Një nga operatorët më të mëdhenj portualë në botë, Dubai Port World, ka shfaqur interes për të investuar në portet bullgare dhe për të krijuar qendra të teknologjisë së lartë të logjistikës në qytete të vendit.
Kjo u njoftua menjëherë pas zhvillimit të takimit ndërmjet kreut të shtetit bullgar, Rumen Radev me Sulltan Ahmed bin Sulayem, CEO i Dubai Port World dhe njëkohësisht një nga biznesmenët më me ndikim në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Takimi mes tyre ndodhi menjëherë pas pjesëmarrjes së Presidentit bullgar në Forumin Ekonomik të Petërburgut, ku z. Radev ftoi përfaqësuesit e biznesit që ishin të interesuar për të investuar në Bullgari. Z. Radev dhe z. Sulayim diskutuan mbi perspektivat e njohjes së Bullgarisë si një qendër logjistike rajonale për transportin e mallrave nga Azia në Europë.
Përfaqësuesi i Dubai Port World, i cili zotëron 78 terminale logjistike në pjesë të ndryshme të botës, theksoi se përdorimi i porteve bullgare përgjatë Danubit është aksesi më i sigurt dhe më i shpejtë për në vendet e tjera europiane. Kreu i shtetit bullgar deklaroi se vendndodhja strategjike e vendit midis Europës dhe Azisë dhe stafit të kualifikuar në Bullgari krijojnë parakushte të shkëlqyera për zgjedhjen e tij si një qendër logjistike rajonale.