Banka Europiane e Investimeve (BEI) i ka huazuar 15 milionë euro bankës ProCredit në Bullgari, për të bashkëfinancuar investimet e vogla dhe të mesme në vend. 40% e kredive të ndërmjetësuara janë të dedikuara për energjinë e rinovueshme, efikasitetin e energjisë, transportin e ulët të karbonit dhe projektet e menaxhimit të mbeturinave.
Falë kredisë së BEI, kompanitë bullgare me më pak se 3 000 të punësuar do të përfitojnë nga aksesi më i mirë në financimin afatgjatë, sigurisht edhe me kushte më të favorshme. “Mbështetja për rajonet e kohezionit dhe lufta kundër ndryshimit të klimës janë përparësi strategjike të bankës së BE-së”, tha zv.kryetarja e BEI, Lilyana Pavlova. “BEI, – vijon ajo më tej, – në bashkëpunim me partnerin tonë ProCredit Bank, do të mbështesë punësimin në Bullgari, forcimin e konkurrencës së sektorit privat dhe mbështetjen e luftës kundër ndryshimit të klimës. Përpjekjet tona të përbashkëta do të nxisin rritjen e qëndrueshme dhe investimet në Bullgari, duke nxitur konvergjencën ekonomike, duke rritur numrin e vendeve të punës për punonjësit e kualifikuar dhe ajo çka është më e rëndësishmja: përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve europianë”.
“ProCredit Bank është një bankë pioniere në ofrimin e kredive të specializuara për efikasitetin e gjelbër dhe të energjisë, përfshirë financimin për gjenerimin e energjisë së rinovueshme, dhe ka bërë përpjekje të rëndësishme për nxitjen e investimeve të këtij lloji. Duke vepruar në këtë mënyrë, ne jemi pozicionuar si banka e përzgjedhur për dhënien e kredive të gjelbra, nga ana e bizneseve dhe ofruesve të fondeve.
“Nënshkrimi i kontratës së sotme pasqyron parimet dhe qëllimet e përbashkëta të të dy institucioneve, si dhe angazhimin tonë të përbashkët për promovimin e rritjes dhe punësimit duke mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Reni Peycheva, anëtar i Bordit Menaxhues dhe drejtor Ekzekutiv i Bankës ProCredit në Bullgari.