Cila do të jetë e ardhmja e ekonomisë bullgare?
Kjo është një pyetje, ndaj së cilës shumë institucione bullgare dhe ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Komisioni Europian, Banka Kombëtare Bullgare (BNB), Ministria e Financave, etj., janë përpjekur t’i japin përgjigje. Në këtë periudhë të vitit, vlerësimet dhe parashikimet mendohen të jenë më të besueshme se parashikimet e pranverës.
Ministria bullgare e Financave vlerëson se rritja ekonomike do të arrijë në 3.4 % gjatë këtij viti. Banka Kombëtare Bullgare (BNB) është shumë më optimiste, duke e çuar parashikimin e saj në 3.7 %. Parashikimi i Bankës Botërore shkon në 3.2 %, ndërsa ai i Komisionit Europian në 3.6 %.
Ende nuk dihet se cili prej këtyre parashikimeve do të jetë më i sakti, por mendohet se parashikimi i Thesarit të Shtetit, që ka lidhje të drejtpërdrejta me menaxhimin e ekonomisë dhe që ka treguesit e fundit ekonomikë, duhet të jetë ai më i sakti. Kjo theksohet më shumë nga projektbuxheti i Ministrisë për vitin 2020, botuar javës së kaluar.
Sipas projektbuxhetit, “rritja ekonomike do të arrijë në 3.3 % në vitin 2020, e nxitur kryesisht nga konsumi dhe investimet”. Ngadalësimi është vënë re edhe në disa prej partnerëve më të rëndësishëm ekonomikë të Bullgarisë, siç është Gjermania. Gjithsesi ngadalësimi nuk i ndalon autoritetet e Sofjes të parashikojnë shpenzime më të larta publike sesa ato të buxhetit qendror për vitin e ardhshëm, i cili do të shkojë në 24 miliardë euro në krahasim me 22.4 miliardë euro gjatë këtij viti, duke shënuar rritje 7 %.
Qeveria i ka ritheksuar premtimet për të rritur pagat e sektorit publik me 10 %, për t’i kushtuar më shumë fonde publike kujdesit shëndetësor dhe të përmirësojë pensionet e të moshuarve në vend. Sipas saj, do të ketë edhe një rritje të pagave të mësuesve në shkollat publike fillore dhe në ato të mesme. Pritet që shpenzimet ushtarake të arrijnë në 2 % të PBB-së, ashtu edhe siç është kërkuar nga NATO.
Sa i takon politikës së të ardhurave, projektbuxheti parashikon një rritje të pagës minimale duke filluar nga 1 janari i vitit 2020, që është më shumë se 8 % mbi nivelin e pagës aktuale. Financuesit e shtetit janë shumë të etur për të specifikuar se buxheti i 2020 do të jetë i ekuilibruar, d.m.th nuk do të ketë as suficit dhe as deficit.
Vendi do të marrë pak më shumë se 1 miliard euro të borxhit të ri qeveritar, i cili do të mbetet nën 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe do ta rendisë vendin përsëri në tre vendet e para në Europë. Është shumë e rëndësishme të theksohet se nuk do të ketë rritje të taksave në vitin 2020, ndërsa sa i takon inflacionit ai nuk parashikohet të mbetet rreth 2%.
Një numër i madh ekspertësh dhe ekonomistësh, përfshirë edhe ish-shefin e BQE-së, Mario Draghi, u kanë bërë thirrje qeverive të shpenzojnë më shumë për të stimuluar konsumin dhe rritjen, parashikohet se qeveria do të shpenzojë më shumë para vitin e ardhshëm.
Sa i takon konsumit, duhet të pranohet fakti se në Bullgari ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim.
Sipas Dhomës së Tregtisë Bullgare, vendi duhet të ecë shumë përpara në drejtim të konsumit, sepse fuqia blerëse e bullgarëve është vetëm 50 % e asaj të mesatares së Europës dhe të ardhurat e qytetarëve janë më të ulëta se mesatarja e BE-së, në vetëm 14, 739 euro për person në vit. Dhe nëse qeveria do të arrijë të zgjidhë edhe problemin e 200,000 bullgarëve të rritur të papunë dhe të paarsimuar, kjo do të ndikonte edhe në stimulimin e mëtejshëm të konsumit dhe rritjes ekonomike.