Ekonomia bullgare po përjeton një deficit të madh të fuqisë punëtore. Papunësia në këtë vend është vetëm në 3.7% dhe sipas Kryeministrit Borissov, vetëm ata që nuk duan të punojnë janë aktualisht të papunë.
Numri i bullgarëve të larguar, në kërkim të vendeve të punës me nivel page dhe standard jetese më të mirë është midis 1.5 dhe 2 milionë personave – më i lartë se numri i atyre që kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Për shkak të deficitit të fuqisë punëtore, biznesi dhe autoritetet po kërkojnë për rezerva të fshehura.
Kjo është arsyeja se pse mbi 60% e pensionistëve në këtë vend vazhdojnë ende të punojnë. Nga ana tjetër, rreth 200,000 bullgarë në moshë aktive as studiojnë dhe as punojnë. Bullgarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit tërheqin gjithashtu vëmendjen e biznesit dhe autoriteteve bullgare, sepse ata kanë potencial të plotësojnë mungesën e fuqisë punëtore.
Këta bullgarë janë mësuar të punojnë sipas kritereve dhe kërkesave të punëdhënësve në vendet më të zhvilluara, kanë aftësi dhe kompetencë të mjaftueshme në fushat e tyre profesionale dhe janë një burim njerëzor i paçmuar për ekonominë bullgare. Sidoqoftë, duhet të pranojmë edhe faktin se shumica e tyre nuk e lanë vendin e tyre të lindjes thjesht sepse u pëlqen të udhëtojnë.
Ata thjesht emigruan për shkak të kushteve më të mira të punës dhe pagave më të larta të ofruara në vende të tjera, përfshirë vendet e tjera anëtare të BE-së. Kjo vërtetohet me faktin se çdo vit, emigrantët bullgarë u dërgojnë mbi 1 miliard euro familjeve dhe të afërmve të tyre në Bullgari, gjë që i bën ata investitorët e huaj më të mëdhenj në vend.
Shkaqet janë të shumta: treguesit e ndryshëm ekonomikë, niveli i pagave, çmimeve, fuqia blerëse, mirëqenia dhe standardi i jetesës. Kjo është arsyeja se përse detyra e autoriteteve bullgare për të tërhequr emigrantët bullgarë në vendin e lindjes duket e vështirë. Mundësitë e shtetit janë të kufizuara, standardi i jetesës është modest dhe Bullgaria është shteti anëtar i BE-së me të ardhura më të ulëta.
Sipas sondazheve sociologjike, 70% e bullgarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit do ta merrnin në konsideratë kthimin në vendin e origjinës, nëse do të gjenin kur të ktheheshin kushte më të favorshme për të jetuar dhe për të punuar. Në këtë kontekst, Ministria Bullgare e Punës dhe Politikës Sociale po zhvillon dhe do të nisë në janar të 2020 një program të veçantë për të tërhequr emigrantët.
Një paketë masash është përgatitur në kuadër të Programit Operacional të Zhvillimit të Burimeve Njerëzore. Sipas këtyre masave, bullgarët që kthehen në vendin e tyre do të marrin deri në 600 euro në muaj për një periudhë afërsisht njëvjeçare, njoftoi zëvendësministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Zornitsa Rusinova. Kjo është një shumë e konsiderueshme dhe pothuajse e barabartë me pagën mesatare mujore që merret në Bullgari.
Personat që do të vendosin të kthehen në Bullgari do të jenë në gjendje t’i përdorin këto para për të paguar qiranë e tyre, kujdesin shëndetësor për fëmijët, apo edhe studimet në gjuhën bullgare për anëtarët e familjes me kombësi të tjera. Vlera totale e programit është afro 5 milionë euro dhe u drejtohet të gjithë personave deri në moshën 54 vjeç, apo edhe poshtë saj.
Bullgarët do të kthehen nëse binden se të afërmit e tyre jetojnë më mirë, pagat janë më të larta dhe sistemet e kujdesit shëndetësor dhe arsimor funksionojnë më mirë. “Autoritetet shtetërore nuk kanë pse të na japin para. Ata duhet të na ndihmojnë të ndihemi një pjesë e rëndësishme e komunitetit bullgar”, shkroi një emigrant bullgar në rrjetet sociale.
Shumica e njerëzve si ai ngulin këmbë për kushte më të mira jetese dhe pune në Bullgari, në mënyrë që ata të rikthehen në vendin e tyre. Sigurisht, ka njerëz që do të përfitojnë nga masat e autoriteteve bullgare për të tërhequr emigrantët përsëri në vend. I mbetet kohës për të vërtetuar nëse këto masa do të japin rezultatet e nevojshme.