Bullgari/Në pritje të vendimit për paradhomën e Eurozonës

03/03/2020 4:30 PM 0 komente

Oferta e Bullgarisë për t’u bërë pjesë e “dhomës së pritjes” të Eurozonës do të rishikohet në korrik, tha kryeministri Boyko Borissov, duke u kërkuar bankave vendase që të monitorojnë më nga afër kapitalin e tyre deri në atë periudhë të caktuar, në mënyrë të tillë që të shmangen pengesat e mundshme për miratimin e euros.

Sofja, e cila ka një nga nivelet më të ulëta të borxhit publik në Bashkimin Europian, fillimisht planifikoi të bëhet pjesë e mekanizmit dyvjeçar të detyrueshëm të zonës së euros, ERM-2, dhe bashkimit bankar të bllokut në fund të prillit. Bullgaria është shteti anëtar më i varfër dhe më i korruptuar i BE-së, por ka ndërmarrë hapa për të rritur të ardhurat e njerëzve, për të luftuar korrupsionin sidomos sa i takon ryshfeteve dhe gjithashtu të përmirësojë mbikëqyrjen bankare.

Ajo ka përmbushur shumicën e kërkesave për t’u bërë pjesë e dy strukturave të BE-së, përveç rikapitalizimit të suksesshëm të dy bankave në pronësi lokale, në të cilat Banka Qendrore Europiane (BQE) gjeti mungesa të konsiderueshme të kapitalit, gjatë një kontrolli të bërë gjatë vitit të kaluar.

“Periudha për realizimin e këtyre objektivave nuk është prilli, por korriku. Kjo do të ndodhë kur Bullgaria dhe Kroacia do të rishikohen”, u tha z. Borissov gazetarëve, pas takimit të zhvilluar në Bruksel, me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis.

“Deri atëherë, bankat bullgare duhet të monitorojnë me shumë kujdes kapitalin e tyre, në mënyrë që të mos përballemi më me pengesa të tjera në të ardhmen e afërt”, u tha gazetarëve z. Borissov.

Sipas një vlerësimi gjithëpërfshirës të kryer nga BQE-ja gjatë muajit korrik, u zbulua se huadhënësi i pestë më i madh i Bullgarisë, Banka “First Investment” (Fibank), kishte një mungesë kapitali prej 263 milionë eurosh (284 milionë dollarësh amerikanë), ndërsa banka tjetër më e vogël, Investbank, rezultoi me një mungesë prej 52 milionë eurosh.

Që të dyja këto banka duhet të zëvendësojnë mungesën e kapitalit  deri në fund të muajit prill, ku Fibank planifikon të mbledhë deri në 200 milionë levi taksa në bursën vendase, midis edhe hapave të tjerë. Por të enjten e kaluar, rregullatori financiar i vendit refuzoi të aprovojë planin e Fibank, duke i bërë kështu më shumë presion huadhënësit, në mënyrë të tillë që ky i fundit të përmbushë afatin e planit të tij të rikapitalizimit. Banka tha se do të ndryshojë planin e saj dhe se do të përcaktojë sa më parë të jetë e mundur një plan të ri.

Në një përpjekje tjetër për të qetësuar frikën, se hyrja në mekanizmin ERM-2 mund të zhvlerësojë monedhën vendase të levit, e cila është e lidhur ngushtë me euron, duke shkaktuar humbje të mëdha në kursimet e bullgarëve, kryeministri Borissov deklaroi se kursi fiks i këmbimit do të mbahet deri në momentin që Sofja do të miratojë monedhën e përbashkët. Z. Dombrovskis tha gjithashtu se ndryshimi i kursit aktual të këmbimit nuk ka asnjë kuptim ekonomik dhe mundësitë që të ndodhë një gjë e tillë, janë të pakta.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of