Bullgari/ Mungesa e forcës punëtore, një ndër faktorët kryesorë të rënies në ekonomi

17/11/2018 8:31 AM 0 komente

Deri para pak vitesh, të shumtë ishin bullgarët që ankoheshin për nivelin e lartë të papunësisë në vend, madje ka pasur disa vite kur ajo ka arritur në 13%. Ndërsa në ditët e sotme është rritur numri i atyre që ankohen se ka mungesë të forcës punëtore dhe jo vetëm të asaj të kualifikuar, por edhe të atyre të pakualifikuar dhe të zanatçinjve.

Sot, që nga fillimi i vitit, niveli i papunësisë është ulur në 5.6% dhe numri i të papunëve është zvogëluar me 22%. Më shumë se 60% e punëdhënësve thonë se nuk janë në gjendje të gjejnë punonjës dhe se pikërisht kjo po ndikon negativisht në ecurinë e bizneseve të tyre, duke ngadalësuar edhe rritjen ekonomike.

Në një analizë ndërkombëtare të kryer nga PwC, Bullgaria renditet në krye të listës së vendeve të BE-së për humbjet që i ka shkaktuar ekonomisë së saj si pasojë e mungesës së forcës punëtore, jo më pak se 13.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo do të thotë se nëse bizneset do të arrinin të gjenin forcën punëtore që i nevojitet, PBB-ja e Bullgarisë do të rritej me 13.2%. Pas Bullgarisë, e dyta renditet Rumania, edhe pse diferenca e saj me vendin e parë është e madhe, sepse humbjet që ajo i ka shkaktuar ekonomisë së vendit të saj si pasojë e mungesës së forcës punëtore janë vetëm 6% e PBB-së.

Sipas një analize të kryer nga Manpower, Bullgaria renditet e pesta në vend, lidhur me mungesën e forcës punëtore, pas Japonisë me 89%, Rumanisë me 81%, Tajvanit me 78% dhe Hong-Kongut me 76%.
Shkaqet e mungesës së forcës punëtore në tregun e punës janë të shumta dhe mesa duket jo vetëm në Bullgari. Një ndër më kryesorët është arsimi, i cili i dërgon në tregun e punës njerëz me aftësi dhe kualifikim, por janë larg nga ajo për të cilën kanë nevojë bizneset në realitet.

Në këtë kuptim, CEO-ja e Bankës Botërore, Kristalina Georgieva ishte optimiste kur tha se Bullgaria po bënte një punë më të mirë në drejtim të investimit të kapitalit njerëzor sesa vendet e tjera me të ardhura të ngjashme.
Për herë të parë, banka paraqiti një indeks të kapitalit njerëzor, i cili mbështetej në pesë përbërës të veçantë, në të cilën vendi renditet i 44-ti në botë.

Në krye të listës është Singapori. Indeksi i Kapitalit Njerëzor tregon se një fëmijë i lindur sot në Bullgari do të arrinte të jepte 68% të potencialit të tij. Nëse është vajzë, përqindja është pak më e lartë 71, nëse është djalë është pak më e ulët, 65.
Megjithatë, gjërat nuk janë kaq dramatike, ndërkohë që janë duke u ndërmarrë hapa që synojnë të sjellin arsimimin më pranë nevojave të bizneseve.

Shpresat më të mëdha janë duke u mbështetur në arsimin e dyfishtë, i cili kombinon shkollimin klasik me punën praktike në kompani dhe fabrika. Është ende herët të thuhet nëse në Bullgari priten të shihen rezultate pozitive, megjithëse ky lloj edukimi ka dhënë rezultate pozitive në vende të zhvilluara si në Gjermani, Zvicër, etj.
Një tjetër masë që Bullgaria po ndërmerr për të ulur nivelin e lartë të mungesës së forcë punëtore, është të sjellë punëtorë nga vende të tjera. Gjatë sezonit të verës u punësuan rreth 5,000 njerëz nga Ukraina dhe Moldavia në hotele, bare dhe restorante.

Kriza demografike është një tjetër faktor që ndikon në mungesën e forcës punëtore në Bullgari, sepse popullsia e këtij vendi po plaket me një ritëm të shpejtë. Dhe në këto rrethana, do të ishte shumë e vështirë që ekonomia të arrinte në një nivel të lartë të zhvillimit teknologjik, apo në terma të vlerës së shtuar.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në mungesën e lartë të forcës së punës në këtë vend, është edhe numri i lartë i personave që kanë emigruar në shtete të tjera, për të gjetur një punë me pagë me të lartë, ndër to ka bullgarë që shkojnë për të mbledhur luleshtrydhe në Angli, portokaj në Greqi, por ka edhe bankierë, profesorë, sipërmarrës, mjekë të njohur dhe ekspertë IT-je.

Emigrimi mund të jetë zgjedhja më e mirë në jetën e tyre, por njëkohësisht edhe më e keqja për Bullgarinë, sepse në kombinim me faktorë të tjerë, hedh dyshime mbi të ardhmen si një komb dhe si një shtet me një popullsi të begatë dhe të lumtur.

Bota është një vend i madh dhe kudo ka probleme, prandaj askush nuk do të vijë nga jashtë dhe të zgjidhë problemet e Bullgarisë. Kjo është diçka që i mbetet për ta zgjidhur pikërisht asaj pjesë të bullgarëve që kanë mbetur ende në vendin e tyre.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of