekomunikacionit në Bullgari, Spas Rusev, bleu shumicën e aksioneve në operatorin e dytë më të madh të telefonisë celulare në Shqipëri, Telekom Albania.

Marrëveshja është vlerësuar afërsisht 50 milionë euro. Interesant është edhe fakti tjetër se ky investitor bullgar nuk i fsheh qëllimet për të përvetësuar kompani të tjera të telekomunikacionit në rajonin e Europës Juglindore dhe atë të Ballkanit. Një marrëveshje tjetër e përmasave të mëdha është edhe ajo e investitorit bullgar në Moldavi, ku Doverie United Holding mori kontrollin e bankës së dytë më të madhe në këtë vend, Moldindconbank. Vlera e marrëveshjes nuk u bë kurrë publike.

Të dhënat paraprake të Bankës Kombëtare Bullgare tregojnë se investimet e huaja në vend kanë rënë. Kabineti bullgar thotë se nuk është ende rasti që të flitet për një kolaps të IHD-ve në Bullgari. Megjithatë, një gjë është e sigurt, investimet e huaja në Bullgari janë të pamjaftueshme dhe pa pasjen e nivelit të duhur të investimeve të huaja, ky vend do ta ketë të vështirë të ecë me të njëjtin ritëm me atë të vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of