Parlamenti i Bullgarisë miratoi buxhetin e ekuilibruar për vitin 2020, duke rritur njëkohësisht edhe nivelin e pagave publike dhe fondeve për arsim, teksa kjo ekonomi e vogël e këtij shteti përgatitet të bëhet pjesë e ERM-2 të Eurozonës, gjatë pranverës së ardhshme.
Aktualisht Bullgaria po përjeton një suficit të buxhetit të saj, por shpenzimet e larta të parashikuara në muajin dhjetor, plus një marrëveshje me vlerë prej 1,26 miliardë dollarësh për të blerë tetë avionë të rinj luftarakë F-16, planifikohet ta largojnë Bullgarinë nga niveli aktual i suficitit dhe ta drejtojnë atë drejt një deficiti prej 2% të PBB-së gjatë 2019.
Ky vend anëtar i Bashkimit Europian, i cili shpreson të bëhet pjesë e ERM-2, Mekanizmit të Kursit të Këmbimit, një pararendës i detyrueshëm dyvjeçar për adoptimin e euros, në prill të vitit të ardhshëm, planifikon që të zhvillojë buxhete të ekuilibruar deri në vitin 2022 dhe të vazhdojë të ulë nivelin e borxhit të saj publik, aktualisht i treti më i ulët në BE, me vetëm 17% të PBB-së në 2022.
Javën e kaluar, agjencia e vlerësimit, Standard & Poor’s e rriti vlerësimin për renditjen e saj të kreditimit në valutë të huaj për periudhën afatgjatë nga BBB/A-2 në BBB/A-3, me një parashikim pozitiv dhe duke theksuar pozicionin e saj të fortë fiskal dhe të jashtëm dhe përparimin drejt adoptimit të euros.
Sofja, e cila lidh ngushtësisht monedhën e saj vendase me euron, parashikon që ekonomia e saj do të ngadalësohet me më pak se 3.3% gjatë vitit të ardhshëm, e nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe nga një normë e pritshme e përshpejtimit prej 3.4% në 2019. Sipas planit të buxhetit, Bullgaria, e cila është një nga shtetet anëtare të BE-së me nivelin më të ulët të borxhit ndër shtetet anëtare, pritet ta mbajë nivelin e borxhit të saj shtetëror nën 23 miliardë leva bullgare.
Sipas ministrit të Financave, Vladislav Goranov, buxheti i balancuar dhe nivelet e ulëta të borxhit do të jenë “amortizatori kryesor” i Bullgarisë ndaj rreziqeve të jashtme të shkaktuara, kryesisht si pasojë e ngadalësimit të mundshëm ekonomik në Eurozonë, njëkohësisht edhe destinacioni i saj më i rëndësishëm i eksportit.
Vitin e ardhshëm, qeveria e qendrës së djathtë planifikon të rrisë të gjitha pagat shtetërore me 10%, ndërsa pagat e mësuesve do të rriten me 17%, duke u zotuar që të rrisë nivelin e të ardhurave për frymë në shtetin më të varfër të BE-së dhe të arrijë të vendosë një pagë mesatare prej 1.500 levash bullgare (853 dollarë amerikanë) deri në vitin 2021.
Paga minimale mujore në Bullgari do të jetë subjekt i një rritjeje prej 9%, duke arritur vlerën 610 leva bullgare deri në vitin 2020.
Pavarësisht thirrjeve të opozitës për të miratuar normat progresive të taksave mbi të ardhurat e larta, Parlamenti votoi për të mbajtur taksën e të ardhurave në nivelin e sheshtë prej 10%. Norma e taksave të korporatave do të jetë gjithashtu e pandryshuar edhe gjatë vitit të ardhshëm, po me 10%.