Bullgari / Më konkurruesja në Ballkan

26/10/2019 10:03 PM 0 komente

Sipas renditjes së Forumit Ekonomik Botëror (CIF), ekonomia bullgare renditet e 49-ta në renditjen globale të konkurrencës. Në vitin 2019, Bullgaria u ngjit me dy pozicione në këtë renditje prestigjioze, ku përfshihen 141 vende në të gjithë botën. Rezultati i arritur nga ky vend është 64.9 pikë.
Ekonomia bullgare është më konkurruese se shumica e ekonomive të tjera në rajonin e Ballkanit.

Bullgaria renditet dy vende përpara Rumanisë, e cila qëndron në vendin e 51. Bullgaria gjithashtu renditet në një pozicion më të mirë se Greqia, që ndodhet në vendin e 59; Turqia në vendin e 61; Kroacia në vendin e 63; Serbia në vendin e 72; Mali i Zi në vendin e 73, Shqipëria që renditet në vendin e 81 dhe Maqedonia e Veriut, në vendin e 82. Këtë vit, ekonomia më konkurruese në botë është ajo e Singaporit, e cila është ngritur nga vendi i dytë në vendin e parë, duke zëvendësuar liderin e vitit të kaluar, SHBA-në.

Zvicra, Japonia, Gjermania, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka janë pjesë e dhjetëshes së parë. Një nga karakteristikat specifike të këtij vlerësimi është se ai nuk vlerëson rregullat e shtetit ligjor dhe procedurat, si në renditjen e Bankës Botërore, por merr parasysh vlerësimin subjektiv të investitorëve sa i takon mjedisit të investimeve.

Renditja e Forumit Ekonomik Botëror (CIF) publikohet që prej vitit 1979, ku 141 ekonomitë e vendeve që renditen në të, përbëjnë rreth 99% të PBB-së botërore. Sipas tij, në dekadën që nga kriza globale financiare, shumica e ekonomive vazhdojnë të karakterizohen nga një cikël me rritje të ulët prodhimi.

Ekonomitë që investojnë në rikualifikimin e punës dhe forcimin e infrastrukturës, janë edhe ato që do t’i rezistojnë më së miri ngadalësimit global.
“Shtetet që përqendrohen në zhvillimin e infrastrukturës, njohurive, kërkim & zhvillimit në politikat e tyre ekonomike janë më të suksesshme se ato që përqendrohen vetëm në faktorët e rritjes tradicionale” – tha Prof. Klaus Schëab, themeluesi dhe presidenti i Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of