Produktet bullgare, përfshirë verërat, vajrat esencialë dhe produktet e qumështit kanë një potencial të madh për t’u eksportuar në tregun e Koresë së Jugut. Kjo u bë e qartë në një takim të zhvilluar në Seul midis ministrit të Ekonomisë, Emil Karanikolov, dhe kryetarit të Shoqatës së Importuesve të Koresë (KOIMA), z. Kwang-hee Hong.
Shoqata e Importuesve të Koresë, KOIMA, është një organizatë me mbi 8,000 anëtare, e cila është themeluar në vitin 1970. Kjo është e vetmja organizatë biznesi në Republikën e Koresë që synon të mbështesë importet nga jashtë duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e tregtisë së vendit.
Në takimin e zhvilluar në Seul, kjo organizatë tregoi interes për produkte të ndryshme bullgare të cilësisë së lartë, të cilat shpreson se do të importohen në Korenë e Jugut. Në 2018, eksportet bullgare në Korenë e Jugut kapërcyen vlerën 106 milionë dollarë amerikanë. “Ne i mbështesim forume dhe aktivitete të tilla biznesi, duke qenë se ato janë një formë e mirë për të vendosur bazat për projekte të tjera të përbashkëta”, tha ministri Karanikolov.
Në takimet me përfaqësuesit koreanë të biznesit, ministri bullgar i Ekonomisë theksoi avantazhet e Bullgarisë si një destinacion tërheqës investimesh. Sipas tij, qeveria është në dialog të vazhdueshëm dhe partneritet me biznesin për zbatimin e politikës ekonomike të jashtme të qëndrueshme që synon zgjerimin e pranisë së tregut, përmirësimin e kushteve për qasje në tregjet e huaja dhe tërheqjen e investimeve të huaja. “Ne mbështesim sektorët me vlerë të lartë të shtuar të orientuar nga eksporti dhe me potencial të lartë për zbatimin e inovacionit në prodhim”, shtoi ai.
Në vizitën zyrtare, z. Karanikolov u takua me zëvendësministrin e Tregtisë, Industrisë dhe Energjisë së Republikës së Koresë. Gjatë bisedimeve, ministri i Ekonomisë theksoi se Republika e Koresë është një prej partnerëve strategjikë në sektorin e ekonomisë në Azi. Përpjekjet e Bullgarisë janë përqendruar në promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e lidhjeve ekonomike midis këtyre dy vendeve.
Nga ana e tij, zëvendësministri i Tregtisë së Koresë theksoi se sektori i Kërkimit dhe Zhvillimit dhe ai i Teknologjisë janë ndër më të zhvilluarit në Bullgari dhe ata që kanë bërë që ne ta shohim këtë shtet si një prej partnerëve tanë më të rëndësishëm.